Statistika: Kush e fiton Strugën në balotazh?

Nëse intenziteti dhe dalja e zgjedhësve në votime është e njejtë si në raundin e parë dhe duke pasur parasysh se partitë shqiptare në Strugë tashmë kanë apeluar që të gjithë simpatizantët e tyre ta mbështesin kandidaturën e Ziadin Selës për kryetar të komunës së Strugës, atëherë sipas të gjitha gjasave dhe të dhënave statistikore, kandidati i PDSH-së Ziadin Sela do të jetë në krye të komunës së Strugës në 4 vitet e ardhshme.

Megjithatë, asgjë nuk është e sigurtë nëse interesi për të votuar në raundin e dytë bie ndjeshëm, duke pasur parasysh se një pjesë e mërgimtarëve tashmë janë kthyer në vendet perëndimore, alternativa e vetme për ta kompensuar mungesën e tyre është dalja sa më masive e elektoratit shqiptar në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, ku gara mes kandidati maqedonas Vladimir koçovski dhe atij shqiptar Ziadin Sela është shumë e ashpër.

Sipas rezultateve të KSHZ-së për raundin e parë, nga 56.341 votues të regjistruar në Strugë, në 78 qendrat e votimit kanë dalë në votime 35.545 votues, ose 63.09% e elektoratit të përgjithshëm.

Vlladimir Koçoski nga koalicioni VMRO dhe LSDM, grumbulloi gjithsej 14.497 vota ose 41.11%, kandidati i PDSH-së, Ziadin Sela, ka marrë 11.414 vota ose 32.37%, ndërsa kandidati i BDI-së, Arben Labënishti, ka marrë 9.354 vota, ose 26.52%.

Sipas kësaj llogari, subjektet politike shqiptare së bashku kanë 20.768 vota ose 58.59% që domethënë 17.48% më shumë se subjektet politike maqedonase së bashku ose 6271 vota.

Sipas ekspertëve 6271 vota avantazh, ndaj partive maqedonase që u arritën në raundin e parë me 63.09% të elektoratit, janë të konsiderueshme, megjithatë jo të pathyeshme duke pasur parasysh përpjekjet e VMRO-së dhe LSDM-së që me gjitha format përpiqen që ta fitojnë kandidatin shqiptar në Strugë, madje edhe dukë bërë koalicion që në raundin e parë mes tyre. 

Ekspertët theksojnë se për dallim nga raundi i parë, votuesit shqiptarë kësaj here duhet të kenë motiv shumë më të lartë për të dalë në qendrat e votimit dhe për ta mbështetur kandidatin Sela dhe për ta fituar ‘betejën’ për Strugën, ata thonë se mobilizimi i partive shqiptare në këtë rast ka një rol vendimtar për rezultatin final.

Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 7 prill, ku qytetarët e Strugës do të përcaktojnë udhëheqësin e ardhshëm të kësaj komune, mes kandidatit Maqedonas Vlladimir Koçovski dhe atij shqiptar Ziadin Sela.

Lajme të ngjashme

Back to top button