RMV, periudha e izolimit u zvogëlua në 7 ditë

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar vendim për zvogëlimin periudhës së izolimit për personat e infektuar me COVID-19, por edhe periudhës së vetëizolimit/karantimit të personave që kanë qenë në kontakt të afërt me persona të infektuar, njofton Portalb.mk.

“Në pajtueshmëri me këto rekomandime, personat që janë konstatuar nëpërmjet rrugës laboratorike, pozitiv në COVID-19, a nuk kanë zhvilluar simptome, gjegjësisht janë asimptomatik, u caktohet izolim shtëpiak prej 7 ditëve nga dita e testimit. Pas mbarimit të izolimit, tre ditët e ardhshme duhet që të respektohen në mënyrë rigoroze masat anti-kovid (mbajtje maskë N95/FFP2 gjatë qëndrimit në hapësirë të brendshme me persona tjerë ose në vende publike ku nuk mund të mbahet distancë prej dy metrave, dezinfektim të shpeshtë të duarve, shmangie të grupimeve)”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Për personat që konstatohen pozitiv në KOVID-19 nëpërmjet rrugës laboratorike, a kanë zhvilluar simptoma, gjegjësisht fotograf klinike, përkatëse të virusit, u caktohet izolim 7 ditë nga dita e testimit plus tre ditë nëse personi është pa temperaturë të lartë trupore.

“Sipas këtyre ndryshimeve, personat që kanë pasur kontakte të afërta me raste të konfirmuara pozitive në COVID-19, dërgohen në vetëizolim shtëpiak/karantinë në afat prej 7 ditëve nga dita e kontaktit të fundit me personin e infektuar, a pas mbarimit të periudhës së vetëizolimit, duhet plotësisht tre ditë që në mënyrë rigoroze t’i respektojnë masat anti-kovid”, thonë nga Qeveria.

Përjashtim nga masa e vetëizolimit kanë personat që:

  • Janë të vaksinuar me vaksinë COVID-19 me dy ose tre doza, a nga doza e fundit të mos kenë kaluar më shumë se gjashtë muaj;
  • Personat që kanë pasur kontakte  dhe i plotësojnë kushtet për përjashtim nga izolimi, në mënyrë të obligueshme duhet që t’i respektojnë me rigorozitet masat anti-kovid.

Nga ana tjetër, për shkak të rritjes së vazhdueshme të numrit të të infektuarve, Komisioni ka rekomanduar që klinikat që paraprakisht kanë punuar si kovid-qendra në kuadër të fazës së parë, Klinika për Sëmundje të Lëkurës dhe për Neurologji në Shkup, në ditët në vijim të vazhdojnë me punë si kovid-qendra dhe të hapet repart shtesë për kovid në Spitalin “8 Shtatori.

“Për këtë, të gjitha tre institucionet shëndetësore menjëherë janë njoftuar për ndërmarrjen e të gjitha aktiviteteve të domosdoshme”, informojnë nga MSH.

Në pajtueshmëri me raportet ditore nga repartet infektive dhe kovid-qendrave, për momentin janë të hospitalizuar 573 persona, prej të cilëve 180 në Shkup dhe 393 në repartet tjera të shtetit.

“Njëkohësisht, Ministria i ka obliguar klinikat universitare, Institutin për Sëmundje të Mushkërive të Bardha dhe Tuberkuloz, Institutin për Sëmundje të Mushkërive të Bardha dhe Tuberkuloz te fëmijët dhe Spitalin Special për Mjekësi Geriatrike dhe Paliative “13 Nëntori”, gjatë rritjes së numrit të të infektuarve të cilëve u nevojitet hospitalizim të jenë të gatshëm për zbatimin e trajtimit shëndetësor të pacientëve me kovid”, shtojnë nga MSH.

Në lidhje me personelin mjekësor, institucionet shëndetësore janë njoftuar dhe obliguar që të emërojnë persona – kuadër mjekësor për kyçje në punë të infermiereve dhe ndihmës teknik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button