Ka përfunduar gërmimi dhe hedhja e themeleve rreth deponisë së vogël të lindanit në OHIS (Foto)

Në periudhën e shënimit zyrtar të fillimit të aktiviteteve në kuadër të projektit “Heqja e barrierave teknike dhe ekonomike për fillimin e rehabilitimit të vendeve të kontaminuara me α-HCH, β-HCH dhe lindan në OHIS, 100122”, e që kanë të bëjnë me deponinë e vogël në OHIS, shumica e aktiviteteve që ishin të parapara me fazën përgatitore janë realizuar, njoftuan nga Shoqata Ekologjike e Maqedonisë (SHEM), transmeton Meta.mk.

Konkretisht, janë realizuar aktivitete për përgatitje dhe pastrim të terrenit, sigurim dhe trajnim të personelit që do të punojë në terren, sigurim të pajisjeve dhe makinerive mekanike, zbatim të procedurave operacionale në terren dhe jashtë, analiza të dheut përreth deponisë së vogël, si dhe ndarje e paketim të dheut të gërmuar nga kanalet.

“Aktivitetet lidhur me gërmimin dhe hedhjen e themeleve tashmë kanë përfunduar, kurse për zbatimin e tyre u desh një periudhë prej afërsisht 50 ditësh. Për themelet u hapën kanale, në të cilat u vendos një bazë e ngjeshur prej zhavorri dhe armaturë metali dhe u mbushën me beton, procedurë kjo që në periudhën e ardhshme do ta sigurojë qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e nevojshëm të strukturës metalike mbi tokë si dhe të çadrës. Në kanalin verior, ku aktivitetet kufizohen me deponinë e madhe, është bërë forcimi shtesë i murit të kësaj deponie”, theksuan nga SHEM.

Thonë se me vendosjen e çadrës së sigurisë që mundëson punë në kushte presioni negativ përfundon faza përgatitore.

“Kushtet dhe mirëmbajtja e presionit negativ në tendë nuk do të lejojë që grimcat e imta të pluhurit të dalin nga vendi ku bëhet gërmimi i materialit të kontaminuar në deponi, gjë që do të parandalojë emetimet e padëshiruara të materialit të kontaminuar në ajër”, shtuan nga SHEM.

Ekologët theksuan se vendosjes së çadrës në muajin shkurt do t’i paraprijë vendosja e konstruksionit metalik dhe dinamika e këtyre aktiviteteve, siç theksuan, do të varet nga kushtet e favorshme atmosferike.

This slideshow requires JavaScript.

“Deri tani, punën e kontraktuesit POLIEKO, përveç Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor  e ka monitoruar edhe kompania mbikëqyrëse TAUW. Në fazën operative, kontraktuesi POLIEKO do të zhvillojë trajnime të personelit për gërmimin dhe menaxhimin e mbetjeve të HCH, procesin e gërmimit, paketimin, ruajtjen dhe restaurimin e lokacionit. Faza përfundimtare e tërë procesit është pjesa e transportit të mbetjeve në objektet për deponim përfundimtar nga Maqedonia e Veriut, nëpërmjet Republikës fqinje të Greqisë në Francë dhe Holandë, ku do të kryhet djegia ose riparimi shtesë i materialeve të mbeturinave dhe tokës, sqaruan nga Shoqata Ekologjike e Maqedonisë.

Ata deklaruan se në të gjitha fazat e procesit të pastrimit, pavarësisht performancës së punonjësve dhe personave të angazhuar nga kontraktuesi POLIEKO, do të realizohet monitorim aktiv i gjendjes së mjedisit duke monitoruar cilësinë e performancës, cilësinë e ajrit dhe monitorimin e cilësisë së ujërave nëntokësore.

Të gjitha të dhënat do të bëhen publike pas përfundimit të matjeve, gjatë heqjes së lindanit dhe detajet e hulumtimit do të ndahen në debate publike. Shoqëria ekologjike e Maqedonisë (SHEM) po përgatit edhe një video dokumentar për tërë procesin e heqjes së lindanit nga deponia e vogël në OHIS.

SHEM në kuadër të projektit shumëvjeçar “Heqja e barrierave teknike dhe ekonomike për fillimin e rehabilitimit të vendeve të kontaminuara me α-HCH, β-HCH dhe lindan në OHIS, 100122”, zhvillon aktivitete për ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë dhe ndikimin e lindanit mbi shëndetin e njeriut dhe gjendjen e mjedisit jetësor.

Projekti mbështetet financiarisht nga Fondi Global Ekologjik (GEF), zbatohet nëpërmjet UNIDO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Industrial) dhe zbatohet në koordinim me Zyrën për Ndotës Organikë të Padegradueshëm (POP) të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Ndryshe, Meta.mk ka kohë që shkruan për pastrimin e lindanit nga deponia e vogël dhe e madhe në rrethin e OHIS-it, si dhe për dy lokacione të tjera ku ka të depozituar lindan, përfshirë lokalitetin Pelenicë afër Draçevës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button