RYCO shpalli listën përfundimtare të thirrjes së parë të hapur për Supershkollat

Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor  (RYRO) njofton se me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Arsimit me temën “Ndryshimi i kursit, transformimi i arsimit”, gjashtëdhjetë shkolla të mesme nga Ballkani Perëndimor janë përzgjedhur për të marrë pjesë në programin e Supershkollave të RYCO-s. Nxënësit dhe mësuesit do të kenë mundësinë të zbatojnë shkëmbimet shkollë me shkollë si dhe të marrin pjesë në aktivitete kushtuar ngritjes së kapaciteteve, rrjetëzimit dhe bashkëpunimit të tyre, transmeton Portalb.mk.

Nga atje shprehen se shënimi i sivjetshëm i Ditës Ndërkombëtare të Arsimit nënvizon se arsimi është çelësi për të përcaktuar rrugën për më shumë drejtësi dhe qëndrueshmëri. Pandemia e Covid-19 ka përkeqësuar një krizë arsimore para-ekzistuese. Pa veprime korrigjuese, mbështetje më të mirë për mësuesit dhe rritje të financimit, humbjet e të mësuarit dhe braktisja e shkollës do të vazhdojnë të rriten, duke përmbysur progresin drejt të gjitha Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe duke privuar të rinjtë nga një e ardhme e dinjitetit dhe mundësive.

“Kjo është arsyeja pse RYCO dhe GIZ, me mbështetjen e BEs dhe Gjermanisë, nëpërmjet investimit tek të rinjtë dhe edukimi i tyre, duan të kontribuojnë në ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe paqësore”, thanë nga RYCO.

Gjatë thirrjes së parë të hapur për Supershkollat, RYCO mori 127 propozime për shkëmbime ndërsa më shumë se 412 shkolla nga Ballkani Perëndimor përdorën platformën online https://superschools.net/ për rrjetëzim me shkollat e tjera. Komisioni përzgjedhës kishte detyrën e vështirë për të përzgjedhur 30 projektet më të mira që synonin mbështetjen e proceseve të ndërtimit të paqes dhe pajtimit si edhe të mësuarit ndërkulturor dhe dialogut ndërmjet shkollave, nxënësve dhe komuniteteve të tyre.

Zbatimi i projekteve do të jetë nga shkurti deri në maj 2022, kur secila shkollë do të organizojë një vizitë shkëmbimi në shkollën partnere që zgjat nga gjashtë deri në dhjetë ditë, me një grup deri në njëzet nxënës dhe një deri në dy mësues.

Nëpërmjet skemës së shkëmbimit, studentët dhe mësuesit do të kenë mundësinë të udhëtojnë, të prezantojnë veten, shkollat dhe zakonet e tyre tek shkolla mikpritëse dhe të mësojnë gjëra të reja për komunitetet lokale në pjesë të ndryshme të rajonit tonë.

Supershkollat është një program për shkëmbimin e shkollave në Ballkanin Perëndimor me objektivën për të mbështetur proceset e ndërtimit të paqes dhe pajtimit, si edhe të mësuarit  dhe dialogu ndërkulturor. Programi do të zbatohet për tre vjet. Projekti ka një buxhet total prej 5.5 milionë euro dhe kontribuon në objektivin e përgjithshëm për rritjen e aftësive dhe njohurive të të rinjve në Ballkanin Perëndimor duke përmirësuar sistemet arsimore dhe promovuar bashkëpunimin në rajon, përmes krijimit të një skeme rajonale të shkëmbimit të shkollave.

Ndryshe, RYCO është organizatë ndërqeveritare që drejton dhe promovon bashkëpunimin rajonal dhe ndërkulturor të të rinjve brenda dhe ndërmjet gjashtë shoqërive të Ballkanit Perëndimor. Programet e RYCO fokusohen në krijimin e mundësive për të rinjtë që të përfshihen në aktivitete që ndërtojnë mirëkuptim dhe pajtim të ndërsjellë në fushat qytetare, sociale, arsimore, kulturore dhe sportive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button