Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria në shërbim të SHBA-së për Ukrainën
Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shprehin mbështetje për Ukrainën, në kohën kur tensionet ndërmjet këtij shteti dhe Rusisë kanë arritur kulmin, raporton REL, transmeton Portalb.mk.
Vendet perëndimore paralajmërojnë se situata mund të përshkallëzohet shpejt në një sulm të Rusisë kundër Ukrainës, edhe pse Moska e mohon një gjë të tillë.
Shteti rus ka javë që ka pozicionuar ushtarë në kufi me fqinjin e tij, si dhe në gadishullin ukrainas të Krimesë, të cilin e ka pushtuar në vitin 2014.
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës shpreh gatishmërinë që komponentët e caktuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës t’i vendosë në dispozicion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në rast se kjo i kërkohet për ndonjë mision.
Shefi i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, kolonel Sefer Isufi, thotë se Forca e Sigurisë e Kosovës, gjithçka që ka arritur deri më tash – në secilin dimension të zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve të saj operative – e ka arritur falë “mbështetjes së pazëvendësueshme” të SHBA-së.
“Duke pasur parasysh që aleanca jonë me SHBA-në është e natyrshme dhe shumë e fuqishme, jemi plotësisht të gatshëm që të jemi përkrah SHBA-së dhe forcave të saj në secilin mision, ku ata vlerësojnë se mund t’i angazhojnë komponentët tonë profesionalë ushtarakë”, thotë Isufi.
Vitin e kaluar, Forca e Sigurisë e Kosovës ka qenë për herë të parë pjesë e misionit paqeruajtës ndërkombëtar në Kuvajt, së bashku me trupat amerikane.
Presidenca: Kosova qëndron përkrah Ukrainës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mbështetjen e Kosovës për Ukrainën përmes një shkrimi në Twitter, më 22 janar.