Osmani sot në Kuvend do të shpjegojë dialogun e ri me Bullgarinë

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot do t’i drejtohet anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme. Siç është paralajmëruar nga MPJ, ministri i Jashtëm do t’i informojë anëtarët e Komisionit parlamentar për rrjedhën e bisedimeve dhe për marrëdhëniet e përgjithshme ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i këtij organi parlamentar, Antonio Milloshoski, dy ditë më parë, tha se pret që ministri të paraqitet në seancë dhe të ketë një debat interesant në të cilin do të jepen përgjigje më serioze për negociatat me Sofjen.

“Presim praninë e Ministrit të Punëve të Jashtme, nga i cili kërkuam që të prezantohen me shkrim përgjigjet që Maqedonia i ka dhënë Sofjes zyrtare në dhjetor të vitit të kaluar për të ashtuquajturin planin e tyre ‘5 + 1’, me qëllim që si deputetë të informohemi se për çfarë është fjala dhe nëse përgjigjet e tilla përkojnë dhe janë në korniza të Deklaratës së miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë ku kemi vendosur qëndrime të përbashkëta kombëtare. Shpresoj se prezenca do të konfirmohet në komisionin parlamentar dhe pres që të kemi një debat interesant, në të cilin pres të marr përgjigje më serioze për procesin që deri më tani ka qenë me një dozë dyshimi për atë se sa në mënyrë transparente po negociohet në relacionet Shkup-Sofje”, tha Milloshoski.

Dje, në një intervistë për Kanal 5, Osmani njoftoi se do të shkojë në Paris më 2 shkurt me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Bojan Mariçiq dhe prej andej në Bruksel për të shpjeguar qasjen e re me Bullgarinë, në mënyrë që të shohin nëse ajo mund të përfshihet në planin për presidencën franceze.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Dellçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button