RMV, nuk ka fushë që nuk është prioritet në ekologji, organizatat e shoqërisë civile kërkojnë veprim urgjent

Trajtimi i ndryshimeve klimatike, braktisja e lëndëve djegëse fosile dhe investimi në burimet alternative të energjisë, zbatimi i masave për përmirësim të cilësisë së ajrit, mbrojtja e tokës dhe zgjidhja e problemeve në pikat historikisht të nxehta nga ish-minierat apo objektet industriale, mbrojtja e biodiversitetit dhe rrallësive e bukurive natyrore, ndalimi i urbanizimit të Ohrit, krijimi i një sistem real për përzgjedhjen e mbetjeve, aktivizim i shërbimeve të inspektimit dhe ndëshkim i të gjithë atyre që e rrezikojnë mjedisin, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Lista e veprimeve që priten për të siguruar mjedis jetësor të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm në vend është shumë e gjatë. Nuk ka pothuajse asnjë fushë që nuk ka prioritete urgjente si dhe aktivitete afatgjata. Ekologjia prej dekadash ka qenë nën radarin e interesit të institucioneve dhe në vend të veprimeve me rezultate konkrete, shpesh është reduktuar në fraza politike. Qytetarët nuk shohin ndryshim dhe shumë gjenerata janë rritur me mbeturina në rrugë dhe lumenj të ndotur.

Ndryshimet duhet t’i nisim menjëherë ne, ndërsa organizatat e shoqërisë civile duhet të jenë korrigjues dhe nxitës të aktiviteteve të institucioneve. Ambientalistët janë të bindur se viti 2022 duhet të jetë vit i projekteve konkrete, e jo edhe një vit radhën e viteve të tjera kur problemet grumbullohen derisa autoritetet e kthejnë kokën anash.

Miratimi i ligjit për veprimin klimatik është një nga prioritetet që organizata civile “Go Green” mendon se duhet të realizohet këtë vit.

“Ligji tashmë është i vonuar dhe është shumë me rëndësi për ne të fillojmë të përmbushim disa prej qëllimeve”, thotë Milla Jovanovska, kryetare e “Go Green”. Prej kohësh po punohet në ligjin, me të cilin duhet të bëhet transponimi i plotë i legjislacionit të BE-së për klimën, i cili do të mundësojë zhvillim me nivel të ulët të karbonit dhe rezistencë ndaj krizës klimatike. Miratimi i tij u paralajmërua për vitin 2020, si edhe për vitin 2021, ndërsa vitin e kaluar u miratua Strategjia Afatgjatë për Veprim Klimatik.

Jetojmë në një shtet ku mbetjet trajtohen ende në mënyrë primitive, duke u hedhur në deponi që  kryesisht janë ilegale, thithim ajrin që është shpesh më i ndoturi në Evropë, ndonjëherë në edhe në shkallë globale, lumenjtë dhe toka tona janë të ndotura në nivele alarmante, e shkatërrojmë natyrën vazhdimisht dhe në mënyrë të pakthyeshme, po humbasim pasuri të madhe të biodiversitetit, konstatojnë nga organizata “Front 21/42”. Ata venë në pah jo një, por pesë pika, të cilat i konsiderojnë si prioritete për veprimin më urgjent këtë vit.

“Kërkojmë riparim të menjëhershëm të pikës së nxehtë ekologjike “Jugohrom” në Jegunovc. Është e pakuptueshme që me dekada lejohet kromi gjashtëvalent të rrjedhë në tokë dhe ujërat nëntokësore afër Rashçes, burimi kryesor i ujit për Shkupin. Kriza energjetike e ka zbuluar padyshim politikën e gabuar energjetike të deritanishme, që ka rezultuar me varësi të madhe nga importi i energjisë, qindra milionë euro që derdhen nga buxheti, natyrë të shkatërruar, ndotje alarmante të ajrit dhe mjedisit. Konsiderojmë se urgjentisht duhet të hiqen tarifat për hidrocentralet e vogla dhe të gjitha mjetet në dispozicion të investohen për përmirësimin e efikasitetit energjetike dhe subvencione për qytetarët për të investuar në panele fotovoltaike dhe diellore”, thonë nga “Fronti 21/42”.

Sipas kësaj organizate, edhe këtë vit, sikurse gjashtë vitet e kaluara, prioritet është edhe miratimi i Ligjit efektiv për shpalljen e serishme të Mavrovës park kombëtar dhe zbatimin e Vlerësimit Strategjik Mjedisor të të gjitha projekteve të planifikuara. Si organizatë e cila është veçanërisht e përkushtuar për mbrojtjen e rajonit të Ohrit, “Fronti 21/42” mendon se është më se urgjentisht e nevojshme ndalimi i shkatërrimit të pasurisë sonë më të madhe natyrore dhe kulturore.

“Për mendimin tonë, prioritetet kryesore janë miratimi urgjent i një moratoriumi të vërtetë për çdo transformim urban dhe të bregut të liqenit, ndërprerje të procedurave dhe anulimi i plotë i planeve urbanistike në bregun e liqenit dhe afër kënetës së Studençicës, miratimi i ligjit të ri për menaxhimin me rajonin e Ohrit, të cilin Qeveria e mban në sirtar që nga viti 2019 dhe Rregulloren për masat dhe aktivitetet në zonat mbrojtëse, miratimin e Ligjit për kënetën e Studençicës që do të sigurojë zonë mbrojtëse, heqjen e platformave të restorantit Ostrovo afër Shën Naumit dhe kthimi i natyrës në gjendjen fillestare”, thonë nga “Fronti 21/42”.

Shoqata ekologjike e Maqedonisë kërkon që një prej aktiviteteve kryesore me të cilat do të merren institucionet këtë vit të jetë zbatimi i ligjeve që kanë të bëjnë me natyrën. Krimet kundër natyrës, gjegjësisht krimi ekologjik më në fund duhet të bëhen prioritet i të gjitha institucioneve relevante.

“Pavarësisht nëse bëhet fjalë për gjueti ilegale të qëllimshme apo helmim të kafshëve, e deri te shitja dhe përdorimi jo i duhur i pesticideve për shkak të mosdijes, këto veprime shpesh kalojnë ”nën radarin “e institucioneve kompetente dhe shërbimeve inspektuese. Është e qartë se ka mungesë serioze të kapaciteteve të organeve të rendit, por edhe të shërbimeve inspektuese dhe kjo si rrjedhojë ua lehtëson rrethanat atyre që i kryejnë krimet”, tha Nenad Petrovski nga SHEM.

Problem shtesë është mos vlerësimi i duhur i peshës së këtyre krimeve nga sistemi i drejtësisë. Prokuroria Publike në mënyrë të përsëritur nuk i trajton këto raste si diçka që paraqet rrezik serioz për shoqërinë, derisa nuk ngritët fama mediatike. Sipas Dime Melovskit nga SHEM, procedura për sanksionimin e kundërvajtësve është burokratike dhe komplekse prandaj kundërvajtësit fitojnë mundësi të shmangin aktgjykimin, ndërsa rojet e rendit të gjuetisë apo rojet e pyjeve e humbin motivacionin kur kujtojnë se nëpër sa hapa duhet të kalojnë deri sa të arrijnë te caku, duke e rrezikuar sigurinë personale për një rezultat që nuk është gjithmonë pozitiv.

Sektori i mjedisit jetësor dhe i klimës në tërësi duhet të jetë prioritet nëse planifikojmë përmirësimin e situatës duke nisur zbatimin e strategjive kombëtare të miratuara; përndryshe ato mbeten vetëm në letër, vlerësojnë nga “Eko vetëdija” (Eko svest).

Problemi më urgjent, i cili shkaktohet pjesërisht nga planifikimi jo në kohë të duhur, pjesërisht nga vonesat në zbatimin e planeve dhe masave tashmë të miratuara dhe të cilit do t’i kushtohet vëmendje e madhe, është sigurisht sektori energjetik. Duhet të zgjidhet urgjentisht kriza energjetike, por në të njëjtën kohë të miratohen të gjitha programet dhe planet e vonuara në këtë sektor dhe të sigurohet zbatimi përfundimtar i tyre.

“Ne ende thithim ajër të ndotur, prandaj masat në sektorin e energjetikës duhet të jenë prioritet i vazhdueshëm”, thotë Elena Nikollovska nga “Eko vetëdija”. Ajo shton se mbrojtja e natyrës është një fushë tjetër në të cilën vendimmarrësit duhet të punojnë me shpejtësi dhe me intensitet të shtuar në vitin 2022, duke qenë se këtij sektori ende i mungon zbatimi real i shumë programeve dhe planeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button