Sonte në Teatrin Shqiptar shfaqet premiera e dramës “Nyjat” (VIDEO)

Sot publiku shqiptar do të ketë mundësinë të sheh një shfaqje me strukturë fragmentare, ku trajtohen nyjet në fatet e shumë personazheve. Shfaqja “Nyjat” do të jepet sot në ora 20:00 në Teatrin Shqiptar. Drama është e shkruar nga Refet Abazi dhe është në regji të Kushtrim Bekteshit. Është hera e parë që vihet në skenë dhe publiku do të ketë mundësinë për herë të parë ta shijojë tekstin, lojën e aktorëve, regjinë, skenografinë dhe të gjithë komponentët e tjerë, shkruan Portalb.mk.

“Në shfaqjen ‘Nyjat’ do të projektohet një pikturë e trishtë dhe shumë reale të kohës që po e jetojmë. Si lajtmotiv ka nyjat mes dritës dhe errësirës të një personazhi, ndërsa shpjeguar në nivel metafizik, atë mes të mirës dhe të keqes, ose mes asaj çfarë përfaqëson Zoti dhe çfarë përfaqëson djalli. Kjo shfaqje do të komunikojë me të gjithë publikun, sepse në aspektet që i hap shfaqja, çdonjëri do e gjejë vetveten në ndonjë pjesë të luajtur”, tha Kushtrim Bekteshi, regjisori i shfaqjes.

Kjo nuk është hera e parë që Kushtrimi punon shfaqje me tekst të Refet Abazit. Kujtojmë që ai para disa vitesh kishte premierën e dramës “Akuariumi” të po këtij autori. Ndërsa, sa i përket dramës që do të luhet sonte, Refet Abazi e shkruajti në vitin 2015 dhe që në momentin kur Kushtrimi e lexoi tekstin, e intrigoi shumë dhe tha që kur do të rinovohet Teatri Shqiptar, do të fillojë ta punojë.

“Gjatë provave jam ndjerë shumë i relaksuar, sepse ka një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me gjithë ekipin dhe kjo e bën punën edhe më të lehtë. Jam ndjerë shumë i përkrahur nga të gjithë, duke përfshirë këtu aktorët dhe stafin teknik. Provat kanë zgjatur më shumë seç e kishim planifikuar, për arsye të pandemisë, për shkak të disa tragjedive që ndodhën, si vdekja e aktorit Hajrulla Ramizi dhe më pas tragjedia që ndodhi në Bullgari, ku njëri prej aktorëve humbi të dashurën e vet”, u shpreh Bekteshi.

Interesimi për ta ndjekur këtë shfaqje është shumë i madh, prandaj do ketë dy premiera, sot dhe nesër. Kjo do të ndodh për arsye se kapaciteti në teatër do të jetë i përgjysmuar, për shkak protokolleve të pandemisë.

Në këtë shfaqje do të luajnë: Adem Karaga, Fisnik Zeqiri, Bislim Muçaj, Teuta Ajdini Jegeni, Amernis Nokshiqi, Osman Ahmeti, Sabina Memishi, Mentor Kurti, Ibrahim Xhemaili, Hetem Etemi, Rahim Ramadani, Abedin Alimi dhe Erdin Xhemaili.

Skenograf i shfaqjes është Betim Zeqiri, kostumografe Emira Imeri dhe kompozitor Trimor Domi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button