Narrativat me të cilat Rusia ndikoi në mediat e Ballkanit Perëndimor

Një studim i titulluar “Narrativat ruse ndaj Ballkanit Perëndimor” i publikuar nga Qendra e NATO-s për Komunikime Strategjike (STRATCOM) identifikon disa narrativa rus në mediat e Ballkanit Perëndimor. Hulumtimi bazohet në raportet e mediave në vitin 2018 duke cituar edicionin serb të agjencisë shtetërore ruse të lajmeve “Sputnik”. Faqja e internetit “Sputnik” e sponsorizuar drejtpërdrejt nga Kremlini, është e njohur si një nga kanalet kryesore të ndikimit rus në hapësirat mediatike në Ballkanin Perëndimor, raporton Vërtetëmatësi.

Raport identifikohen narrativat kryesore që i jep mediumi, për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën (BeH), Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, si dhe për Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO-n.

Hulumtimi zbuloi se megjithëse pothuajse një e treta e artikujve ishin neutralë, “Sputnik” Serbi përdorë tituj sensacionalistë për të tërhequr lexuesit, ndërsa artikujt ishin më të balancuar. Edhe pse hulumtimi është bërë për artikujt mediatik në vitin 2018, edhe tani vërehet se të njëjtat rrëfime janë ende aktuale dhe të pranishme në hapësirën mediatike.

Narrativi: Ballkani Perëndimor është arenë e konfliktit të interesit midis Lindjes dhe Perëndimit

Ky është narrativi më i zakonshëm i përdorur në të gjashtë vendet. BE dhe NATO shihen si përfaqësues kryesorë të Perëndimit dhe perceptohen si ndikim kolektiv në rajon.
Në disa nga publikimet e “Sputnik” Serbi, në të cilat vihet re ky narrativ, e që i referohen Maqedonisë së Veriut, pretendohet se referendumi për ndryshimin e emrit është diktuar nga Perëndimi. Më tej, “Sputnik” Serbi e paraqet referendumin si të pavlefshëm për shkak të pjesëmarrjes së ulët dhe konstaton se kjo ka treguar se mendimi i maqedonasve ka peshë të vogël në rezultat dhe se është shembull se si Perëndimi ndërhyn në punët e brendshme të vendeve tjera. Ndërkaq, Rusia paraqitet si mbrojtëse e të drejtës së popullit maqedonas për të marrë vendim të pavarur për emrin e ri të vendit të tyre.

Narrativi: Ballkani Perëndimor është jostabil

Narrativi se rajoni është “jostabil” dhe ka “potencial të lartë për konflikt” gjithashtu përdor tensionet etnike në rajon për të përforcuar përshtypjen e pasigurisë dhe paqes së brishtë. Kështu botohen tekste me titull “Dy plumba na ndajnë nga destabiliteti” ose “Dera e ferrit hapet në Ballkan”. Ky narrativ fokusohet në mosmarrëveshjet e pazgjidhura kufitare dhe marrëdhëniet e këqija midis fqinjëve.

Narrativi: Bashkimi Evropian është hegjemonist

“Sputnik” Serbi e sheh si hegjemonike praninë e Perëndimit dhe BE-së në rajon, kur bëhet fjalë për sigurinë, politikën, diplomacinë etj. Kjo për faktin se BE-ja paraqitet si krijues, lojtar kyç dhe vendimmarrës në kontekstin e ngjarjeve politike dhe sociale në Ballkanin Perëndimor.

Narrativi: Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të dobëta, të paaftë dhe të korruptuar

“Sputnik” Serbi thekson se rajoni nuk është gati të luajë rolin e një lojtari të rëndësishëm ndërkombëtar, për shkak të korrupsionit dhe qeverisjes së dobët dhe jotransparente. Ky narrativ është krijuar në disa mënyra. Disa nga tregimet kanë të bëjnë me zgjedhje të manipuluara, korrupsion, nepotizëm apo sisteme gjyqësore të politizuara, ndërsa të tjera fokusohen në çështje të tilla si krimi, protestat, borxhi publik etj.

Narrativi: BE/NATO janë të dobëta dhe nuk janë të bashkuara

Ky narrativ nuk i referohet drejtpërdrejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, por portretizon BE-në dhe NATO-n si organizata të dobëta dhe të shpërbëra, me synimin për të nxjerrë në pah aspektet negative për të dy entitetet kur bëhet fjalë për vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë t’u bashkohen atyre. Nën-narrativat e zakonshme disa herë përfshijnë edhe BE dërgon sinjale të përziera”, “Marrëdhëniet BE-SHBA përkeqësohen”, “NATO është e dobët dhe jo e bashkuar“.

Narrativi: NATO është agresive dhe provokuese

Temat kryesore që diskutohet nën këtë narrativë përfshijnë zgjerimin e NATO-s në botë dhe në rajon; qasja provokuese e aleancës ndaj Rusisë; instalimi i bazave ushtarake të NATO-s në rajon, si dhe agresioni i NATO-s në rajon në vitin 1999. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO përshkruhet si “hyrje e detyruar”.

Narrativat e përdorur në Maqedoninë e Veriut

Konkretisht në Maqedoninë e Veriut, dy narrativat më të përdorura që zbulohen në hulumtim janë “Ballkani Perëndimor është i paqëndrueshëm” dhe “Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të dobëta, të paaftë dhe të korruptuar“. Narrativi më i përdorur është se “BE është hegjemoniste“.

Nën-narrativat më të përdorura në Maqedoninë e Veriut janë “Krijimi i Shqipërisë së Madhe”, “Jotoleranca në mes partive opozitare”, “Maqedonia e Veriut është shtet i robëruar”, “Maqedonia e Veriut është shtet kriminal”, “Referendumi për ndryshimin e emrit është i pavlefshëm“, “Rusia është mike tradicionale e Maqedonisë.

Një analizë e publikuar nga “Deutsche Welle”, nga ana tjetër, konstaton se mediat ballkanike i marrin në mënyrë jokritike shkrimet e “Sputnik” në formën origjinale dhe kjo për shkak të mungesës kronike të fondeve në media.

Pra, artikujt falas nga Sputnik në gjuhën serbe janë shumë të mirëpritur. Te qytetarët gradualisht krijohet shfaqje më shumë virtuale sesa reale. Matrica e Sputnik është e qartë – në të njëjtën bashkëngjitje janë të përziera lajmet dhe komentet. Burimet përdoren në mënyrë selektive dhe qëllimi nuk është fare të merret informacion gjithëpërfshirës. Përkundrazi, qëllimi është t’i tregohet dhe dëshmohet botës se vetëm qëndrimi rus është i saktë. Përveç kësaj, mosmarrëveshjet nacionale në Ballkan vazhdimisht po nxiten, konstatonDeutsche Welle.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button