Gjermania është distancuar nga raporti i Amnesty International për Izraelin se ka krijuar sistem “aparteidi” ndaj palestinezëve

Qeveria e Gjermanisë është distancuar në formë të prerë ndaj kritikës së Amnesty International ndaj Izraelit. Veçanërisht qeveria gjermane ka reaguar ndaj akuzës së Amnesty International, sipas së cilës Izraeli ka krijuar një sistem “aparteidi” kundrejt palestinezëve. “Koncepte si aparteid e po ashtu edhe fokusimi i njëanshëm ndaj Izraelit ne i refuzojmë”, bëri të qartë një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Berlin. “Kjo nuk ndihmon për një zgjidhje të konfliktit në Lindjen e Mesme”, raporton DW.

Zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Berlin u tërhoqi vëmendjen aktivistëve të të drejtave të njeriut: “Në shqetësimin e krijuar aktualisht prej rritjes së antisemitizmit në Europë kushdo, edhe ata që angazhohen për të drejtat e njeriut, mbajnë përgjegjësi, duke e nxitur këtë frymë edhe padashje”, thotë ai.

Nga ana tjetër Gjermania i përmbahet qendrimit të vet refuzues ndaj zgjerimit të vendbanimeve në territoret e pushtuara të palestinezëve si dhe mbështet një zgjidhje me dy shtete, shtoi zëdhënësi. Disa praktika si shembjet dhe zhvendosjet e shtëpive të palestinezëve në territoret e pushtuara duhen konsideruar pjesërisht në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Zëdhënësi iu referua faktit, se edhe qeveria gjermane vazhdimisht kritikon politikën e Izraelit: “Situatat kritike ne jo vetëm që i tematizojmë direkt me partnerët tanë izraelitë, por ne pozicionohemi qartazi publikisht për këtë”, tha zëdhënësi.

Shoqata gjermano-izraelite (DIG) kërkoi që t’i tërhiqet çmimi Nobel i Paqes organizatës Amnesty International. Me këtë raport kjo organizatë “qartazi dhe pa asnjë dyshim është demaskuar si antisemite”, deklaroi presidenti i DIG, Uwe Becker.

Kjo organizatë, sipas tij e ka marrë me pa të drejtë Nobelin e Paqes. Kush pretendon, që e vetmja demokraci në Lindjen e Mesme është “shtet aparteidi, që i trajton ‘palestinezët si racë inferiore’, përhap me vetëdije gënjeshtra dhe nuk druhet të përdorë zhargonin nacionalsocialist”, kritikon Becker. Ai akuzoi Amnesty International, se mbyll sytë ndaj “realiteteve” – si faktit qëpopullsia izraelite përbëhet në 20 përqind prej palestinezëve, “të cilët qartazi identifikohen me shtetin e Izraelit”.

Edhe Këshilli Qendror i Hebrejve në Gjermani e akuzoi Amnesty International për antisemitizëm dhe “demonizim” të Izraelit. Ministri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid deklaroi, se raporti përmban “gënjeshtra”, që përhapen nga “organizatat terroriste”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button