Graçanica për herë të parë bëhet me nënkryetar shqiptar

Komuna e Graçanicës për herë të parë ka zgjedhur një nënkryetar nga komuniteti shqiptar. Leutrim Ajeti, i cili ka zënë vend në asamblenë komunale nga “Aleanca Shqiptare”, ka marrë besimin për të qenë nënkryetar për komunitete i Komunës së Graçanicës.

Ajeti në një prononcim për KOHËN ka treguar se propozimi për të marrë pozitën e nënkryetarit të kësaj komune me shumicë serbe, ka ardhur nga kryetarja e zgjedhur e Graçanicës, Ljiljana Subaric, në mbledhjen e mbajtur me kryesuesin e Kuvendit dhe një këshilltar të kryetares.

Ai thotë se për të marrë përgjegjësinë që i është besuar, fillimisht i është dukur e vështirë, por se planet e tij për t’i përmbushur objektivat që i kanë paraqitur si Aleancë.

“Në takimin e parë me kryetarin pas marrjes së detyrës, u pranua propozimi që unë të jem kandidat për nënkryetar për komunitete, pasi edhe isha më i votuari në zgjedhjet e 17 tetorit. Unë, kryesuesi i Kuvendit dhe një këshilltar i kryetares. Duke e parë që nuk kemi pasur asnjëherë deri tash nënkryetar për komunitete, në fillim mu duk mision i vështirë, por kryetarja që nga fillimi i mandatit ishte mjaft bashkëpunuese”, ka thënë ai.

Nënkryetari i sapo-zgjedhur i Graçanicës ka njoftuar se gjatë mandatit të tij do të punojë për prioritetet të cilat i ka paraqitur kur ka garuar për të zënë ulëse në asamble komunale e që ato janë asfaltimi, ndriçimi dhe trotuaret, të cilat paraqesin problem për fshatrat e populluara me komunitete jo-shumicë.

Linja e autobusëve Prishtinë-Kishnicë dhe shëndetësia janë dy çështje të tjera për të cilat synohet të punohet bashkërisht me komunën e Prishtinës.

“Planet e mia gjatë këtij mandati janë që të punoj dhe t’i përmbushi objektivat që bashkërisht me Aleancën tonë i kemi pasur prioritete. Edhe kryetarja ka shprehur gatishmëri që bashkërisht t’i realizojmë këto prioritete. Prioritetet tona si Aleancë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë asfaltimi, ndriçimi dhe trotuaret, të cilat mungojnë në fshatrat ku kemi komunitete jo-shumicë. Linja e autobusit Prishtinë-Kishnicë. Dhe shëndetësia, për të cilën duhet të punojmë bashkërisht edhe me Komunën e Prishtinës”, ka shtuar ai.

Komuniteti shqiptar përbën rreth 15 për qind të popullsisë së kësaj komune, andaj Ajeti thotë se bashkërisht me kryetaren e re do të punojë për mirëqenien e të gjithë qytetarëve pa dallim etnie dhe se do të marrin epilog edhe punët e mbetura nga mandate i kaluar.

“Komuniteti shqiptar përbën rreth 15 për qind të komunës, por për të qenë më të saktë këtë vit do të bëhet regjistrimi i popullsisë dhe do të kemi shifrën e saktë. Do ta shikoj po sa ta marr detyrën edhe zyrtarisht dhe së bashku me kryetaren e re dhe nëse ka nevojë edhe me nivelin qendror do t’i kryejmë edhe punët që kanë mbetur nga mandati i kaluar”, ka përfunduar ai.

Ajeti nga “Aleanca Shqiptare” fillimisht u zgjodh zëvendëskryesues i Kuvendit Komunal të Graçanicës. Aleanca Shqiptare në Graçanicë ka garuar në një listë të përbashkët në zgjedhjet e fundit lokale.

Në postin të cilin tashmë ka pranuar Ajeti, para tij ishte Sebastijan Sherifoviq nga komuniteti rom, i cili mbajti këtë mandate për katër vjet, nga 2013 deri më 2017.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button