RMV, ndotje pa kontroll: më shumë se gjysma e komunave nuk kanë inspektor për mjedis jetësor

Më shumë se gjysma e komunave në vend nuk kanë inspektor për ekologji. Të tjerët kanë nga një, ndërsa rrallë ndonjë komunë edhe dy inspektorë për mjedis jetësor. Mungesa e kontrollit mbi ndotësit rezulton drejtpërdrejt në ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës, probleme me të cilat përballen shumë vetëqeverisje lokale. Të përballur me dhjetëra instalime me B-leje të integruara dhe qindra raporte për mbrojtjen e mjedisit jetësor, inspektorët komunal, aty ku ka, e kanë shumë të vështirë të kryejnë inspektime kudo që është e nevojshme, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Velesi nuk ka asnjë, si dhe Kumanova, ku këtë punë e kryen pjesërisht shefi i sektorit. Edhe pse është REK, si dhe gati 600 instalime që janë nën juridiksionin e komunës, Manastiri ka vetëm një inspektor mjedisor. Është pak më mirë në komunat e Shkupit. Qyteti i Shkupit dhe tetë nga dhjetë komunat Aerodrom, Gazi Babë, Gjorçe Petrov, Karposh, Kisella Voda, Saraj, Qendër dhe Çairi kanë inspektorë të autorizuar, ndërsa Buteli dhe Shuto Orizara nuk kanë.

Nga Këshilli Inspektues informojnë se vetëm 39 komuna në vend kanë inspektorë të autorizuar për mjedis jetësor, nga gjithsej 81 njësi të vetëqeverisjes lokale. Bëhet fjalë për Kriva Pallankën, Kumanovën, Makedonski Brodin, Ohrin, Prilepin, Berovën, Manastirin, Gjevgjelinë, Dibrën, Dellçevën, Kavadarin, Kërçovën, Koçanin, Radovishin, Resnjën, Shën Nikollën, Strugën, Strumicën, Tetovën, Shtipin, Bosilovën, Bërevenicën, Dollnenin, Zhelinën, Zelenikovën, Ilindenin, Bogovinën, Konçen, Novacin, Tearcën, si dhe komunat e Shkupit dhe Qytetin e Shkupit. Sipas të dhënave nga ky institucion, Këshilli Inspektues deri më tani ka lëshuar 58 licenca për inspektor të autorizuar mjedisor.

Velesi, një qytet që ende po rimëkëmbet nga katastrofa ekologjike në Shkritore, është një nga ata që aktualisht nuk ka inspektor të autorizuar. Nga Komuna thonë se është planifikuar që gjatë këtij viti të punësohet inspektor. Atë e presin 13 kompani me leje mjedisore të integruara B dhe tre me leje për respektimin e planit operacional dhe pushteti lokal ka nxjerrë 261 Vendime për miratimin e Elaboratit për mbrojtjen e mjedisit. Deri atëherë, thonë nga kjo komunë, kur ka rast të inspektimit të nevojshëm, kërkojnë ndihmë nga Inspektorati Shtetëror për Mjedis.

“Procesi i licencimit të një inspektori të autorizuar mjedisor është i gjatë dhe duhet të fillojë me kohë që komunat të mos vihen në situatën që të mos ketë kush të ushtrojë kontroll. Trajnimi dhe praktika në terren zgjasin një vit, periudhë kjo që mund të duhet të shkurtohet për të plotësuar nevojat e komunave”, tha Boban Bojkovski, udhëheqës i Sektorit të Inspeksionit në Komunën e Kumanovës.

Ai paraprakisht ka qenë inspektor mjedisi, por tani ligji e lejon të kryejë vetëm 10 për qind të mbikëqyrjes, përveç detyrave të tij kryesore si drejtues. Aktualisht në Kumanovë nuk ka inspektor tjetër të autorizuar, edhe pse kjo komunë e madhe ka lëshuar 17 leje të integruara B dhe më shumë se treqind raporte. Çdo muaj, thotë Bojkovski, arrin të bëjë rreth 20 inspektime, që është rreth 30 për qind e asaj që duhet.

Sipas kompetencave dhe vëllimit të punës Manastirit i nevojiten më shumë se një inspektor, thonë në këtë komunë. Ata theksojnë se për momentin numri i të punësuarve është i kufizuar në kaq shumë vende pune, sipas parashikimeve të ligjit për të punësuarit në sektorin publik, por edhe se është duke u bërë një analizë e cila do të pasohet me një ndryshim të sistematizimit që të mund të rritet efektiviteti i Komunës në pjesën e mbrojtjes së mjedisit jetësor. Në Manastir, informojnë autoritetet lokale, janë 16 operatorë ekonomikë me leje të integruara B dhe 520 me raporte të lëshuara për mbrojtjen e mjedisit me vendim për miratim, të cilat janë në kompetencë të inspektorit të mjedisit jetësor.

Kavadari është gjithashtu një qytet me një inspektor për mjedis jetësor. Ai duhet të kontrollojë pesë kompanitë që kanë licencë të integruar B, si dhe njëqind me raport, ndërsa ndihmon edhe në Departamentin e mjedisit jetësor, ku ka mungesë të kuadrit. Në Strumicë është pak më ndryshe. Qyteti, i cili vitet e fundit është përballur me ndotje të madhe të ajrit, ka dy inspektorë mjedisorë të licencuar. Megjithatë, zyrtarët komunalë thonë se punë ka edhe për një deri në dy plus, duke qenë se qyteti ka 13 instalime me leje B dhe gati 450 me elaborime.

Tetova, nga ana tjetër, është një qytet që është shembull i rrallë i ekipimit të mirë të shërbimit inspektues me numrin më të madh të inspektorëve vendor të mjedisit jetësor. Janë gjithsej gjashtë, nga të cilët katër janë të licencuar dhe dy më të rinj që janë në proces për marrjen e licencës.

Arianit Xhaferi nga “Eco Guerrilla” thotë se nuk duhet të ketë kompromis me mbrojtjen e mjedisit, as në Tetovë e as në ndonjë komunë tjetër.

“Dëmi që i bëhet mjedisit jetësor është shumë shpesh i pariparueshëm, ndaj puna e inspektorateve dhe masat parandaluese kanë rëndësi të madhe. Për problemet radikale kërkohen zgjidhje radikale, ndërsa për këtë duhen politikanë të guximshëm që do të mendojnë për të mirën e gjeneratave të ardhshme, e jo për rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme”, tha Xhaferi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button