Kallëzim penal nga MPB kundër kryetarit të Ohrit sepse nuk është izoluar por ka marrë pjesë në festë

Kryetari i Ohrit, Kiril Pecakov dhe një person tjetër kanë marrë kallëzim penal nga MPB-ja, pasi pas testimit për Covid-19 nuk kanë qëndruar në izolim por kanë marrë pjesë në manifestimin e organizuar për festën “Uji i Bekuar”, raporton 360Shkallë, transmeton Portalb.mk.

“Për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale të mos veprimit sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë, SPB Ohër ka ngritur kallëzim penal kundër KP (37) dhe AK (37), të dy nga Ohri. Më 19 janar 2022, personat në fjalë e kanë bërë testin e virusit korona dhe në vend të izolimit, në përputhje me vendimet për rekomandime për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet infektive, në të njëjtën ditë morën pjesë në manifestimin fetar publik “Uji i Bekuar” 2022, të organizuar në Ohër”, informojnë nga Ministria e Brendshme.

Për këtë çështje, ditëve të fundit ka pasur akuza të shpeshta mes pushtetit dhe opozitës, madje ka folur edhe vetë Pecakovi. Ai u ankua se ishte shënjestër e një “përndjekjeje qeveritare”. Ka pohuar se nuk ka pasur asnjë simptom, në mëngjesin e festës së “Ujit të Bekuar”, dhe është testuar në Qendrën për Shëndet Publik – Ohër, sepse ka pasur nevojë për vërtetim për udhëtim jashtë vendit.

“Normalisht, nuk kam qenë në izolim, sepse çfarë do të ndodhte nëse mijëra njerëz, për shkak të nevojës për të udhëtuar jashtë vendit, do të izoloheshin në pritje të rezultateve. Natyrisht, nuk ka asnjë shembull të vetëm që ndokush të ishte izoluar duke pritur rezultatet e PCR – testit për udhëtim jashtë vendit, kështu që unë atë ditë kam qenë me banorët e Ohrit që festonin festën e madhe të krishterëve. Po atë ditë, rreth orës 17:00 (e kam parë më vonë) mora një njoftim ku thuhej se kisha rezultuar pozitiv. Edhe pse nuk kam ndjerë asnjë simptom, kam marrë masa për izolim, ndërsa gruaja ime ka rezultuar negative”, tha Pecakov, duke shtuar se pasi nuk kishte simptoma, pas 36 orësh është testuar sërish dhe më pas ka dalë negativ.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button