Vazhdon bojkoti i mësimit në fshatin Odër, kryetari Neziri dhe ministri Shaqiri premtuan zgjidhje

Tani e tre ditë vazhdon bojkoti i mësimit nga prindërit e nxënësve të fshatit Odër, arsyeja është sistemi i vjetërsuar i ngrohjes dhe dritaret prej alumini të cilat sjellin ftohtë në klasa. Mbrëmë prindërit dhe kryetari i Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri realizuan takim, ku përmes lidhjes telefeonike u bashkëngjit edhe ministri i arsimit Jeton Shaqiri, shkruan Portalb.mk.

Prindërit nuk pajtohen që mësimi në këtë shkollë të fillojë online apo nxënësit të transferohen në shkollën qendrore në fshatin Dobrosht, ata kërkojnë zgjidhje që në këtë kohë sa ka mbetur deri në pranverë të sigurohen mjete për ngrohje në klasa që të vazhdojë procesi shkollor, ndërsa intervenimet tjera si pajisja me sistem të ri të ngrohjes, ndryshimi i dritareve, renovim i tualeteve dhe lyerja e shkollës të vazhdojë në qershor.

Në takim, kryetari i këshillit të prindërve Lavdrim Farizi theksoi se duhet të gjendet zgjidhje me inverterë (kondicionerë)  apo me ndonjë mjet tjetër ngrohës.

“Ka të bëjë me kategorinë e ndjeshme që është fëmija, është problem emergjent i cili kushton pesë-shtatë mijë euro. Nuk është shumë e madhe që ta bëjmë aq tragjike”, tha Farizi.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës Nuhi Neziri tha se sipas vlerësimit të ekspertëve që kanë qenë në shkollë ngrohje në shkollë ka 50% kurse 50 mungon.

“Duke parë të gjitha mundësitë brenda komunës e njoftova ministrin (e Arsimit) dhe ai ka shprehur gatishmëri për një zgjidhje çfarëdo të mundshme, kjo po na e lehtëson mundësinë e zgjidhjes. Ne si komunë jemi të kufizuar dhe jemi të drejtuar drejt tenderimit për vlera mbi një mijë euro sepse janë para publike që duhet të kalohet përmes tenderimit”, tha Neziri.

Në pamundësi për të qenë prezent pasi ishte në një takim tjetër, përmes një lidhjeje telefonike ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri para banorëve tha se ka angazhuar anëtarët e kabinetit për t’i grumbulluar informacion, ndërkaq tha se është i gatshëm për t’i takuar banorët dhe për t’u ofruar zgjidhjet në bazë të mundësive ligjore në këto momente.

“Do të jem në komunikim me kryetarin e Komunës, deri nesër mbas dite (dmth sot), do ta diskutoj me kryetarin dhe deri nesër (dmth sot) mund të shihemi bashkë (me banorët)”, u shpreh ministri Shaqiri.

Shkolla është me tre kate dhe ka gjithsej nëntë klasa kurse funksionon vetëm me një ndërrim. Si propozim për zgjidhje në këto momente u theksua që të punohet me dy ndërrime dhe radiatorët që gjenden në katin e dytë të zbresin poshtë të shtohen nga dy radiator në klasë të bëhen katër ku do të shtohet kapaciteti i ngrohjes pasi do të shtohet fuqia termike, por kjo nuk u pranua nga ana e banorëve, të paktën deri në këtë moment.

Ndërkaq për zgjidhje tjetër, kryetari i Komunës tha se do të pret prej ministrit për mundësitë që do i ofrojë.

Në fund u përfundua që kryetari i komunës të bisedojë me ministrin dhe të gjejnë zgjidhjen brenda këtyre ditëve dhe të informojnë banorët të cilët kërkojnë zgjidhje konkrete dhe precize, me mjete tjera inverter ose mjete tjetër përmes ministrisë dhe komunës qe problemi të zgjidhet më shpejtë.

Ndryshe, ngrohjet nuk mund të lihen të punojnë 24 orë pasi të njëjtat përbëjnë rrezik pasi mund të eksplodojnë. Ndërsa investimi nga e para për sistemin e ngrohjes dhe ndërrimin e dritareve nga ana e komunës është paraparë në bëhet gjatë pushimeve verore të këtij viti.

This slideshow requires JavaScript.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button