Analizë: Nxënësit dhe studentët në rajon preferojnë mësim të drejtpërdrejtë ose model të kombinuar

Pjesa më e madhe e të rinjve në rajon, mbi 70%, nuk dëshirojnë të vazhdojnë me mësimin online dhe konstatojnë se as ata dhe as profesorët nuk bëjnë përpjekje të mjaftueshme për mësim cilësor përmes internetit, që rezulton me nivel të ulët deri mesatar të njohurive të fituara dhe arsimim joadekuat. Këtë e tregon hulumtimi online i Institutit për qeverisje të mirë dhe perspektiva euro-atlantike (IDUEP) i realizuar në mesin e nxënësve dhe studentëve nga Maqedonia, Serbia dhe Shqipëria gjatë janarit të vitit 2022, transmeton Portalb.mk.

Një qëndrim që lë përshtypje dhe i përbashkët i të rinjve nga të tre vendet është fakti se më pak se një e treta e tyre janë për vazhdimin e mësimit online, ndërsa pjesa tjetër janë të përkushtuar ndaj mësimit me prezencë fizike ose një modeli të kombinuar hibrid. Vetëm 14,6% e të rinjve në Shqipëri duan të mësojnë online, ndërsa 44% janë për mësim me prezencë fizike dhe 41,4% kanë zgjedhur modelin e kombinuar. Në Maqedoni, 27% e nxënësve dhe studentëve të përfshirë në anketën online janë për modelin online, 41% duan të kthehen në banka, ndërsa 32% janë për një model të kombinuar të mësimit me prezencë fizike dhe online. 21% e të rinjve serb, nga ana tjetër, preferojnë të mësojnë online, 37% janë për mësim në shkolla, ndërsa 42% duan të kenë mundësi edhe për online edhe për mësim me prezencë fizike.

„Është fakt se pandemia Covid-19 i kapi të papërgatitura sistemet arsimore në vendet e rajonit. Por dy vjet më vonë, shifra të tilla tregojnë pa mëdyshje se ne nuk kemi ndryshuar shumë dhe as që kemi investuar mjaftueshëm në ndërtimin e besimit në teknologjitë e reja dhe metodat e të mësuarit. Edhe unë personalisht preferoj mësim dhe trajnime të drejtpërdrejta, por ju kujtoj se nëse nuk do të ishte teknologjia digjitale, shumë nxënës dhe studentë do të mbeteshin në një pandemi pa një vit të mbaruar dhe disa të rinj do të duhej të shtynin diplomimin ose magjistraturën për 1 – 2 vjet“, tha Bojan Kordalov, komunikolog dhe një nga autorët e kësaj analize.

Anketa tregon gjithashtu se të rinjtë në këto tre vende pothuajse dyfishuan kohën e kaluar në celular, tablet ose kompjuter gjatë pandemisë Covid-19. Nëse para kësaj, mesatarisht vetëm rreth 40% e të anketuarve kalonin në internet deri në tre ose më shumë orë në ditë, gjatë pandemisë, dy herë më shumë ose mbi 80% e të rinjve në këto vende ishin të lidhur në internet në një nga pajisjet në një periudhë prej mbi tre orë në ditë.

Opinionet janë të ndara për cilësinë e mësimit online, si dhe për gatishmërinë e mësuesve dhe pedagogëve për të dhënë mësim në kushtet e reja të mësimit në distancë të shkaktuar nga pandemia Covid-19. Mesatarisht, në të dyja kategoritë, një përqindje e madhe e të rinjve mendojnë se mësimi ka qenë i cilësisë së dobët dhe mësuesit ishin të papërgatitur, ndërsa notën më të lartë 5 e kanë dhënë pak më shumë se 20% e të anketuarve. Më të pakënaqur janë të rinjtë në Shqipëri ku mbi 40% kanë dhënë notë mesatare ose të ulët për mësuesit, ndërsa vetëm 10% mendojnë se kanë realizuar mirë mësimin online. Opinionet për këtë çështje janë më së shumti të ndara në Serbi dhe Maqedoni ku pothuajse 30% besojnë se mësimdhënësit nuk ishin të gatshëm për mësim online, ndërsa e njëjta përqindje prej 30% e të anketuarve i dhanë notën më të lartë stafit mësimdhënës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button