Prindërit e nxënësve të fshatit Odër nga dje bojkotojnë mësimin, kërkojnë klasa më të ngrohta

Dje në mbarë vendin filloi gjysmëvjetori i dytë i shkollave fillore dhe të mesme, por jo edhe në shkollën fillore “Faik Konica” të fshatit Odër, Komuna e Tearcës. Kjo për arsyen se prindërit bojkotojnë mësimin pasi sipas tyre klasat janë të ftohta nga pamundësia e ngrohjes qendrore për të ngrohur klasat dhe dritareve të aluminit. Ata thonë se bojkoti do të zgjas deri sa autoritetet komunale nuk gjejnë zgjidhje alternative për këto probleme tani, dhe zgjidhje afatgjate kur të mbarojë viti shkollor. Nga Komuna e Tearcës thanë se kanë disa zgjidhje alternative në këtë moment, kurse gjatë pushimeve verore këto dy projekte janë prioritet për ta, shkruan Portalb.mk.

Në shkollën e fshatit Odër mësojnë rreth 130 nxënës dhe ajo është shkollë rajonale e cila funksionon nën shkollën e fshatit fqinj Dobrosht. Kryetari i këshillit të prindërve, Lavdrim Farizi tha se problemi me ngrohjen është shumëvjeçar pasi aty nuk është investuar me vite për rregullimin e të njëjtës, edhe pse ka pasur vazhdimisht kërkesa nga ana e tyre.

“Duhet komplet ndërrimi i dritareve, instalimi i ngrohjes, tualetet janë në gjendje katastrofale ku nuk ka as ngrohjeas ujë të ngrohtë që fëmijët ti kryejnë nevojat e tyre në kushte normale. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë përpos se këto tre muaj që është ftohtë kërkojmë një zgjidhje afatshkurtër që ambienti i shkollës të jetë i ngrohtë, pastaj pas përfundimit të vitit shkollor ne do insistojmë që dritaret të ndërrohen, sistemi i ngrohjes të jetë ai i duhuri edhe rregullimi i tualeteve dhe lyerja e shkollës. Bojkoti vazhdon që ne të arrijmë një alternativë me autoritetet që nxënësit në kohë pandemie mos të na sëmuren, gjithçka bëhet që nxënësit të kenë kushte të mira dhe mos kenë pasoja shëndetësore”, tha Farizi.

“Është ftohtë. Unë jam i mendimit që në atë klasë nuk kanë përse kthehen se vjen erë e keqe dhe ka myk. Fëmija im është sëmurë dy herë dhe ka marrë antibiotik kurse për së treti ka pasur inhalator, e ka përdorur një javë”, tha një banor i këtij fshati.

“Ftohtë është në shkollë me të drejtë. Por është dashur të kërkohet zgjidhje në formë tjetër prej më përpara e jo fëmijët përnjëherë të ndalen nga mësimi, pasi nuk është e drejtë ndaj tyre, ata e kanë vendin në shkollë. Nuk bëhet kjo sot për sot”, tha një banor tjetër.

Një nga mësimdhënësit në këtë shkollë tha se ky problem i ka shoqëruar ata për 20 vite ku palltoja gjatë dimrit nuk është hequr nga trupi.

“Problemi është me të drejtë, kërkesat që kërkojnë prindërit janë më se të pranueshme dhe presim një zgjidhje. Si nga ana e drejtorisë, ashtu edhe e prindërve kanë ardhur dy ekspertë të koftorëve/parnove dhe të dy janë deklaruar me të njëjtën ide, të njëjtin mendim e kanë  që në verë të fillohet  gjatë pushimeve sepse është diçka që nuk bëhet tash. Ne deri tani kemi kërkuar por gjithmonë ka rënë në vesh të shurdhër, çdo vit kemi kërkuar. Shpresojmë që këtë radhë të kemi ndihmën e komunës”, tha mësimdhënësi.

This slideshow requires JavaScript.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri tha se për to ky tani më është problem i njohur për të cilin janë në përpilim të zgjidhjes alternative.

“Këto janë dy projekte kapitale, si ndërrimi i dritareve ashtu edhe sistemi i ngrohjes. Në takimet tona me prindërit kemi debatuar për të gjetur një mënyrë alternative për të ngrohur ambientet për një situatë më të mirë për vetë nxënësit. Sa i përket Odrit, ne jemi të bindur që bashkërisht të koordinuar mirë, komunë, shkollë, ministri dhe çdo institucion tjetër për të kaluar këtë fazë kritike gjatë këtyre temperaturave të ulëta dimërore”, tha Neziri.

Ndërkaq i pyetur për atë se cilat janë alternativat për zgjidhje afatshkurtër për këtë problem kryetari i Komunës së Tearcës u përgjigj kështu:

“Për faktin që këto dy projekte janë madhore që udhët të realizohen në shkollën e Odrit për momentin janë të parealizueshme për shkak vijueshmërisë së procesit edukativo-arsimor, mendojmë se ka zgjidhje alternative, qoftë ajo me ndërrimin e orarit të mësimit të mos fillohet herët në mëngjes por të fillohet në orarin e drekës, që të lëshohen ngrohja më herët. Të mbahet mësimi me dy turne edhe duke shfrytëzuar objektin e shkollës qendrore në Dobrosht sepse atje janë kushtet pak më të mira, ose disa variante të tjera që gjithmonë ngarkojnë edhe buxhetin edhe pamundësinë në kohë. Pasi kushtet atmosferike nuk na lejojnë të zhvillohen punime brenda objektit.”

Ndërkaq për zgjidhe afatgjate, Neziri u deklarua kështu:

“Brenda përcaktimit tonë përcaktimit vjetor, të dy projektet janë vënë në prioritet që duhet ndërhyrë dhe urgjentisht deri në periudhën që mundësohen punimet gjatë pushimeve verore të realizohet që viti i ardhshëm akademik të mos na gjejë me të njëjtat probleme dhe ato për të cilat duhet sanuar të bëhen në momentin e duhur.”

Sonte në ora 19 prindërit dhe kryetari i Komunës do të realizojnë takim për të diskutuar alternativat e zgjidhjes së këtij problemi, ndërkaq në mesin e zgjidhjeve të cilat përmendi kryetari i Komunës është edhe ndjekja e mësimit në shkollën qendrore të fshatit Dobrosht, por për këtë kryetari i këshillit të prindërve dhe mësimdhënësi thanë se do të ishte ngarkesë më shumë që nxënësit të udhëtojnë.

Ndryshe, në këtë shkollë mësimin e ndjekin edhe nxënësit  e fshatit Orashë nga klasa e pestë deri në të nëntën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button