fbpx

Eskapizmi

Një politikan dashamirës më quante eskapist, sepse refuzoja të merresha me politikë. Ia argumentoja se nuk i plotësoja kushtet për të qenë i tillë, ngase ndjeja përgjegjësi civile; se merresha me politikë individualisht, por pa qenë pjesë e grupimeve politike.

Angazhimi politik nuk ka qenë në fokusin e interesimit tim. Vetëm kur e mendoja këtë gjë më ngjallej një ndjenjë e çuditshme bezdie e refuzimi.

Në politikë duhet të veprosh brenda mjedisit ku priten interesa të mëdha; ku ka rrengje mediokritetesh; ku bindjet personale duhet t’i sinkronizosh me qëndrimet partiake; ku duhet të flasësh me gjuhën e turmës.

Veten e konsideroja antipolitikan. Një term që e kisha huazuar nga Gjergj Konradi, gjegjësisht nga libri Antipolitika si sfidë.

Njeriu apolitik është indiferent kundrejt zhvillimeve shoqërore dhe fatin e ka lënë në duart e atyre “që janë lart”, kurse antipolitikani i kundërvihet individualisht sistemit të gënjeshtërt politik e shtetëror…

Duke mos qenë indiferent ndaj zhvillimeve në shoqëri (dhe për shkak të punës si gazetar), shpesh isha në qendër të vëmendjes, ose, siç thotë Kundera, isha “nën reflektorët e Hyjneshës Aktualitet”.

Atëherë nuk e ndjeja këtë barrë, kurse tani e kam të vështirë që ta mbaj mbi supe. Prandaj, dua të jem larg zhurmës, rrëmujës dhe rrëmetit. Të jem anonimi. Të jetoj në Jasna Polanën time. Thjesht, të jetoj me obsesionet e mia…

Ndjehem i lirë dhe në paqe me vetveten kur jam në ndonjë vend europian. Aty ku njerëzit nuk jetojnë në gjendje emergjence. Ku njerëzit nuk e dinë emrin e presidentit. Ku nuk më njeh askush. Atëherë më ngjallet dëshira për ta çliruar shpirtin. Për të bërë diçka që do të gjykohej në provincë, ku jeta mund të bëhet e padurueshme. Pikërisht në vendet ku banon liria më kaplon ndjenja eskapiste…

Ndryshe më ndodh në vendin tim. Aty e mbart një barrë përgjegjësie civile.

Po çfarë është eskapizmi?

Autorët e shumtë e kanë përkufizuar si ikje nga përditshmëria, rutina, realiteti; si tentim për të shpëtuar nga pesha e rëndë e një realiteti që je i detyruar ta durosh; si ikje nga detyrat shoqërore, qytetare, kolektive; si arratisje psikologjike nga realiteti i egër; si zhvendosje në një botë imagjinare ku nuk e ndjen egërsinë e botës reale. Eskapizmi, sipas Frojdit, është ikje e njerëzve që nuk i arrijnë kënaqësitë e pakta të cilat ua ofron realiteti.

Për t’i ikur realitetit, shumë njerëz të dëshpëruar e gjejnë ngushëllimin tek narkotikët, kurse të tjerë edhe tek arti eskapist.

Arti eskapist, që në esencë është mediokër, “synon” botën fiktive ta bëjë më të rëndësishme sesa botën reale.

Bota eskapiste është thumbuar nga Servantesi nëpërmjet romanit Don Kishoti i Mançes. Ai e parodizonte letërsinë kalorësiake, sepse ajo i mbante njerëzit të ngujuar në një botë imagjinare, e cila nuk kishte pika kontakti me botën reale.

Romantikët, të zhgënjyer nga realiteti dhe të “sëmurë” nga “dhembja e botës”, arratiseshin drejt vendeve ekzotike. Bajroni hoqi dorë nga jeta e fisnikut dhe jetoi në Shqipëri e Greqi.

Kjo temë, në mënyrë tjetër, është trajtuar edhe në veprat letrare Ema Bovari nga Floberi apo Ana Karenina nga Tolstoi.

Ndërkaq, pushtetet diktatoriale, nëpërmjet instrumentalizimit të artit, synojnë të propagandojnë të arriturat imagjinare të shtetit. Pushtetet autoritare e stimulojmë kiçin, artin e estradës, sepse ka receptim më të gjerë. Në kësi sistemesh tentohet që qytetari të jetojë në botë imagjinare, të rrejshme.

Ikjen nga realiteti e kanë nxitur politikanët që në lashtësi. Shprehja “Bukë e lojëra” (Panem et circenses), që i atribuohet poetit romak, Juvenalit, thuhet se është përdorur jo vetëm si kritikë kundër pushtetit, që i mashtronte qytetarët, por edhe si kritikë ndaj indiferencës së njerëzve kundrejt detyrave qytetare.

Në shoqërinë e sotme është shumë i shprehur eskapizmi. Ai stimulohet nga politika dhe mediat nëpërmjet emisioneve të tipit “reality show”.

Bota e ekranit shpesh nuk ka kontakte me botën e vërtetë. Aty shohim të njëjtat fytyra. Veçanërisht nga bota e shoubizit. Kjo është botë meskine. Botë e injorancës, snobizmit, vanitetit, kotësisë. Në media shfaqen velina injorante, pasanikë që janë rritur të urët, opinionistë që flasin dhe nuk thonë asnjë. Flasin për një botë artificiale, botë luksi, kuzhine e fitnesi. Flasin për gjëra kalimtare.

Ndërkohë, pjesa dërmuese e njerëzve përballen me probleme ekzistenciale. Njerëzit, që vuajnë nga uria, që (mbi)jetojnë aty pranë restoranteve luksoze, janë të padukshëm, të parëndësishëm, madje të përçmuar.

Jemi futur në film. Merremi me marrëzinë për ta duruar më lehtë përditshmërinë e vështirë. Dhe nuk kemi asnjë strategji kundër tiranisë së budallallëkut, shëmtisë dhe rrenës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button