Spasovski: Prej kur jam ministër ka ulje të numrit të viktimave nga aksidentet e trafikut

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në takimin e sotëm me Ambasadën Amerikane për përfundimin e projektit “Sistemi për regjistrim me kamerë celulare”, tha se që nga koha kur ai është në krye të MPB-së, viktimat në trafik kanë shënuar rënie të vazhdueshme, transmeton Portalb.mk.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Spasovski tha se në vitin 2013 në aksidente trafiku ka pasur 198 viktima, ndërsa vitin e kaluar 111.

“E shihni sa janë përmirësuar rezultatet nga fakti që kolegët janë në rrugë në çdo kohë dhe kontrollojnë pa pushim. Kemi një ulje serioze të numrit të viktimave në trafik. Në vitin 2013 kemi pasur 198 viktima, ndërsa në vitin 2021 kemi pasur 111 viktima. Është falë angazhimit dhe punës. Nga momenti që unë drejtoj Ministrinë e Brendshme, nga viti 2016 e deri më sot kemi një rënie të vazhdueshme të viktimave në trafik, lëndime të rënda, serioze. Ky është një problem kompleks, një pjesë të përgjegjësisë duhet ta marrë edhe sistemi arsimor, sepse kultura e komunikacionit fitohet që në moshë të re”, deklaroi Spasovski.

Projekti “Sistemi për regjistrim me kamerë celulare” është një donacion prej një milion e 61 mijë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kamerat janë vendosur te policët që rregullojnë trafikun, dhe aplikimi ka nisur në vitin 2016.

Ministria e Brendshme ka njoftuar më herët se gjatë vitit 2021 janë shqiptuar 240.871 sanksione për mosrespektim të rregullave të qarkullimit rrugor, që është katër herë më shumë krahasuar me vitin 2020, kur ishin shqiptuar 55.444 sanksione. Nga këto 240.871 sanksione, shumica janë për shpejtësi -104.703, kundërvajtje e cila sipas të gjitha analizave është shkaku më i shpeshtë i aksidenteve me pasoja të rënda. Gjithashtu, janë sanksionuar 24.053 persona për drejtim automjeti pa leje drejtimi, 10.360 shoferë nën efektin e alkoolit etj.

Si rezultat i këtyre aktiviteteve, sipas MPB-së, viti 2021 është vit me më pak viktima në rrugët në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button