SHBA-ja, kosovarët dhe amerikanët së bashku përkrah Ukrainës

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Jeff Hovenier, ka thënë se interesat e sigurisë të Evropës dhe të vendit të tij, sot janë të rrezikuara nga Rusia, raporton Koha.net, transmeton Portalb.mk.

Përmes një adresimi, ambasadori Hovenier, ka thënë se Rusia po kërcënon vlerat demokratike.

E në mbrojtje të këtyre vlerave, Hovenier ka shkruar se Kosova qëndron përkrah Ukrainës në këto ditë kur po rrezikohet të pushtohet nga Rusia.

“Kërcënimi i Rusisë ndaj Ukrainës është kërcënim ndaj vlerave demokratike kudo. Amerikanët dhe kosovarët duhet të qëndrojnë së bashku me Ukrainën për të siguruar një Evropë të lirë dhe të qëndrueshme, e cila është në interesin më të mirë të popujve të demokracive, qofshin ata amerikanë, kosovarë apo të tjerë anembanë globit”, ka thënë Hovenier, thuhet në komunikatën e postuar në uebfaqen e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Ai tha se SHBA-ja dhe Kosova janë të përkushtuara për të mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

”Së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, ne do ta ndihmojmë Ukrainën në përpjekjet e saj për tu mbrojtur nga agresioni i mëtejmë rus”, ka deklaruar ambasadori Hovenier.

Do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e Ukrainës për avancimin e reformave demokratike dhe kundër korrupsionit dhe rikthimin dhe sigurimin e kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. Interesat e sigurisë të Evropës dhe të ShBA-së janë në rrezik, synimet tona janë të thjeshta. Qëndrojmë me aleatët dhe partnerët tanë në mbështetje të kohezionit evropian, për të fuqizuar marrëdhëniet transatlantike dhe për të forcuar shtetet dhe institucionet demokratike. E bëjmë këtë për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të qytetarëve të Kosovës”,ka thënë Hovenier.

Sipas Hovenierit, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po e fajëson Ukrainën në mënyrë të pasinqertë “për agresionin e paprovokuar të Rusisë”.

“Por, për nga natyra, qëndrimi ushtarak i Ukrainës dhe i aleancës së NATO-s gjithmonë ka qenë vetëm mbrojtës. Për dallim nga Rusia, Ukraina ka respektuar zotimet e saj në përputhje me marrëveshjet e Minskut, të arritur ndërmjet Rusisë, Ukrainës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që synonin për të siguruar armëpushim në Donbas” thuhet tutje.

Sipas tij, Putini frikësohet se vlerat demokratike dhe ushtrimi i të drejtave themelore të njeriut do të vazhdojnë të gërryejnë kontrollin e pushtetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button