Kërcënimet ndaj prokurorit publik janë kërcënim për gjithë Prokurorinë, thonë nga Shoqata e prokurorëve publikë në vend

Shoqata e prokurorëve publikë në vend përmes një komunikate për media ka dënuar ashpër kërcënimet ndaj prokurorit publik të shtetit Ljubomir Joveski që dolën dje në publik, transmeton Portalb.mk.

Siç theksojnë nga kjo Shoqatë, kërcënimet e drejtuara ndaj prokurorit Joveski si shkalla më e lartë në hierarkinë e prokurorisë publike, paraqesin kërcënim për tërë institucionin dhe të gjithë bartësit e këtij funksioni.

“Kërcënime të tilla vijnë nga kudo dhe nga kushdo, për ta thënë më butë, janë një akt i jocivilizimit. Ato janë në kundërshtim me të gjitha aktet ndërkombëtare dhe standardet e vendosura për funksionimin e Prokurorisë Publike në çdo shtet ligjor”, thonë nga Shoqata e prokurorëve publikë në Maqedoninë e Veriut.

Nga atje theksojnë se Prokuroria Publike, si institucion me integritet dhe forcë, lufton kundër të gjitha formave të krimit dhe se në kryerjen e funksionit të ndjekjes penale të autorëve të krimeve, askush dhe me asnjë mjet nuk mund ta pengojë Prokurorinë Publike.

“E aq më pak ta lëkundet në ushtrimin e kompetencave të veta kushtetuese dhe ligjore”, shtojnë nga Shoqata e Prokurorëve Publikë.

Prokurori publik, Lubomir Joveski, nëpërmjet një letre ka marrë kërcënim me vdekje nëse nuk e ndalon një lëndë të caktuar ku janë të akuzuar dy gazetarë të televizionit “Alfa”, e cila është e afërt me partinë opozitare VMRO-DPMNE.

Sipas Prokurorisë, letra ka ardhur prej Postës së Manastirit më 17.1.2022.

“Dërgesa me kërcënim është shkruar në gjuhën maqedonase dhe angleze. Kërcënimi ka të bëjë me një lëndë konkrete, për të cilën, procedura është mbyllur dhe miratuar rezolutë me të cilën është ndaluar procedura pasi që është konstatuar se nuk ka vend për veprim prokurorial. Kërcënimi, ashtu siç theksohet në letër, është nga një organizatë terroriste, e cila lufton dhe vret për padrejtësi dhe anëtarët e saj janë të gatshëm të vdesin për qëllimet e organizatës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori publik, nga ana tjetër thekson se janë të kota këto kërcënime dhe se nuk do ta lëkundin në zbatimin e ligjeve dhe veprimit profesional dhe përgjegjës të Prokurorisë Publike.

“Dërgesa do të dorëzohet në Ministrinë e Punëve të Brendshme për kontrollimin e përmbajtjes dhe gjetjeve dhe personit që e ka dorëzuar dërgesën”, theksuan nga Prokurori.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button