Shkolla në Reçicë të Vogël nuk u hap as edhe këtë gjysmëvjetor, komuna premton hapjen në gjysmëvjetorin tjetër

Sot në vend filloi gjysmëvjetori i dytë për shkollat fillore dhe të mesme, por shkolla e re në “Reçicë të Vogël, “Naim Frashëri” nuk u hap për nxënësit as edhe këtë gjysmëvjetor, ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) thotë se Komuna duhet të organizojë mësimin brenda shkollës, ndërsa nga kjo e fundit thanë se në vitin e ardhshëm shkollor ajo do të jetë gati dhe do të hapet ndërsa edhe këtë vit do të funksionojë nën shkollën qendrore “Naim Frashëri”, shkruan Portalb.mk.

Ndonëse shkolla shumë e pritur, premtuar dhe e stërdiskutuar në Reçicë të Vogël u përfundua në muajin shtator, dhe u hap në mënyrë simbolike vetëm për klasën e parë që filloi me 1 shtator të vitit që e lamë pas, ende nuk është bërë hapja zyrtare e shkollës dhe bartja e nxënësve nga shkollat tjera.

Ministria e Arsimit për Portalb.mk tha se kanë përfunduar me ndërtimin e këtij objekti dhe ia kanë dorëzuar shkollës me pranim teknik me 7 shtator të vitit të kaluar.

“Janë dorëzuar bankat dhe karriget nga klasa e parë deri në të nëntën, si dhe u prokuruan tabela të bardha interaktive. Për çdo pyetje rreth organizimit të mësimit brenda shkollës është e nevojshme të kontaktoni drejtorinë e shkollës dhe komunën”, thanë nga MASH.

Nga ana tjetër, nga Komuna e Tetovës thanë se në vitin e ardhshëm shkollor që vjen do të bëhet hapja e shkollës.

“Objekti i ri i shkollës fillore komunale “Naim Frashëri” është i gatshëm dhe Ministria e Arsimit e ka furnizuar me pajisjet e nevojshme siç janë banka, karrige, dërrasa të zeza për nxënësit. Besoj se brenda këtij gjysmëvjetori të dytë  ju them dhe shumë shpejtë që në këtë objekt do të fillojnë të mësojnë edhe nxënës ku ne si Komunë do të bëjmë edhe rajonizimin dhe ndarjen e nxënësve që do të transferohen në objektin e ri”, tha Nazmi Dauti, nga sektori për arsim në Komunën e Tetovës.

⁠Shkolla e sapo ndërtuar ka hapësirë prej 3,500 metër katror dhe i tërë projekti ka kushtuar rreth 1,4 milion euro. Kapaciteti i shkollës është për 560 nxënës në dy ndërrime, domethënë  280 nxënës për një ndërrim.

Ndryshe, kjo shkollë u ndërtua pas 9 viteve premtime parazgjedhore. Portalb.mk ka ndjekur dhe do të vazhdoje të ndjekë dinamikën e punimeve për ndërtimin e kësaj shkolle, për shkak se njëjta është një nevojë e madhe për të rinjtë e këtij vendi, në këtë vendbanim rreth 1000 nxënës i ndjekin mësimet disa kilometra larg shtëpive të tyre, një pjesë në Reçicën e Madhe dhe pjesa tjetër në shkollën “Naim Frashëri” në Tetovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button