Statuti i UT-së nuk është publik ashtu siç pretendojnë nga UT-ja (VIDEO)

Statuti i Universitetit të Tetovës, edhe pse dokument i karakterit publik, nuk gjendet në ueb faqen e universitetit. Rektori i këtij universiteti, Reshat Qahili tha sot se është i publikuar, megjithatë kjo nuk është ashtu siç thotë ai. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, nga ana tjetër tha se statuti duhet të jetë publik dhe nëse uebfaqja ka probleme dhe s’mund të gjendet i njëjti, atë mund ta sigurojmë nga ana e shërbimeve të universitetit. Por, rikujtojmë se kjo në praktikë nuk funksionon, sepse disa herë si redaksi e kemi kërkuar madje edhe përmes Ligjit për qasje të lirë te informatat me karakter publik, por pa marrë përgjigje, shkruan Portalb.mk.

Universiteti i Tetovës vazhdon ta mbajë të fshehtë statutin e saj, kështu duke mos e ndarë atë me opinionin në ueb-faqen e saj. Për këtë sot gjatë një konference për shtyp e pyetëm rektorin ushtrues të detyrës se pse i njëjti nuk është publik.

Më poshtë ju sjellim dialogun e shkurtër midis gazetarit të Portalb.mk dhe u.d. rektorit Reshat Qahilit. Videon mund ta gjeni në fund të lajmit nga minuta 10:00.

Reshat Qahili, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Gazetari i Portalbit: Pse nuk është publik edhe a planifikoni ta ndani me opinionin pasi është informatë e karakterit publik?

Rektori i UT-së: Universiteti i Tetovës statut ka

Gazetari i Portalbit: Mirëpo pse nuk është publik?

Rektori i UT-së: Edhe publik është por varet kush tani ku e kërkon, nëse ata që duan ta kërkojnë e gjejnë.

Gazetari i Portalbit: Në ueb-faqen e UT-së nuk është?

Rektori i UT-së: Është.

Kështu u përgjigj rektori duke mos dhënë më tepër informacion, për këtë përsëri kontrolluam ueb-faqen e UT-së por statuti nuk mund të shihet aty, as edhe te dokumentet e rëndësishme. I vetmi statut që figuron është ai i parlamentit studentor.

Nga ana tjetër, për të njëjtën pyetëm edhe ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqirin për të qëndrimin e tij për mospublikimin e statutit të UT-së në ueb-faqe, pasi ai, si ish ministër i Shoqërisë Informatike dhe administratës vazhdimisht ka folur për transparencën dhe publikimin e dokumenteve. Kështu u shpreh Shaqiri:

Jeton Shaqiri, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Jeton Shaqiri, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Mënyra dhe metoda, e dëgjuam nga rektori që Universiteti i Tetovës ka statutin e tij, dëgjuam nga rektori që është i publikuar në ueb-faqe. Ta shpjegoj edhe këtë pjesë, duke e ditur në aspektin e teknologjisë informative që në momentin aktual që ne të dy po bashkëbisedojmë dhe në një periudhë të shkurtër kohore për arsye teknike mund të ketë ueb-faqja problem. Por në qoftë se nuk ka problem besoj qe edhe ti mund ta kesh në dispozicion, mund ta sigurosh nga shërbimet e universitetit dhe jam i bindur se çdo universitet që ka statutin e ka për tu mburrur dhe është i kapshëm për të gjithë, nuk shoh arsye përse të mos jetë dhe besoj që Universiteti i Tetovës atë e ka të disponueshëm për të gjithë.” (minuta 19:51 në videon e mëposhtme)

Edhe pse ministri u shpreh se nëse e kërkojmë statutin nga shërbimet e universitetit, mund ta marrim, praktika e ka dëshmuar të kundërtën. Portalb.mk vazhdimisht ka kontaktuar Universitetin e Tetovës përmes emailit ku kemi kërkuar statutin, por pa përgjigje. Si rezultat i kësaj në muajin tetor të vitit të kaluar dorëzuam edhe kërkesë sipas Ligjit për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik, por nga atje vazhduan të heshtin duke mos u përgjigjur.

Kërkesa me pyetje e Portalb.mk ndaj UT-së
Kërkesa me pyetje e Portalb.mk ndaj UT-së

Më pas,  Portalb.mk ka dorëzuar edhe Ankesë deri te Agjencia e Mbrojtjes të së Drejtës për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik, dhe nga të njëjtit presim vendimin a e shkel UT-ja ligjin duke mos u përgjigjur.

Ndryshe, organizata Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) muajin e kaluar përmes burimeve jozyrtare arriti të sigurojë një version të statutit të UT-së të cilin e ndanë me publikun, ku kërkuan që UT-ja ta vendos në ueb-faqe, por nuk u bë. Statutin e publikuar nga FNA e gjeniu KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button