Osmani dhe Mariçiq në Paris: Kjo është një periudhë e rëndësishme për integrimin e vendit në BE

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq dhe ministri i Jashtëm Bujar Osmani do të takohen në Paris me Sekretarin e Shtetit për Çështje Evropiane, Klement Bon, raporton DW, transmeton Portalb.mk.

Dosja evropiane e Maqedonisë së Veriut në kuadër të Presidencës aktuale franceze në Këshillin të BE-së dhe shkëmbimin e pikëpamjeve për sfidat aktuale rajonale dhe globale do të jenë tema e diskutimit gjatë vizitës së sotme të punës në Paris, ku zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani do të takohen me Sekretarin e Shtetit për Çështje Evropiane, Klement Bon. Ata do të takohen gjithashtu me Isabelle Dumont, një këshilltare diplomatike e presidentit francez Emmanuel Macron, është paraparë edhe takim me senatorin Robert Badinter.

“Vizitën në Paris së bashku me ministrin e Jashtëm Osmani nuk e realizojmë rastësisht në fillim të udhëheqjes së presidencës franceze me Këshillin e BE-së”, tha Mariçiq.

“Kjo është një periudhë e rëndësishme për integrimin tonë evropian, veçanërisht duke pasur parasysh bisedimet intensive me Bullgarinë fqinje. Presim që Franca të rikonfirmojë përkushtimin e saj për zgjerimin e Unionit dhe që gjatë presidencës franceze, Maqedonia e Veriut të fillojë negociatat me BE-në, diçka që vendi ynë e ka merituar prej kohësh duke përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme. Bisedimet me këshilltaren e Macron dhe ministrin për Evropën do të fokusohen në prioritetet e Presidencës dhe përpjekjet e Francës për të ndihmuar në fillimin e negociatave të anëtarësimit, në mënyrë që të arrihet një hap real përpara në procesin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ne gjithashtu do të informojmë për bisedimet me Sofjen dhe qasjen e re që kemi filluar me pesë grupet e punës dhe intensitetin e shpeshtë të takimeve”, tha Mariçiq.

Pas takimeve të punës në Paris, ai dhe Osmani vazhdojnë për në Bruksel, ku së bashku me kryeministrin Kovaçevski do të kenë disa takime. Praktikisht kjo do të jetë vizita e parë zyrtare e Kovaçevskit në Bruksel. Delegacioni qeveritar që ai drejton do të takohet me kryetarin e Këshillit Evropian, me Presidentin e Komisionit Evropian dhe me kryetarin e Parlamentit Evropian, ndërsa Kovaçevski do të takohet edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s.

Kujtojmë se, Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në rezidencën “Bojana” në Sofje kanë mbajtur seancë të përbashkët, në të cilën, mes tjerash janë nënshkruajtur disa dokumenteve bilaterale. Në kuadër të kësaj, dy kryeministrat e vendit patën takim në katër sy. Kjo seancë e përbashkët vijon pas vizitës së Petkovit në Shkup më 22 janar. Kurse kryeministri i vendit ka takuar edhe presidentin Bullgar.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Dellçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button