Gostivar, Ëmbla është kthyer në klasë me fëmijët, prindërit e të cilëve donin ta largonin

Prindërit e nxënësve të Shkollës Fillore “Bashkimi” në Gostivar bojkotuan mësimin pasi nuk donin që njëri prej fëmijëve, Ëmbla, të mësojë me fëmijët e tyre, me pretekstin se vajza është agresive. Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, i premtoi personalisht babait të Ëmblës 11-vjeçare, fëmijë me sindromën Down, se do ta zgjidhë problemin që po trazon opinionin në Maqedoni, transmeton Portalb.mk.

Ministri Shaqiri së fundi në Facebook njoftoi se Ëmbla prej sot do të vazhdojë përsëri të mësojë në klasë dhe se nuk do të jetë e izoluar.

“Ëmbla Ademi nga Gostivari nuk e ka ndjerë gëzimin e kthimit në shkollë në ditën e parë të gjysmëvjetorit të dytë, sepse, fatkeqësisht në shoqërinë tonë akoma ka stereotipe dhe paragjykime për personat me nevoja të veçanta. Por, për kënaqësinë time personale dhe akoma më shumë për kënaqësinë e familjarëve të saj dhe mbi të gjitha për kënaqësinë e saj, sot ajo është sërish mes shokëve të klasës dhe jashtëzakonisht e lumtur që vazhdon të marrë njohuri të reja, të përparojë dhe të krijojë miqësi me bashkëmoshatarët e saj. Lumturia në sytë e Ëmblës është lumturia jonë e përbashkët. Fitore e shoqërisë dhe vlerave të vërteta njerëzore. Uroj që situata të tilla të mos ndodhin më. Prandaj, ne duhet të vazhdojmë të kontribuojmë në ndërgjegjësimin ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara. Ata nuk janë të ndryshëm nga të tjerët dhe meritojnë qasje të barabartë në arsim cilësor si gjithë të tjerët. Është një e drejtë themelore dhe ne jemi të detyruar ta mundësojmë, të krijojmë kushte në të cilat çdo fëmijë do të zhvillohet dhe realizojë potencialin e tij të plotë”, shkroi Shaqiri.

Ilir Ademi, babai i Ëmblës, tha për Slloboden Peçat se është i revoltuar nga fakti që vajza e tij është izoluar dhe nuk është pranuar në procesin arsimor.

Akoma më e frikshme është, pohon Ademi, që 11 nëna të fëmijëve kanë ngritur peticion te drejtori që fëmijët e tyre do të bojkotojnë mësimin nëse Ëmbla nuk hiqet dhe nuk mëson e izoluar, në një hapësirë të veçantë.

“Jemi mësuar, por revolta përshkallëzoi. Kemi tetë vite që kemi probleme. Që nga kopshti gjithmonë e kanë izoluar. Janë justifikuar se përveç se ka sindromën Down, ka edhe dëgjim të dobët dhe kur donte të tërhiqte vëmendjen e fëmijeve, lëshonte dorë. Por nuk i rrihte. Dhe kjo ishte arsyeja që gjithmonë kishim probleme në kopsht. Duhet punuar për emancipimin. Dëgjoj për disa shembuj në Gjermani, atje sillen ndryshe. Ne kemi ligje, por nuk punojmë siç duhet”, thotë Ademi, i cili është profesor i muzikës dhe që merret vetë me muzikoterapi për të ndihmuar fëmijët e tjerë me sindromën Down.

Ai thotë se Ëmbla është në klasë të katërt dhe ka mësuar në tri paralele.

“I erdhi fundit dhe si prind nuk durova dot më. Vajzën time e vendosën të mësojë në turne, dy javë në një, dy javë në një tjetër, dy javë në paralelen e tretë. Ministria e Arsimit ka një koncept për gjithëpërfshirjen dhe shkollat ​​duhet të përgatiten për të, por fatkeqësisht kemi institucione të tilla që nuk i pranojnë mirë këto ndryshime. Kështu vajza ime, që në fillim të vitit mori një ndihmës arsimor të emëruar nga ministria. Por problemi lindi në nëntor kur nënat e fëmijëve në klasë i bënë kërkesë drejtorit që ta nxirrte vajzën time nga klasa, pasi u pengonte në procesin mësimor, i ka ngacmuar nxënësit e tjerë. Kjo nuk është e vërtetë, pasi vajza ime është vazhdimisht me asistentin nga fillimi deri në fund të orëve dhe ai do të alarmonte nëse është ashtu”, shpjegon Ademi.

Situata u përshkallëzua kur, para përfundimit të gjysmë vjetorit të parë, udhëheqsia e shkollës vendosi që Ëmbla vetëm dy ose tre orë të jetë me paralelen, kurse pjesën tjetër të mësojë vetë me asistente, në hapësirë të veçantë, sallë e improvizuar skenë për shfaqje. Salla ishte e madhe dhe me jo e ngrohtë mjaftueshëm.

“Salla është pa ngrohje dhe në kushte shumë të këqija. Deri në fund të gjysmë-vjetorit të parë prisja që këta prindër të ndërgjegjësohen, por kjo nuk ndodhi. Kështu që pyeta drejtorin se ku do të mësojë vajza ime e prej gjysmë-vjetorit të dytë dhe pasi më tha se do të mësonte në sallë të izoluar, vendosa të mos e çoja në shkollë. Vetëm dje e dërgova, pasi e dija se do të vinin gazetarët, ndaj drejtori e vuri para kamerave për të mësuar në klasë me fëmijët e tjerë”, thotë Ademi.

Për rastin në fjalë, ka reaguar edhe Avokati i Popullit, i cili ka hapur lëndë.

“Storja e publikuar tregon papjekuri të madhe të shoqërisë, e cila as prej së largu nuk është e gatshme në praktikë ta implementojë rregullativën vendore dhe ndërkombëtare e cila ka të bëjë me inkluzivitetin e këtyre personave në jetën e përditshme. Është e palejueshme që këta nxënës të jenë viktima të pa gatishmërisë të individëve t’i pranojnë diversitetet dhe të njëjtëve t’u vështirësohet qasja deri në procesin arsimor, i cili me Kushtetutë dhe me ligj u është garantuar të gjithëve në mënyrë të barabartë, pa elemente të çfarëdo qoftë diskriminimi. Për më tepër, gjatë viteve të kaluara të gjithë faktorët në shoqëri të cilët merren me këtë problematikë, përfshirë edhe institucionin Avokat i Popullit dhanë kontribut të madh në reformat e procesit arsimor, pikërisht në pjesën e cila ka të bëjë me inkluzivitetin e nxënësve, për shkak se diversiteti nuk guxon të kuptohet si dënim, ashtu siç është bërë në rastin konkret”, thuhet në kumtesën e Avokatit të Popullit.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply to Hajdar Sadiku Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button