Danella Arsovska as pas 82 ditësh nuk i ka pastruar të gjitha deponitë ilegale në Shkup (FOTO)

82 ditët e para të menaxhimit me qytetin e Shkupit nga kryetarja Danella Arsovska skadojnë të premten më 28 janar , që ishte shkas Meta.mk të kontrollojë në terren përmbushjen e një prej premtimeve më të rëndësishme, pastrimin e të gjitha deponive ilegale në Shkup, që ajo e ka dhënë gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e fundit lokale, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Mbylljen e deponive ilegale në Shkup kryetarja Arsovska disa herë e pat theksuar gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale, kështu që më 10 tetor të vitit të kaluar ajo tha:

Do t’i pastrojmë të gjitha deponitë për saktësisht 82 ditë dhe ato hapësira do t’i rivitalizojmë në  zona të gjelbra të pastra”, thuhet në postimin në rrjetet sociale që u transmetua në më shumë mediat të Maqedonisë.

Në të vërtetë, Qyteti i Shkupit gjatë kësaj periudhe bëri përpjekje, si dhe disa herë në media ka dërgua disa komunikata për pastrimin e disa lokacioneve në kryeqytet. Deponia e fundit ilegale që u pastrua nga autoritetet e qytetit është në bregun e lumit Vardar, afër urës hekurudhore, në mes të vendbanimeve Lisiçe e Epërme dhe Trubarevë. Aty janë grumbulluar 4.000 metra kub mbeturina dhe mbeturina ndërtimore në një sipërfaqe prej 13.000 metra katrorë.

Deponi në Karposh, foto: Meta.mk
Deponi në Karposh, foto: Meta.mk

“Deri tani në Shkup janë pastruar më shumë se 120 deponi ilegale të shënuara në hartë. Së pari shënohen në hartë, pastrohen dhe ndërmerren aktivitete për parandalimin e krijimit të mëtejshëm të deponive në këto vende. Ka inspektime të intensifikuara dhe sigurisht gjoba të larta për ata që nuk e respektojnë ligjin”, thuhet në përgjigjen që dhjetë ditë më parë Qyteti i Shkupit e ka kthyer për Meta.mk, në pyetjen për pastrimin e deponive ilegale në kryeqytet.

Deponi në Butel, Smillkovë, foto: Meta.mk
Deponi në Butel, Smillkovë, foto: Meta.mk

Ndërkohë, pastrimi i deponive ilegale vazhdon nëpër disa lokacione të komunave të Shkupit, megjithatë ekipi i Meta.mk më 25 janar vendosi të vizitojë disa nga lokacionet kritike në pjesë të ndryshme të Shkupit dhe të vërtetojë nëse ato janë pastruar nga autoritetet e qytetit.

Lokacioni i parë që e vizituam ishte bregu i lumit Vardar në vendbanimet Karposh 3 dhe 4. Gjetëm të paktën disa lokacione ku hidheshin kryesisht mbeturina ndërtimore, të cilat nuk janë pastruar. Lokacioni i parë me mbeturina ndërtimore ndodhet pikërisht përballë kantierit për ndërtimin e urës së re, që do të ndërtohet si vazhdim i rrugës Lubjanska. Në të njëjtën kohë, në afërsi të bulevardit Ilinden hasëm në një deponi tjetër më të vogël, në mes të kazermës dhe objekteve të sapondërtuara, që shikojnë kah lumi Vardar, por edhe në vendin ku duhet të ndërtohet parku i shumëpritur për banorët e Komunës Karposh.

Deponi në Karposh, foto: Meta.mk
Deponi në Karposh, foto: Meta.mk

Në fakt, lokacioni i parkut që do të ndërtohet në segmentin nga objekti i NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” deri te terrenet sportive, përgjatë bregut të Vardarit, është shndërruar në disa deponi më të vogla ilegale. Në terren mund të shihet qartë se vendi është pastruar disa herë nga mbeturinat, por është e qartë që njerëz të pandërgjegjshëm vazhdojnë të grumbullojnë mbeturina në këtë vend në Karposh.

Shëtitjen e vazhduam deri te vendbanimi Vizbeg, në rrugën që të çon nga VizbeguShuto Orizarë. E gjithë zona që gjendet në kufirin ndërmjet komunave Butel dhe Shuto Orizarë, nën juridiksionin e Qytetit të Shkupit dhe komunës së Çucer Sandevë, e cila është nën rajonin e planit të Shkupit. Ky lokacion është “ideal” për hedhjen e sasive të mëdha të mbeturinave, sepse prej vitesh autoritetet komunale e hidhnin përgjegjësinë mes tyre për atë se kush duhet ta pastrojë atë terren.

Deponi në Karposh, foto: Meta.mk
Deponi në Karposh, foto: Meta.mk

E gjithë rruga, sapo të dilet nga Vizbegu për në Shuto Orizarë, nga ana e majtë dhe e djathtë është e mbushur me mbeturina të ndryshme, në sasi të mëdha – mbeturina ndërtimore, mbeturina të mobileve, mbeturina komunale dhe thasë të mëdhenj me përmbajtje të paidentifikuar. Përgjatë rrugës hasëm në një lokacion ku derdheshin mbeturinat, ku një banor i Vizbegut mblidhte shishe të vjetra plastike për t’i shitur si mbeturina të përzgjedhura.

Qytetari i cili deshi të mbetet anonim na tha se mbetjet e shpërndara sillen nga Shuto Orizari dhe hidhen në atë lokacion. Ekipi i Meta.mk kaloi edhe nëpër këtë lagje të Shkupit, ku vërejtëm se ndërmarrja publike “Higjiena Komunale” me të vërtetë nuk ka vendosur kontejnerë, edhe pse kjo komunë e Shkupit është pjesë e qytetit të Shkupit.

Deponi në Vizbeg, foto: Meta.mk
Deponi në Vizbeg, foto: Meta.mk

Ndryshe, mbeturinat e shpërndara afër Vizbegut janë pastruar disa herë edhe në të kaluarën me fonde shtetërore derisa kryetari i Shkupit ishte Petre Shilegov, por nga situata në terren shihet se aktualisht nuk është gjetur zgjidhje sistematike për problemin e menaxhimit të mbeturinave në Shuto Orizarë.

Ekipi i Meta.mk vazhdoi me kontrollimin e terrenit nga vendbanimi Butel deri në Liqenin e Smilkovës, që gjithashtu është lokacion i cili bie nën territorin e Shkupit. Rruga që shkon paralel me unazën rreth Shkupit, ndërmjet Butelit dhe Liqenit të Smilkovës, është shndërruar në një deponi të madhe ilegale me mbeturina të ndryshme. Në terren nuk vërehet asnjë ndërhyrje e autoriteteve për zhvendosjen e mbetjeve, ndërsa për shkak të sasive të mëdha të mbeturinave të shpërndara, lëvizja e automjeteve në këtë rrugë është e vështirësuar. Në terren vërejtëm mbeturina të shpërndara deri te Liqeni i Smilkovës.

Nga inspektimi ynë në terren, vërejtëm se autoritetet e qytetit do të duhet të punojnë në vendosjen e kontejnerëve për mbeturina komunale në lagjen Tophanë të komunës Çair. Në këtë lokacion qytetarët i hedhin mbeturina në rrugën kryesore të lagjes ku nuk shihen kontejnerë të NP “Higjiena Komunale”. Prandaj, autoritetet e qytetit të Shkupit do të duhet ta zgjidhin problemin e grumbullimit të mbeturinave për këta banorë të Tophanës.

Deponi në Butel, Smillkovë, foto: Meta.mk
Deponi në Butel, Smillkovë, foto: Meta.mk

Vazhduam rrugëtimin tonë nëpër Shkup te poligoni për ushtrime me makina nën Ambasadën AmerikaneKomunën Qendër. Autoritetet e qytetit kanë mbjellë pemë të reja në rrugën Llazar Liçenovski për të parandaluar hedhjen e mbeturinave nga persona të paskrupullt, por situata në terren tregon se kodra nën ambasadën amerikane vazhdon të “zbukurohet” me mbeturina të shpërndara. Kur shikohet nga ana e majtë e lumit Vardar, afër stadiumit të futbollit, mbeturinat që shihen në kodrën poshtë ambasadës e bëjnë Shkupin të duket më shumë si kryeqytet afrikan sesa evropian.

Po ashtu, në poligonin për ushtrime me makina, afër Kalasë së Shkupit, hasëm në mbeturina të ndryshme të shpërndara, por në sasi më të vogël. Këtu pamë një valixhe që e kishte humbur pronarin, një kolltuk që digjej, një ombrellë të thyer dhe divane të tëra janë skena që mund të “shijohen” nga qytetarët të cilët mësojnë të ngasin makinën.

Nga shëtitjen që e bëmë nëpër Shkup, më 25 janar 2022, mund të konstatohet se deponitë ilegale nuk janë pastruar plotësisht. Kryetaren Shkupit e pret punë e madhe, veçanërisht në lokacionet ndërmjet Vizbegut  dhe Shuto Orizarës, si dhe në segmentin nga Buteli në drejtim të Liqenit të Smilkovës. Janë për t’u përshëndetur deponitë ilegale që tashmë janë pastruara në komunat e Shkupit, por Qyteti i Shkupit dhe NP “Higjiena Komunale” duhet të bëjnë përpjekje shumë më të mëdha në të ardhmen për pastrimin e lokacioneve tjera.

Deponi në Butel, Smillkovë, foto: Meta.mk
Deponi në Butel, Smillkovë, foto: Meta.mk

Meta.mk ka vite që shkruan për problemin me deponitë ilegale në Shkup dhe ne në mënyrë aktive e përcjellim këtë çështje, sidomos për faktin se deponitë e tilla ilegale digjen dhe e ndotin ajrin që e thithin qytetarët. Në periferitë e Shkupit, NP “Higjiena Komunale” do të duhet të vendosë shumë më tepër kontejnerë për hedhje të mbeturinave, por edhe për të grumbulluar rregullisht mbeturinat me të njëjtën frekuencë siç e bën në pjesët e urbanizuara të qytetit në Karposh, Qendër dhe Aerodrom.

Në të njëjtën kohë, autoritetet e qytetit të Shkupit do të duhet të gjejnë një mënyrë për të vendosur video mbikëqyrje në lokacionet kritike që pastrohen e ku pastaj hedhja e mbeturinave vazhdon, që do të regjistrojnë qytetarët e papërgjegjshëm të cilët e ndotin mjedisin jetësor. Përveç kamerave në terren, në deponi duhet të vendosen pengesa – barriera betoni, shtylla dhe barrikada të tjera që do të pengojnë automjetet të hyjnë në deponi. Nëse dëshiron Qyteti i Shkupit, këtë mund ta bëjë në disa lokacione ndërmjet Vizbegut dhe Shuto Orizarës, por edhe në lokacionin e pastruar te Ura Hekurudhore ndërmjet Lisiçes dhe Trubarevës.

Dhe në fund, Qyteti i Shkupit do të duhet të rritë numrin e inspektorëve, të sigurojë drona dhe pajisje të tjera të përshtatshme, me të cilat do të mund të kontrollojnë lokacionet kritike që janë kthyer në deponi ilegale. Nga vizita në terren shihet se ndëshkimi dhe prania e vazhdueshme në terren është një tjetër masë që mund të parandalojë krijimin e mëtejshëm të deponive ilegale në Shkup.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button