fbpx

Debati për Kodrën e Diellit i organizuar nga Komuna, nuk u shfaqën dy prej ministrave me rol kyç për ardhmërinë e kësaj qendre (VIDEO)

Qytetarë, aktivistë, dhe dashamirë të Kodrës së Diellit u mblodhën dje dhe diskutuan problemet e kësaj të fundit në debatin publik të organizuar nga Komuna e Tetovës. Por, në këtë debat nuk u shfaqën dy prej ministrave roli i të cilëve është shumë i rëndësishëm për sa i përket rikthimit të shkëlqimit të atraksionit turistik “Kodra e Diellit”, shkruan Portalb.mk.

Punë dhe jo fjalë, plan urbanistik, plan afatgjatë, parkingje, menaxhim efikas i mbeturinave, shërbime publike, teleferik, kanalizim, ndërmarrje publike komunale për turizëm, investime, borë artificiale, jo interesa personale, zero tolerancë për ndërtime pa leje, koordinim midis pushtetit lokal dhe atij qendror, zyrë turizmi në komunë, formim i grupit koordinues mes autoriteteve, turizëm dhe jo banim, infrastrukturë rrugore e mirë, ndriçim publik dhe të tjera… Ishin këto kërkesat e qytetarëve drejtuar autoriteteve që t’i ndërmarrin sa më shpejtë që Kodra e Diellit të rikthehet përsëri si qendër turistike lider në rajon dhe më gjërë.

Për pikat e lartpërmendura nevojitet bashkëpunim i ngushtë institucional midis pushtetit lokal dhe atij qendror dhe kjo u theksua edhe gjatë debatit. Ndërkaq, edhe pse të thirrur, munguan ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe ai i Mjedisit, Naser Nuredini. Kurse drejtori i Elem Tursit, Adem Avziu në kohën kur qytetarët u mblodhën për të diskutuar, ai ishte në takim te zëvendëskryeministri Artan Grubi, për të diskutuar për temën e njëjtë, kurse zëvendësi i tij ishte në debat.

Nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH)  për Portalb.mk thanë se ftesa ka ardhur me vonesë, pa njoftim paraprak dhe sqarim për qëllimin e debatit.

“Ministri kishte obligime tjera të planifikuara prej më parë. Ministri dhe MMJPH janë të hapura për bashkëpunim dhe diskutim”, thanë nga MMJPH.

Nga Ministria e Ekonomisë nuk morëm përgjigje se pse ministri nuk u paraqit në këtë takim, ndërsa rikujtojmë atë që ministri Bekteshi tha me 8 dhjetor:

“I bëj thirrje kryetarit aktual të Komunës së Tetovës zotri Kasamit që të thellojë bashkëpunimi me institucionet qendrore me të vetmin qëllim që të realizojmë projekte që janë në interes të qytetarëve, por pse jo me investime të tilla të thithim edhe investime të huaja.”

Kryetari i Komunës të Tetovës, tha se duhet bashkëpunim me institucionet qendrore, të lënë anash pikëpamjet politike dhe të ulen të punojnë, të vendoset Kodra e Diellit si prioritet.

“Me koordinim ndërinstitucional ne mund të bëjmë shumë punë të mira, pasi këto do sjellin vetë investitorët, sepse në këtë gjendje edhe investitorët ikin. Kodra e Diellit duhet të jetë prioritet para pikëpamjeve politike. Ne si pushtet lokal duam të tregojmë gatishmërinë tonë dhe interesim te ne që me gjithë institucionet e nivelit qendror të ulemi seriozisht të bashkëpunojmë dhe nga fjalët të kalojmë në vepra dhe njëherë e përgjithmonë Kodra e Diellit të jetë një qendër atraktive turistike. Përkushtimi jonë është që atë që e kemi si përgjegjësi sa i përket përpilimit të planit detal urbanistik që gjatë vitit 2022 përfundimisht të kemi një plan të miratuar urban për Kodrën e Diellit, ku do ndërpriten ndërtimet pa leje”, tha Bilall Kasami.

Kodra e Diellit, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Kodra e Diellit, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Si opsion që do të zgjidhte kaosin në trafik dhe të tjera sipas qytetarëve është Teleferiku Tetovë-Kodër e Diellit, që u theksua në veçanti gjatë debatit ku institucionet të zgjidhin sa më shpejtë këtë çështje.

“Theks i veçantë dhe kryesor për ne ka teleferiku Tetovë-Kodra e Diellit dhe lusim që institucionet mes vete të krijojnë një harmoni pune dhe deri ku u takon çështjet, si për shembull nëse i takon “Elem Turs-it”, t’i hap derën dhe për komunën e Tetovës edhe aty ku i takon komunës Tetovës të hap derën edhe për institucionet. Të mos ketë bllokim të punëve. Kërkojmë punë konkrete”, tha Burim Islami, nga “Kodra Free Riders”.

Hamdi Sulemani, nga “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit” dhe këshilltar komunal tha se komuna veç se është e interesuar dhe ka kërkuar zgjidhje për këtë.

“Nga informatat e para që i kemi ofertat janë nga 16 deri në 20 milionë ku janë paraparë aty dhe sa vendparkime do të duhen poshtë në zonën ku fillon teleferiku “Liseci” dhe më tej. Kam informatë nga kryetari i Komunës se ka bërë kërkesë në tre kompani botërore ku ka dërguar letër interesimi, ku ata do duhet të japin përgjigje”, tha Sulemani.

Kryetari i Komunës tha se institucioni kryesor sa i përket planifikimit hapësinor është komuna, ingerencat i ka komuna, por ka edhe përgjegjësi me institucionet tjera.

“Njëherësh jemi të interesuar që të punojmë afër me të gjitha institucionet që Kodra e Diellit të jetë qendër e zhvilluar, bazuar në një plan sa i përket edhe aspektit urban të planifikimit hapësinor por edhe aspektit të zhvillimit të investimeve që duhet të bëhen. Ne si pushtet lokal kemi përgjegjësitë dhe ingerencat tona por përgjegjësitë janë të lidhura edhe me pushtetin qendror”, tha Kasami.

Ndërkaq për sa i përket garazhit në kate duhet të miratohet plani detal urbanistik i cili sipas asaj që tha Kasami do miratohet këtë vit, dhe pastaj do krijohet mundësia për parkingje në kate. Ndër të tjera ai tha se mundësi të cilën do e vendosin në dispozicion është edhe lëshimi i linjës së autobusit Tetovë –Kodra e Diellit, ndërsa tha se ka mundësi që të hapet ndonjë rrugë e re brenda Kodrës që të lehtësojë qarkullimin.

Ndryshe, procedura për ndarjen e “ELEM Turs” nga  Elektranat e RMV-së  ende nuk ka përfunduar. Drejtori i Elemit, Avziu tha tha se janë procedura administrative të cilat nuk mund të precizohen kur do mbarojë pasi duhet të kalojnë në disa institucione.

Vazhdon të mbetet e paqartë për qytetarët se kush do jetë investitori i cili do e merr me koncesion menaxhimin e Kodrës së Diellit, sepse për këtë nuk ka informata të detajuara nga Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë. Ministria e Ekonomisë thotë se procedurat për arritjen e marrëveshjes përfundimtare juridike për Kodrën e Diellit në vlerë prej 50 plus 50 milionë euro janë në fazën përfundimtare, por nuk jep detaje për investitorin pasi sipas tyre ky është investim strategjik dhe kjo është në interes të procedurës. Ata presin që me investime të tilla të rritet oferta turistike në RMV dhe në këtë mënyrë Kodrës së Diellit t’i rikthehet shkëlqimi që meriton.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button