Intervistë me Bardhyl Jasharin, drejtor ekzekutiv i “Metamorfozis”, për të dhënat personale dhe privatësinë në internet

Më poshtë e gjeni intervistën e drejtorit ekzekutiv të “Metamorfozis”, Bardhyl Jasharit për Akademik.mk.

“Metamorfozis” është organizatë joqeveritare e cila tash e 15 vite punon, ndër të tjera, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në internet dhe edukimin e qytetarëve për të drejtat e tyre në internet. Cilat janë njohuritë tuaja, a ka rritje pozitive në njohjen e të drejtave të internetit tek qytetarët?

Fondacioni “Metamorfozis” merret me sfidat që kanë të bëjnë me drejtat digjitale qysh nga themelimi në vitin 2004. Pasi misioni ynë si organizatë është të rrisim cilësinë e jetës nëpërmjet përdorimit të teknologjive digjitale, edhe atëherë sikurse edhe tani, fokusi ynë është në mbrojtjen dhe promovimin e privatësisë në internet dhe lirisë së shprehjes. Besojmë se përdorimi, por edhe përfitimet nga interneti dhe teknologjitë e tjera digjitale do të rriten nëse përdoruesit e internetit ndihen të lirë dhe të sigurt dhe nëse janë të sigurt se të dhënat e tyre personale nuk do të keqpërdoren.

Prej atëherë kanë ndryshuar shumë gjëra. Së pari, numri i përdoruesve të internetit është rritur në mënyrë drastike, më pas është rritur përmbajtja që është në dispozicion në internet, është rritur edhe numri i shërbimeve që janë në dispozicion nëpërmjet internetit, për të cilat shpesh duhet të shënojmë të dhënat tona personale, kështu që normalisht janë rritur edhe sfidat. Si në botë ashtu edhe në vendin tonë ka pasur probleme të ndryshme lidhur me keqpërdorimin e të dhënave personale. Kjo, nga njëra anë, ka kontribuar që përdoruesit të jenë të kujdesshëm dhe të vetëdijshëm për sfidat që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, por mbi të gjitha në aspektin e privatësisë. Filluan të edukohen vetë, por edhe të kërkojnë mundësi edukimi e njëkohësisht të kërkojnë përgjegjësi nga kompanitë që ofrojnë shërbime digjitale si dhe nga shteti. Nga ana tjetër, shtetet filluan t’i harmonizojnë ligjet dhe të miratojnë ligje e politika të reja, me qëllim të sigurimit të mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve. “Metamorfozis” që në fillim, në bashkëpunim me OJQ të tjera, punon me qytetarët nëpërmjet trajnimeve dhe fushatave në ngritjen e njohurive dhe ndërgjegjësimit të publikut për privatësinë. Në të njëjtën kohë, ne bashkëpunojmë me kompanitë që ofrojnë shërbime digjitale, por edhe me institucionet përkatëse shtetërore që janë përgjegjëse për mbrojtjen e të dhënave personale, për të kontribuar në krijimin e një kuadri ligjor dhe një ekosistemi digjital në përgjithësi, në të cilin qytetarët do të ndihen të lirë, kompetentë dhe të sigurt për të përdorur teknologjitë digjitale dhe për të shijuar përfitimet e transformimit digjital të shoqërisë sonë që është i pashmangshëm. Sot ndërgjegjësimi dhe njohuritë për sfidat që lidhen me privatësinë, por edhe me të drejtat e tjera në internet janë rritur, kurse me zhvillimin e teknologjisë sigurisht edhe sfidat ndryshojnë, kështu që të gjithë ne vazhdimisht duhet të monitorojmë, të edukohemi dhe reagojmë kur nevojitet, në mënyrë që integriteti njerëzor dhe të drejtat e njeriut të mbeten në thelbin e transformimit digjital.

Para pak kohësh keni nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale – një iniciativë e shkëlqyeshme e një organizate qeveritare dhe një organizate joqeveritare që kanë një qëllim të përbashkët – edukimin për shkrim-lexim të qytetarëve për mbrojtjen e të dhënave të tyre personale. Çfarë aktivitetesh planifikoni për këtë qëllim?

Në shkurt të vitit 2020 në Maqedoni u miratua Ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave personale, i cili është plotësisht i harmonizuar me Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për mbrojtjen e të dhënave (GDPR). Ligji i ri ka hyrë në fuqi më 24 gusht 2021. Sipas këtij ligji, të gjitha subjektet juridike në vendin tonë duhet të harmonizojnë procedurat dhe politikat e tyre të brendshme me ligjin e ri, kurse projekti të cilin po e zbaton “Metamorfozis”, i mbështetur nga i ashtuquajturi Instrumenti i BE-së për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut, do të ndihmojë në zbatimin e këtyre masave për organizatat e shoqërisë civile, institucionet shtetërore dhe sektorin e biznesit. Rregullorja e re u jep qytetarëve më shumë fuqi duke i rritur të drejtat e tyre për të kontrolluar përpunimin e të dhënave të tyre. Projekti synon që këto përfitime dhe privilegje t’i bëjë më të afërta dhe më të dukshme për qytetarët. Së bashku me Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale do të punojmë në edukimin e qytetarëve për të drejtat e tyre për privatësi që dalin nga ligji i ri, kurse njëkohësisht do të punojmë së bashku në ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave në institucionet shtetërore – që të zhvillojnë dhe zbatojnë standarde me të cilat do të sigurojnë mbrojtje efektive të të drejtave për privatësi të qytetarëve në internet – veçanërisht kur përdorin shërbimet elektronike.

Ma anë të projektit do të organizohen edhe trajnime për OJQ të tjera që të përfshihen në mbrojtje të privatësisë në internet dhe për të shprehur me kompetencë shqetësimet e tyre për privatësinë dhe aplikimin e inteligjencës artificiale për të gjithë aktorët përkatës: qeverinë, bizneset, etj.

Ju keni shumë kontakte dhe bashkëpunime me organizata të ndryshme nga shumë vende të botës. Nëse do të krahasonim nivelin e mbrojtjes së të drejtave në internet, ku do ta poziciononim Maqedoninë në raport me vendet e tjera në botë?

Me internetin dhe globalizimin, sfidat në Maqedoni dhe në botë janë të ngjashme dhe të përbashkëta, por dallimi i rëndësishëm qëndron në kapacitetin e institucioneve për t’u përballur në mënyrë efektive me sfidat dhe pasojat e transformimit digjital në të drejtat e njeriut dhe veçanërisht angazhimin e palëve të interesuara për t’i zgjidhur ato. Shumica e institucioneve në vendin tonë nuk i kanë burimet, kapacitetet dhe njohuritë e nevojshme për t’u përballur me ato sfida. Siguria kibernetike po bëhet shumë e rëndësishme dhe i prek drejtpërdrejt të drejtat e njeriut, por në vendin tonë, megjithëse ka iniciativa dhe strategji, ende nuk ka qasje apo kapacitet sistematik për t’u përballur me këto probleme. Kjo e bën punën më të vështirë. Prandaj nevojiten përpjekje të përbashkëta dhe bashkëpunim më i fortë ndërmjet aktorëve shtetërorë – Qeveria, Parlamenti, Gjyqësori, Drejtoria për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, kompanitë private, akademia, OJQ-të, organizatat ndërkombëtare dhe publiku i gjerë. Detyra është e vështirë, por jo e pamundur.

Çfarë do t’i këshillonit qytetarët e Maqedonisë lidhur me mbrojtjen e të drejtave të tyre në internet?

Transformimi digjital i shoqërisë sonë është duke u zhvilluar dhe do të vazhdojë, teknologjitë digjitale tashmë kanë ndikim mbi të gjithë ne, të gjithë i përdorim ato në një mënyrë apo tjetër, qoftë për punë, mësim, lojë, argëtim apo shoqërim. Njerëzit dhe kompjuterët, robotët do të duhet të mësojnë të jetojnë së bashku në një marrëdhënie të ngushtë. Nëse duam që kjo marrëdhënie të ketë sukses dhe njerëzit të përfitojnë, duhet të shohim më mirë dhe më seriozisht implikimet etike dhe ligjore të inteligjencës artificiale dhe teknologjive digjitale në përgjithësi. Prandaj është e rëndësishme që të përfshihemi sa më shumë në formësimin e agjendës digjitale në aplikimin e teknologjive digjitale dhe veçanërisht të inteligjencës artificiale.

Është në rregull të kemi qasje kritike, madje edhe skeptike ndaj teknologjive të reja, por mesazhi im është që të mos kemi frikë prej tyre dhe të krijojmë rezistencë ndaj digjitalizimit, përkundrazi duhet t’i përdorim ato, por në të njëjtën kohë duhet të kemi kujdes, të jemi të angazhuar për të mësuar se si t’i përdorim ato në mënyrë të sigurt për të mirën tonë. Në “Metamorfozis” besojmë se çdo individ ka mundësi të kontribuojë, nuk duhet të jemi pasivë dhe të presim që agjencitë apo kompanitë qeveritare të kujdesen për të drejtat tona. Si organizatë, angazhohemi për shoqëri në të cilën qytetarët e angazhuar dhe të ndërgjegjshëm përdorin në mënyrë aktive mjete novatore për të ushtruar të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre civile, shoqëri në të cilën ata nuk kanë frikë të përfshihen, të sillen në mënyrë kritike, të kontribuojnë dhe të kërkojnë përgjegjësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button