Të rinjtë e Kf. Vllaznimit shpresa e futbollit strugan

Skuadra e të rinjve të klubit futbollistik Vllaznimi këtë vit do të jetë pjesë e ligës futbollistike për të rinj të organizuar nga Federata e Futbollit të Maqedonisë, për Maqedonin jugperendimore që do të zhvillohet në qytetet e Strugës, Dibrës, Ohrit dhe Kërçovës.

Ky lloj garimi, i cili organizohet për herë të parë në Maqedoni do të përfshijë gjeneratat 2000, 2001/2002 dhe 2003/2004. Ndeshjet e para do të fillojnë të zhvillohen këtë të shtunë, ndërsa futbollistët e Vllaznimit do të jenë mysafirë në qytetin e Ohrit ku do të përballen me skuadrën e Feir Play.

“Qëllimi i pjesmarrjes në këtë aktivitet, është afirmimi i talentëve të rinj, dëshirojmë që të gjithë të rinjtë në Strugë të kenë mundësi që të zhvillojnë aktivitete sportive. Pjesmarrja në garë e shton edhe më shumë rivalitetin dhe dëshirën për tu angazhuar. Aktivitetet sportive për të rinj në qytetin tonë mungojnë, prandaj ne kemi për qëllim që sadopak të rinjve tju ofrojmë kushte dhe mundësi për tu marrë me sport” thekson trajneri i skuadrës së të rinjve të Vllaznimit, Seit Kreka. 

Kreka thekson se dëshira dhe vullneti i futbollistëve të rinj strugan është në nivel, andaj i vetmi shqetësim për momentin janë kushtet financiare të cilat nuk janë në nivelet e duhura.

“Në ligën futbollistike për të rinj, ne garojmë me dy skuadra, dhe atë, gjenerata e vitit 2000 dhe gjenerata e viteve 2001/2002. Të gjitha aktivitetet tona i mbulojmë me vetëfinancim, andaj do ishte e mirëseardhur ndonjë ndihmesë nga ndonjë sponsor apo dashamir i sportit.
Qëllimi ynë këtë sezon të parë është pjesëmarrja në këtë ligë, por ne kemi kualitete në skuadrat tona, andaj nuk përjashtojmë edhe mundësinë për të luftar dhe për të fituar këtë garë” shprehet trajneri Kreka, për Portalb.mk

Skuadra e Vllaznimit të Strugës që nga ekzistenca e klubit ka përmes shkollës së saj të futbollit ka prodhuar lojtarë që kanë arritur suksese edhe në futbollin evropian. 

Organizimet e këtij lloji ndiqen edhe nga menaxherë dhe përfaqësues të skuadrave të ndryshme të futbollit, prandaj ky do të jetë një motiv shtesë për të rinjtë e Strugës që përmes ndeshjeve në këtë garë të realizojnë ëndrrat e tyre dhe një ditë të paraqiten në klubet e njohura evropiane.

Lajme të ngjashme

Back to top button