Kundërshtimi i padrejtësisë

27 Janari është Dita ndërkombëtare e kujtimit të viktimave të Holokaustit, ditë kur njerëzimi e kujton njërin ndër gjenocidet më të mëdha që ka ndodhur në historinë e tij, ditë kur njerëzimi reflekton për thellësinë e urrejtjes ndaj llojit të vet që mund të rezultojë me vetë zhdukjen e tij. Por ka figura të cilat bota ndoshta i ka harruar, e ndoshta edhe asnjëherë nuk i ka njohur, e të cilat megjithatë janë shembuj të luftës kundër së keqes e cila ka filluar shumë kohë më parë se sa vetë Lufta e Dytë Botërore.

Hans Litten është një figurë e tillë. Ka shumë pak libra të shkruar për të. Ka ende më pak vende për ta përkujtuar veprimtarinë e këtij njeriu. Nuk ka fare pompozitet përmendja e emrit të tij. E megjithatë, ai ka qenë ndër të parët që e ka kuptuar çfarë nuk shkon me partinë nacional-socialiste të Hitlerit, dhe ka qenë ndoshta i pari që e ka kundërshtuar haptazi politikën e tij.

Litten ka qenë avokat i ri i cili ka përfaqësuar para gjykatës oponentët e Hitlerit mes viteve 1929-1932. Në njërin nga këto gjykime, Litten e ka ftuar si dëshmitar vetë Adolf Hitlerin dhe e ka marë në pyetje për tri orë para gjykatës. Gjatë këtij interogimi Litten ka nxjerë në shesh të vërtetën, se partia Naziste nuk ka qenë aq paqëdashëse sa është treguar përmes propagandës së Göbelsit. Vetë fakti i interogimit para një gjykate, i kombinuar me faktin që Litten ka përfaqësuar gjithçka që Hilteri ka urryer (një avokat i ri, radikal, principiel, inteligjent, e mbi të gjitha me origjinë hebreje) e ka zemërruar sa s’bën diktatorin e ardhshëm. Hans Litten, ashtu si që ka qenë ndër të parët që e kanë kundërshtuar regjimin në rritje, ka qenë poashtu ndër viktimat e para të këtij regjimi. Ai është dërguar në kampin e përqëndrimit në Dachau, ku edhe është vrarë në vitin 1938, kohë më parë se të fillonte Lufta e cila pas gjashtë viteve të mundimshme do ti jepte fund regjimit të Hitlerit.

Në jetën, veptimtarinë dhe vdkejen e Hans Littenit shihen dy aspekte kryesore.

Në njërën anë, shihet pjekuria e avokatit të ri që për mision të jetës së tij e ka pasur kundërshtimin ndaj padrejtësisë dhe mbrojtjen e të paprivilegjuarve edhe kur kjo kërkon sakrifica të mëdha. Njerëzit vështirë dalin nga zona e tyre e komforit, edhe Litten ka mundur lirisht të mos dalë nga ajo zonë dhe të jetojë i lumtur në beneficionet që familja e tij ia ka siguruar. Ai ka rrejdhur nga një familje shumë e respektuar ku babai i tij ka qenë profesor universitar dhe jurist i njohur. Gjithçka që është dashur të bëjë Litten për të pasur një jetë komode ka qenë të ndjekë hapat e babait të tij. Por ai ka vendosur ta zgjedhë rrugën më të vështirë, që në fund i ka kushtuar edhe jetën. Suksesi që është i dukshëm për të tjerët nuk është gjithmonë suksesi që na bën të ndihemi mirë. Çuditërisht, njeriu ka nevojë për tu angazhuar për vlera të caktuara idealiste, edhe kur mund të ketë një mirëqenie materiale shumë komode. Litten e ka bërë sakrificën e vetë për ta arritur atë që ka dashur: të ndjejë se vërtet ka kontribuar në kundërshtimin e një padrejtësie që për atë kohë ka qenë ende jo sa duhet e njohur për njerëzimin. Kulminacionin e asaj padrejtësie, sot e komemorojmë me kujtimin e miliona viktimave të atij regjimi. Hans Litten e ka parë këtë shumë më herët të ndodhë dhe e ka kundërshtuar me ngulm, kur të të tjerët kanë heshtur.

Në anën tjetër, i kemi njerëzit dhe shoqërinë që me këmbëngulje kanë heshtur në kohën kur Hans Litten e ka bërë luftën e tij. Kjo heshtje i ka kushtuar njerëzimit dekada të tëra regresi, lufte, gjenocidi dhe humbje të gjithanshme. Sepse gjithçka që nevojitet që e keqja të mbisundojë, është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë. Njerëz të mirë ndoshta ka pasur më shumë, por vetëm ata si Hans Litten kanë bërë diçka, dhe në momentin kyç të historisë kanë qenë në anën e duhur. Holokausti dhe krimet tjera aq sa janë shpehje e mendimeve të sëmura të një grushti njerëzish, po aq janë dështim i shoqërisë njerëzore që nuk ka mundur t’i parandalojë.

Ç’është më e keqja, njerëzimi vështirë mëson nga gabimet e veta. Edhe pse Lufta e Dytë Botërore është menduar se do t’u japë fund të gjitha luftërave tjera në botë, numri i viktimave në konflikte të tjera vetëm është rritur, duke përfshirë këtu edhe luftërat e viteve të nëntëdhjeta në Ballkan të cilat kanë rezultuar me ditë të reja përkujtimi të gjenocideve që kanë ndodhur aty.

Nuk mjafton që gjërat të mos harrohen dhe të përkujtohen në ditë të caktuara. Duhet punuar që idetë që sollën deri te këto humbje të mëdha të mos vinë në shprehje përsëri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button