Transparencë proaktive e institucioneve për përdorim më efikas të informacionit publik

Në vend mungojnë 536 zjarrfikës, ndërsa kemi 200 automjete zjarrfikëse, shumica e të cilave janë më të vjetra se 18 vjet. Kemi gjithsej 183 autoambulanca, prej të cilave 77% janë donacione. Këto të dhëna janë marrë nëpërmjet të drejtës për qasje në informacione publike dhe kjo u vu në pah gjatë debatit publik në temë “Përdorimi efektiv i së drejtës për qasje të lirë në informacione publike në procesin e forcimit të integritetit të institucioneve publike me theks të veçantë tek të rinjtë” që u organizua nga Agjencia për Mbrojtjen e së Drejtës për Qasje të Lirë në Informata Publike, transmeton Portalb.mk.

Në debat, të pranishmit theksuan se ka progres në ushtrimin e së drejtës për qasje të lirë në informacione publike, por që duhet të punohet edhe më tej në përmirësimin e këtij procesi. Transparenca proaktive e institucioneve është prioritet kryesor, ndërsa kur të arrihet kjo fazë, mund të konsiderohet se është bërë vërtet përparim cilësor.

Plamenka Bojçeva, drejtoreshë e Agjencisë, theksoi se e drejta për qasje të lirë në informata publike është e garantuar me Kushtetutë (neni 16, paragrafi 3) dhe qytetarët duhet ta shfrytëzojnë këtë të drejtë sa më shumë që të jetë e mundur.

“Transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve janë baza e zhvillimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Pavarësisht përmirësimit të kuadrit ligjor në këtë fushë, ne duhet të vazhdojmë të punojmë për ndërgjegjësimin, veçanërisht të strukturave drejtuese të institucioneve për të krijuar një kulturë në të cilën ata vetë do të publikojnë informacione me interes publik, pa pritur të pranojnë kërkesë për një gjë të tillë. Përveç kësaj, është me rëndësi që ta përmirësojmë procedurën dhe ta bëjmë efikase e të thjeshtë për të gjithë, veçanërisht për të rinjtë, gjë që është jashtëzakonisht e rëndësishme në këtë proces”, theksoi Bojçeva.

Rëndësinë e përmirësimit të procedurës dhe krijimit të vetëdijes më të lartë për përdorimin e të drejtave kushtetuese dhe ligjore e vuri në pah edhe Aleksandar Kashumov, ekspert kyç në projektin për qasje të lirë në informacione publike.

“Ligji i ri paraqet bazë të mirë për përmirësimin e mëtejshëm të procesit, informimin e publikut dhe efikasitet më të madh të institucioneve. Së bashku me Agjencinë jemi duke punuar në përgatitjen e doracakëve që duhet të kontribuojnë në shfrytëzimin më të madh të informacionit publik nëpërmjet një procedure të shpejtë dhe efikase”, theksoi Kashumov.

Dançe Bajdevska nga Fondacioni Shoqëri e Hapur, organizatë e cila mori pjesë në hartimin e Ligjit të ri për qasje të lirë në informacione publike, përkujtoi se përkundër progresit, duhet përmirësim i mëtejshëm, veçanërisht në segmentin e transparencës proaktive të institucioneve.

“Procesi po përparon dhe këtu nuk duhet të kemi dyshime. Vegla “buxheti i hapur” u krijua në kuadër të këtij procesi dhe po kontribuon për transparencë më të madhe të institucioneve. Por kjo nuk duhet të na kënaqë, duhet të punojmë edhe më tej, sepse kemi ende dobësi, sidomos në drejtim të përpunimit efikas të kërkesave. Kështu, për shembull, vitin e kaluar institucionet janë përgjigjur në 81 për qind nga 400 kërkesat që i kemi paraqitur, ndërsa vetëm 50 për qind e përgjigjeve ishin brenda afatit ligjor”, vuri në pah Bajdevska.

Qasja e lirë në informacione publike është e rëndësishme për të rinjtë dhe ata duhet ta përdorin këtë të drejtë sa më shumë që mundet, sepse kjo krijon më shumë kapacitete në vetë institucionet dhe e forcon integritetin e tyre.

“Niveli në të cilin tani është praktika e realizimit të qasjes lirë në informacione publike nuk është i lartë, por kemi përparim të madh nëse e krahasojmë situatën e 15 viteve më parë. Është bërë shumë, por të rinjtë duhet të kuptojnë se ky është proces i rëndësishëm, i cili mundëson jo vetëm llogaridhënie më të madhe, por edhe përgjegjësi më të madhe të institucioneve. U bëj thirrje institucioneve që në mënyrë proaktive të publikojnë informacionet e karakterit publik, në formë publike te të cilat qasja do të jetë e lehtë”, tha German Filkov, nga Qendra për Komunikim Civil.

Me ligjin e ri për qasje në informacione publike edhe financimi i partive politike, u bë e dhënë me interes publik që është në dispozicion publik. Prandaj po punohet në ngritjen e kapaciteteve njerëzore në parti dhe po bëhet edukimi i zyrtarëve të cilët janë emëruar në këtë fushë.

“Me këtë ligj financimi i partive politike ka marrë statusin e informacionit me interes publik, gjë që është jashtëzakonisht e rëndësishme për procesin demokratik. Por, që ky proces të zbatohet plotësisht, ne po punojmë me përfaqësuesit e partive në edukimin dhe krijimin e procedurave shtesë, duke ndjekur shembujt e demokracive të zhvilluara në këtë fushë, si Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe”, tha Marija Sazdevski nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI). .

Një sondazh i IRI-t, që u realizua vitin e kaluar, në të cilin morën pjesë përfaqësues të 20 partive parlamentare vihet në pah se 91 për qind e tyre kanë thanë se kishin emëruar zyrtar për të ushtruar të drejtën qasje të lirë në informacione publik, ndërsa 78 për qind kanë thanë se ai person ka qenë i punësuar në parti. Asnjë parti nuk ka i ndryshuar ende aktet e brendshme dhe nuk i ka miratuar procedurat për përcaktimin e procedurave që kanë të bëjnë me kërkesat për informacione publike.

“Institucionet nuk janë transparente sa duhet në segmentin e publikimit të informacioneve publike në fushën e mjedisit jetësor”, tha Aleksandra Karakashova Saçkarska nga Shoqata Aarhus, e cila është e fokusuar që të ketë dispozicion dhe mundësi më të madhe për qasje në informacione që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor.

Saçkarska njoftoi lidhur me memorandumin për bashkëpunim me Agjencinë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informata Publike dhe se në kuadër të këtij procesi do të monitorohen institucionet.

“Shteti viteve të fundit ka investuar 57,2 milionë euro në procesin e studimeve të disperzuara, ndërsa në vitin akademik 2013/2014 krahasuar me vitin akademik 2016/2017 numri i nxënësve të shkollave të mesme është ulur për 17,5 për qind. Këto të dhëna merren ma anë të drejtës për qasje të lirë në informacione publike dhe tregojnë qartë se sa informacione të rëndësishme mund të merret nëpërmjet të këtij procesi, prandaj është me rëndësi që të rinjtë të informohen dhe ta përdorin në mënyrë aktive këtë të drejtë, sepse vetëm kështu të gjithë së bashku do të kontribuojmë në përmirësimin e situatës në këtë drejtim, gjë që është shumë e rëndësishme për shoqërinë”, theksoi Misha Dokmanoviq, profesor i Fakultetit Juridik, i cili është gjithashtu pjesë e organizatës ISIE.

Petar Barllakovski, kryetar i Forumit Rinor Arsimor, vuri në dukje se pavarësisht përparimit që është shënuar, institucionet ende po e vështirësojnë procesin e marrjes së informacioneve publike, duke krijuar një labirint burokratik dhe duke e hedhur përgjegjësinë nga një institucion në tjetër.

Vllado Georgiev, anëtar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, theksoi se Ligji për qasje të lirë në informacione publike është vegël jashtëzakonisht e rëndësishme kundër korrupsionit dhe zbatimi i tij është i rëndësishëm në drejtim të luftimit të korrupsionit dhe forcimit të integritetit të institucioneve.

Ndërgjegjësimi i publikut për rëndësinë e forcimit të integritetit të institucioneve dhe ushtrimi i së drejtës për qasje të lirë në informacione publik në luftën kundër korrupsionit janë ndër objektivat kryesore të fushatës së integritetit të zhvilluar nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) dhe Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informata Publike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button