Rusia thotë se nuk do të fillojë luftë me Ukrainën

Kryediplomati rus Sergei Lavrov tha të premten se Moska nuk do të fillojë luftën kundër Ukrainës, por paralajmëroi se nuk do ta lejojë Perëndimin të dëmtojë interesat e saj sigurisë.

Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi të enjten udhëheqësin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyy se ekziston një “mundësi reale” që Rusia të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Ukrainës në muajin shkurt, transmeton Zëri i Amerikës.

“Nuk do të ketë luftë për sa i takon Federatës Ruse, ne nuk duam luftë,” tha ministri i Jashtëm Lavrov në një intervistë me disa radio ruse. “Por ne nuk do të lejojmë që të shkelen me arrogancë dhe të injorohen interesat tona”.

Tensionet janë rritur javët e fundit lidhur me Ukrainën, ndërsa Moska ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa pranë fqinjit të saj. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre të NATO-s janë të shqetësuar se Rusia mund të jetë duke u përgatitur për sulm.

Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur të ketë ndonjë plan të tillë, por ka kërkuar që NATO-ja të premtojë se Ukraina nuk do të lejohet kurrë të anëtarësohet dhe që aleanca të tërheqë trupat dhe pajisjet e saj ushtarake nga Evropa Lindore.

SHBA dhe NATO i hodhën poshtë zyrtarisht këto kërkesa këtë javë, megjithëse Uashingtoni propozoi fushat të mundshme për të cilat mund të ketë bisedime, duke ofruar shpresë se mund të gjendet një mënyrë për të shmangur luftën.

Përgjigjia zyrtare e Rusisë ndaj propozimeve amerikane do të vijë nga Presidenti Vladimir Putin, por Kremlini ka thënë se ka “pak hapësirë për optimizëm”.

“Përderisa ata thonë se nuk do të ndryshojnë qëndrimet e tyre, as ne nuk do t’i ndryshojmë tonat,” tha Lavrov. “Unë nuk shoh hapësirë për kompromis këtu.”

Presidenti Putin hapi sot takimin javor të Këshillit të tij të Sigurimit, duke thënë vetëm se aty do të trajtoheshin çështje të politikës së jashtme. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se udhëheqësi rus mund të diskutojë për reagimin e tij ndaj refuzimit të Shteteve të Bashkuara për kërkesat kryesore ruse edhe me presidentin francez Emmanuel Macron gjatë një bisede që do të bëjë me të po të premten.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button