Kumanovë, takim mes Dimitrievskit dhe ambasadorit David Geer, temë kryesore ekologjia dhe rinia

Kryetari i Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski, shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, ambasadori David Geer dhe shefi për bashkëpunim në delegacionin e BE-së, Stephen Hudolin, sot kanë pasur një takim pune për të diskutuar për çështje të rëndësishme nga disa sfera siç janë: mbrojtja e mjedisit, masat e duhura kundër ndotjes së ajrit, funksionimi i deponisë rajonale, bashkëpunimi i vazhdueshëm me të rinjtë dhe të tjera, raporton Portalb.mk.

Ata vizituan edhe qendrën multifunksionale në Hotel “Solun”, ku iu bashkuan ambasadorët e rinj evropianë nga Kumanova, Albërie Xhemaili dhe Damjan Zlatanovski. Procesi i transformimit të hotelit “Solun” është realizuar me mbështetje financiare nga BE-ja, në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet komunave të Kumanovës dhe Dupnicës, me qëllim të ruajtjes së origjinalitetit të trashëgimisë kulturore të Kumanovës.

Në konferencën e përbashkët për media, kryetari Dimitrievski theksoi se BE-ja është partner i madh i komunës së Kumanovës dhe është një nga donatorët më të mëdhenj në historinë e këtij qyteti.

“Kemi biseduar për projektin për zgjidhjen e problemit të trajtimit të ndotjes së ajrit dhe gjtihashtu për projektin vjetor për zgjidhjen e përhershme të mbeturinave, që është problem serioz në qytet. Ky është një projekt i zbatuar nga rajoni Lindor dhe Verilindor, qëllimi final i të cilit është mbyllja e deponisë së qytetit në Krastë dhe ndërtimi i një fabrike të re për përpunimin e mbeturinave në këto dy rajone në komunën e Sveti Nikollës, ku komuna e Kumanovës është një nga pjesëmarrësit më të mëdhenj në projekt, dhe i gjithë projekti është një grant i BE-së. Po ashtu kemi folur edhe për ndërtimin e kanalizimit atmosferik në një nga lokacionet në qytet dhe mbulimi i tregut në një lokacion të ri në qytet”, theksoi Dimitrievski.

Ambasadori Geer informoi se në takim ka pasur një diskutim të gjerë dhe janë trajtuar shumë çështje.

“Investimi më i madh këtu është investimi në sistemin e menaxhimit të mbeturinave për rajonin Verilindor dhe Lindor. Kur të zbatohet, kjo do të sjellë me të vërtetë një përmirësim të madh për qytetarët e këtij rajoni dhe do ta vendosë vetë rajonin në krye të menaxhimit të mbeturinave. Por, siç tha kryetari komunës, është një projekt kompleks që përfshin një numër të madh të palëve të interesuara dhe duhen të bëhen shumë gjëra deri në realizim, por në këtë moment duhet të fillojmë me të vërtetë të punojmë më shpejtë”, tha Gere.

Geer tha se ata diskutuan aspekte të ndryshme se si të bëhet qyteti më gjelbër, për ta bërë qytetin më ekologjik dhe të pastër, dhe të përmirësohen kushtet e jetesës.

“Më erdhi mirë që folëm për të gjitha mënyrat në të cilat BE-ja mund të ndihmojë në këtë proces, veçanërisht kur bëhet fjalë për sistemet në kopshte dhe shkolla fillore, pra ato sisteme që do të ndihmojnë në uljen e ndotjes së ajrit. Ne folëm edhe për mënyra të tjera që mund të ndihmojmë që të arrijmë ky qytet të bëhet lider për sa i përket çështjeve mjedisore. Folëm edhe për lidhjet, hap i mirë në atë drejtim është krijimi i autostradës Kumanovë-Straçin, folëm edhe për dixhitalizimin dhe përfitimet e tij. Ne folëm për të rinjtë, ky vit është viti evropian i të rinjve, folëm për mënyrat se si mund t’i vëmë të rinjtë në fokus këtu, si mund t’i angazhojmë ata këtu,” tha Geer.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button