Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit gjatë vitit të kaluar ka marrë vendime për gjithsej 707 lëndë

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) vitin e kaluar ka marrë vendime për gjithsej 707 raste. Nga këto, 404 vendime janë në fushën e korrupsionit, 171 në fushën e konfliktit të interesit, 40 vendime kanë të bëjnë me mosrespektim të dispozitave ligjore gjatë procesit zgjedhor dhe 92 kanë të bëjnë me kontrollin e pasurisë së zyrtarëve, raporton BV, transmeton Portalb.mk.

Këtë e bëri të ditur sot kryetarja e KSHPK-së, Biljana Ivanovska, në një konferencë për media, në të cilën janë përmbledhur aktivitetet e realizuara në kuadër të Fushatës për Integritet, e cila është pjesë e projektit “Promovimi i transparencës dhe llogaridhënies së administratës publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. ”

– Komisioni ka iniciuar mbi 794 procedura me vetë iniciativë, ka pranuar dhe shqyrtuar 819 raporte nga qytetarë, organizata, institucione, për dyshime për korrupsion, keqpërdorim dhe konflikt të interesit. Gjithashtu, është bërë rishikimi i 17 ligjeve në aspekt të antikorrupsionit, ndërsa falë bashkëpunimit të shkëlqyer me institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile KSHPK filloi me monitorimin e realizimit të aktiviteteve të parapara me Strategjinë Kombëtare, informoi Ivanovska.

Duke folur për aktivitetet në kuadër të projektit, Ivanovska theksoi se Komisioni ka realizuar aktivitete me përmasa të mëdha, të cilat e kanë rritur shumë luftën sistematike kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesit.

– Këtu do të veçoja sinjalizuesit (fishkëllyesit) si një hallkë të rëndësishme në forcimin e parimeve të shtetit ligjor. Për të përmirësuar këtë sistem dhe për të krijuar kushte që ai të jetësohet, po zhvillojmë edhe zgjidhje softuerike për mbështetje të sinjalizuesve. Kjo zgjidhje e lehtëson procesin e raportimit të parregullsive, ndërkohë që i inkurajon individët për të raportuar dyshimet dhe gjetjet e tyre për korrupsion më lehtë dhe në mënyrë anonime. Për të kontribuar më shumë në krijimin e një klime pozitive për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe për të lehtësuar këtë proces në përgjithësi, ne ua kemi ofruar këtë mjet shumë institucioneve të tjera që përndryshe janë të detyruara ligjërisht të ndjekin sinjalizuesit dhe shumë prej tyre tashmë e kanë pranuar këtë mundësi për ta përdorur – në mesin e tyre Avokati i Popullit, Këshilli inspektues dhe disa inspektorate, sqaroi Ivanovska, duke shtuar se aktualisht kjo zgjidhje softuerike po instalohet në MPB.

Kryetarja i KSHPK-së theksoi se e kanë prezantuar edhe sistemin e integritetit nëpërmjet të cilit janë afruar me institucionet në nivel qendror dhe lokal. Përmes këtij sistemi, siç shpjegoi ajo, institucionet e kanë për obligim ta vendosin, zbatojnë, monitorojnë dhe të raportojnë për zbatimin e sistemit të integritetit.

– Në këtë mënyrë do të monitorojmë dhe do të kemi pasqyrë të mirë dhe rezultate të matshme për ekzistimin e korrupsionit në të gjitha nivelet. Për më tepër, kemi digjitalizuar një sërë veglash me të cilat e kemi lehtësuar mënyrën e veprimit kundër korrupsionit. Do të veçoja krijimin e një zgjidhjeje softuerike për zbatimin e Strategjisë Kombëtare, pas së cilës mund të matim lehtësisht se cili institucion vepron dhe zbaton rekomandimet e dhëna nga KSHPK. Është krijuar një aplikacion mobil për të qenë afër çdo qytetari dhe të vejmë në pah nevojën për transparencë më të madhe me të cilën do të lehtësohet dukshëm mundësia për ndërmarrje të veprimeve nga secili individ, shtoi Ivanovska.

Ajo bëri të ditur se brenda një kohe të shkurtër do të plotësohet regjistri i personave të përzgjedhur dhe të emëruar, me të cilin do të mundësohet dorëzim elektronik i deklaratave të gjendjes pasurore dhe interesave, sistemin e mbledhjes së të dhënave nga institucionet e tjera, përpunimin e tyre etj. Në proces e sipër është miratimi i një hulumtimi kuantitativ për perceptimet dhe qëndrimet e qytetarëve për sinjalizuesit.

Plamenka Bojçeva, drejtoreshë e Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informatat Publike tha se në kuadër të fushatës për integritet dhe fushatës “Dua të di” janë arritur rezultate të rëndësishme, kurse me aktivitetet e ndërmarra nga Agjencia në periudhën e kaluar, kanë bërë një hap të rëndësishëm para në promovimin e qasjes lirë në informacionet publike.

Siç theksoi ajo, për këtë flasin vetë shifrat nga sondazhi i opinionit publik, që u realizua në fund të vitit të kaluar.

– Krahasuar me vitin 2020, kemi një rritje prej 15% të ndërgjegjësimit të qytetarëve për të drejtën e qasjes në informacione publike. Rreth 57% të qytetarëve janë të vetëdijshëm për këtë fakt, ndërsa 44% e qytetarëve e dinë se ekziston ligj për qasje të lirë në informacione publike, që është rritje prej 11% krahasuar me një vit më parë. 56% e qytetarëve mendojnë se kanë të drejtë të paraqesin kërkesë në institucionet shtetërore në përputhje me ligjin dhe këtu kemi një rritje prej 13% krahasuar me vitin 2020. 45% e qytetarëve kanë deklaruar se dinë për të drejtën e tyre për ankesë, që është 13% më shumë se në tetorin e vitit 2020, ka informuar Bojçeva.

Ajo apelon tek të gjithë qytetarët që të mos anashkalojnë të drejtën e garantuar me Kushtetutë dhe të mbrojtur me ligj, që të paraqesin kërkesa për qasje në informacione publike pranë institucioneve shtetërore. Siç theksoi Bojçeva, këtë mund ta bëjnë thjesht nëpërmjet ueb-faqes së Agjencisë. ms / sp /
Shkup, 27 janar 2022 (AIM)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button