Tetovë, u dogjën katër shtëpi

Të paktën katër shtëpi në lagjen “Kolltuk” të Tetovës u përfshinë në zjarr sonte gjatë orës 19, por zjarri arriti të lokalizohet nga zjarrfikësit dhe nuk pati viktima, dëmet ishin vetëm materiale, transmeton Portalb.mk.

Sipas banorëve të kësaj lagjeje, zjarrfikësit arritën në kohë dhe intervenuan menjëherë, pasi siç thonë ato zjarri rrezikonte të përhapej edhe në shtëpitë tjera.

Komandanti i Njësisë Territoriale kundër zjarrit Tetovë, Uka Aliti në një deklaratë për TV21 u shpreh se sonte nga ora 19 e diçka qytetarët lajmëruan për zjarrin ku ata menjëherë dolën në terren.

“Morëm masa të menjëhershme dhe dolëm me katër makina dhe 15 zjarrfikës në vendngjarje. Bëmë maksimumin për ta fut nën kontrollin tonë zjarrin dhe pastaj për ta lokalizuar. Fatmirësisht në këtë fatkeqësi të lënduar nuk kemi apo viktima, ka vetëm dëm material. Zjarri për momentin tërësisht është lokalizuar por duhet të jemi këtu që mos paraqitet prapë ndonjë flakë zjarri dhe të kaplojë shtëpitë tjera”, tha Aliti.

Në vendngjarje u shfaq edhe kryetari i Komunës së Tetovës i cili tha se Komuna do të përkujdeset për familjet të cilave ju dogjën shtëpitë në këtë natë dimri.

“Ne do të përkujdesemi që gjithë ata që janë të dëmtuar nga ky rast, të shohim si të gjendemi pranë tyre dhe se si ti sistemojmë në kushtet në të cilat gjenden”, tha Kasami.

Për momentin kjo lagje dhe një pjesë e madhe e Tetovës nuk kanë rrymë si rezultat i zjarrit.

Shkaqet e e zjarrit nuk dihen ende.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button