Kovidi nuk është lojë, e as plan për depopullim

Nuk është e vërtetë që Kovidi është një plan për depopullim, por është një pandemi e shkaktuar nga koronavirusi me të cilin po përballet e gjithë bota. Pandemia, edhe pse ka marrë jetën e shumë njerëzve të të gjitha moshave në mbarë botën, nuk ka arritur të zvogëlojë popullsinë e botës, e cila nga viti në vit vazhdon të rritet. Në vitin 2021, një vit pas fillimit të pandemisë së koronavirusit, sipas WorldMathers, numri i popullsisë në botë ka qenë më i lartë se në vitin 2019. Në vitin 2021 në botë ka pasur 7.9 miliardë njerëz, krahasuar me 7.7 miliardë në vitin 2019, shkruan Vërtetëmatësi.

Рo recenzojmë një postim në Facebook në të cilin pretendohet se Kovidi është një plan për depopullimin e botës. Kjo teori konspirative është nga më aktualet që nga fillimi i pandemisë e që vazhdon të jetë e tillë edhe gjatë fushatës së vaksinimit, me qëllim që të dezinformojë qytetarët dhe t’i bindë ato të mos vaksinohen. Pas gjithë historisë së depopullimit të supozuar qëndron tregimi se forcat dhe elitat e fshehta, përmes Kovid-19, po përpiqen të reduktojnë popullsinë e botës.

Game over. Kovid plani për depopullim, shkruan në postimin që po e recenzojmë.

Megjithatë, Kovid-19 është një sëmundje e shkaktuar nga koronavirusi e jo një plan për depopullim. Virusi u identifikua nga autoritetet kineze në 7 janar të vitit 2020,  pas çka u bë edhe izolimi i materialit të tij gjenetik. Edhe OBSH me këtë kumtesë konfirmon se virusi është izoluar në 7 janar.

Kombet e bashkuara në një publikim të vitit 2019  theksojnë se popullsia në botë vazhdon të rritet me një hap të ngadaltë.

Popullsia e botës vazhdon të rritet, megjithëse me një ritëm më të ngadaltë se në vitin 1950 për shkak të rënies të natalitetit. Në vitin 2019 në botë ka pasur 7.7 miliardë njerëz dhe deri në vitin 2030 vlerësohet se numri do të rritet në 8.5 miliardë, deri në vitin 2050 do të rritet në 9.7 miliardë dhe 10.9 miliardë deri në vitin 2100, thuhet në raportin në faqen nr.1.

Në vitin 2021, një vit pas fillimit të pandemisë së koronavirusit, sipas WorldMathers, numri i popullsisë në botë ka qenë më i lartë se në vitin 2019. Në vitin 2021 në botë ka pasur 7.9 miliardë njerëz, krahasuar me 7,7 miliardë në vitin 2019. Nga kjo del se plani për depopullim me ndihmën e Kovid-19 edhe sikur të ekzistonte, nuk jep rezultate. Fakt është që nuk ekziston një plan i tillë. Bota po përballet me një krizë të madhe për shkak të shfaqjes së virusit i cili i ka goditur qytetarët, ekonomitë dhe shtetet në mbarë botën.

Pse ndodhin pandemitë?

Sipas aleancës globale të vaksinimit GAVI, edhe krahas teknikave të avancuara në mjekësi dhe shkencë, potenciali për përhapjen e sëmundjes sot në fakt është më i lartë dhe kështu edhe rreziku i përshkallëzimit të sëmundjes nga epidemi në pandemi. Globalizimi dhe lëvizshmëria masive do të thotë që sëmundjet mund të udhëtojnë nga një skaj i botës në tjetrin. Sipas GAVI, ekziston një rrezik më i lartë për shfaqjen e pandemisë sepse njerëzit udhëtojnë më shumë se në të kaluarën, gjithashtu për shkak të globalizimit, ndryshimeve klimatike, kontakteve më të shumta njeri-kafshë dhe për shkak të numrit më të vogël të profesionistëve shëndetësorë. Për këtë temë më shumë mund të lexoni këtu. 

Nga Kovid-19 deri më tani në mbarë botën kanë vdekur 5.61 milionë njerëz. Megjithatë, vaksinimi parandalon që ky numër të jetë edhe më i lartë, pasi zvogëlon shkallën e vdekshmërisë në krahasim me atë që mund të ishte nëse nuk do të kishte vaksinë. Nëse dikush do të donte të bënte depopullimin e botës, atëherë nuk do të bëhej asnjë përpjekje globale për të zhvilluar vaksina, aq më pak në një kohë kaq të shkurtër, dhe për t’u shpërndarë ato gjerësisht në mbarë botën në një përpjekje për të ndaluar vdekjet nga pandemia. Sipas  NBC NEWS, deri më tani vaksinat kanë parandaluar një çerek milioni vdekje. Qendra Evropiane për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve raporton se në më pak se një vit  vaksinimi ka shpëtuar gati gjysmë milioni jetë.

Të gjitha këto fakte shkojnë në favor të asaj se përfundimi fatal i sëmundjes Kovid-19, i cili është i paparashikueshëm dhe deri më tani është dëshmuar se ndikon tek njerëzit në mënyra të ndryshme, veçanërisht tek të moshuarit dhe ata me sëmundje shoqëruese, por ka prekur edhe të rinj dhe pa ndonjë sëmundje shoqëruese, me vaksinimin zvogëlohet. Domethënë, institucionet shëndetësore, organet relevante mjekësore, Organizata Botërore e Shëndetësisë, qeveritë punojnë bashkë për t’i vënë vaksinat në dispozicion të qytetarëve, për ta shpëtuar jetën e tyre dhe për ta ruajtur shëndetin publik. Këto tentativa nuk sugjerojnë një plan për depopullim, por një plan për vaksinim dhe mbrojtje të jetës së njeriut, pra zvogëlimin e pasojave të pandemisë që ka prekur të gjithë botën. Të pabesueshme dhe të pavërtetuara janë pohimet se ka elita botërore, qeveri në hije, që me ndihmën e Kovidit po përpiqen ta pakësojnë numrin e njerëzve të gjallë në planet. Kjo nuk është e mundur.

Edhe jetëgjatësia e njerëzve tani është më e gjatë. Kombet e bashkuara vlerësojnë se jetëgjatësia mesatare në botë është 72,6 vjet. Sa për krahasim, në botën e varfër paramoderne jetëgjatësia ka qenë 30 vjet. Në atë kohë nuk ka pasur as vaksina, e as mjekësi.

Për shkak të të gjitha fakteve të lartpërmendura vlerësojmë që nuk është e vërtetëKovidi është një plan për depopullim, por është një pandemi e shkaktuar nga koronavirusi me të cilin po përballet e gjithë bota. Pandemia, edhe se ka marrë jetën e shumë njerëzve të të gjitha moshave në mbarë botën, nuk ka arritur të zvogëlojë popullsinë e botës, e cila nga viti në vit vazhdon të rritet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button