fbpx

Trajtimi i mbeturinave të shtuara në deponinë Rusino

Këto mbetje, përveçse ndotin mjedisin jetësor, shkaktojnë edhe prishje të makinerive, dëmtojnë kontejnerët dhe pengojnë transportin e mbetjeve të tjera.

Ljupka Janevska
Ljupka Janevska

Deponia e paligjshme “Rusino” gjendet mbi Gostivar në Banjiçko Pole. E tillë si një “bombë” e kurdisur ekologjike që po rritet dita-ditës, era e saj e rëndë dhe e pakëndshme që përhapet prej saj ndihet pothuajse në qendër të qytetit. Tonelata të mbeturinave shpesh hudhen edhe pranë rrugës së asfaltuar, sepse hapësira tjetër është e mbushur përplot me mbeturina. Në këtë deponi hedhen përafërsisht 120.000-140.000 tonelata mbeturina në ditë, të cilat shpesh ndizen, dhe si rezultat erëra të rënda dhe tymi përhapen në Gostivar dhe rrethinë.

Paraprakisht, edhe mbeturinat e qytetit të Tetovës hidheshin në këtë deponi, nga ku transportoheshin 140.000 tonë mbeturina në ditë. Mbetjet e përditshme komunale që grumbullohen në deponi përbëhen nga mbetje të ngurta si mobilje shtëpiake, pajisje sanitare, materiale ndërtimi ose degë pemësh. Këto mbetje, përveçse ndotin mjedisin jetësor, shkaktojnë edhe prishje të makinerive, dëmtojnë kontejnerët dhe pengojnë transportin e mbetjeve të tjera.

Për shkak të shtimit të mbeturinave në vendgrumbullim, popullsia vendase, që jetonte aty pranë, filloi të ndjente shtimin e zjarreve të shpeshta dhe për të reduktuar ndotjen e mjedisit ata formuan nismën qytetare „Stop Rusino“ dhe Lëvizjen “Stop për deponinë në Rusino! Ajër të pastër për për Gostivarin!”. Rritja e numrit të zjarreve të shpeshta, sipas raportit mujor për muajin janar të vitit 2021, ka kontribuar në uljen e cilësisë së ajrit në Gostivar, kështu që vlerat nga stacionet matëse në Gostivar tregojnë se në janar vlera e grimcave PM 10 në ajër kishte tejkaluar vlerat normale.

Deponnia Rusino, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Deponnia Rusino, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Thelbi i problemit me deponinë e Rusinos është se vendndodhja, lartësia mbidetare dhe ujërat nëntokësore dhe mbitokësore janë krejtësisht të pafavorshme. Vendndodhja është në një lartësi mbidetare rreth 850 metra gjë që e vështirëson aksesin, sidomos gjatë periudhës së dimrit.

Gjithashtu ka inspektim dhe kontroll të pamjaftueshëm të deponisë së Rusinos për trajtimin e papërshtatshëm të mbeturinave (veçanërisht mbetjeve të rrezikshme) të përcaktuara me rregulloret që dalin nga Ligji për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligji për Menaxhimin e Mbetjeve dhe rregulloret përkatëse.

Megjithatë, sipas Ndërmarrjes Publike Komunale, arsyeja kryesore e krijimit të mbetjeve të mëdha është vetëdija e ulët dhe veprimet e pamatura të disa qytetarëve, të cilët hedhin mbeturina gjithandej, si dhe mekanizimi dhe mjetet e kufizuara të punës.

Deponnia Rusino, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Deponnia Rusino, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Nxitja e masave për të reduktuar krijimin e mbetjeve në të ardhmen

Në Planin Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve 2020-2030 janë përcaktuar tashmë zgjidhje praktike të favorshme për trajtimin e deponisë së Rusinos, por edhe për vendgrumbullime dhe qytete të tjera ku ka një sasi të madhe mbeturinash. Në këtë plan, është e nevojshme që sistemi institucional i menaxhimit të mbetjeve të zhvillojë një menaxhim gjithëpërfshirës të mbetjeve në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe rregullat e tyre të menaxhimit të mbetjeve, në mënyrë që të arrihet trajtimi i sigurt mjedisor dhe asgjësimi i mbetjeve të tepërta në një mënyrë që i përshtatet më së miri situatës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë, krahas nevojës për reforma në strukturën organizative, teknike, financiare dhe kuadrin ligjor, në Planin Kombëtar është e nevojshme t’i kushtohet më shumë vëmendje edhe masave të përshkruara në tekstin më poshtë.

Masat për reduktimin e mbetjeve janë një instrument praktik për trajtimin e sasisë së madhe të mbetjeve që krijohen dhe grumbullohen vazhdimisht në Rusino. Kështu, është e nevojshme të ndërtohen impiante për klasifikimin dhe kompostimin e mbetjeve të ndryshme që hidhen aty. Kjo do të zvogëlojë sasinë e mbetjeve komunale të biodegradueshme.

Gjithashtu, prokurimi i kontejnerëve të standardizuar të mbetjeve do të kontribuojë në uljen e depozitimit të mbeturinave shtëpiake në ambalazhe jo standarde dhe në këtë mënyrë do të përmirësojë kushtet higjieno-sanitare sepse në këtë mënyrë nuk do të kishte erëra të pakëndshme.

Për më tepër, rehabilitimi i disa deponive të paligjshme në vendbanime dhe grumbullimi dhe transportimi i mbeturinave në deponinë përkatëse do të kontribuojë në ndarjen dhe reduktimin më të madh të tyre.

Deponia "Rusino", foto: Portalb.mk
Deponia “Rusino”, foto: Portalb.mk
Ripërdorimi dhe riciklimi

Ripërdorimi dhe riciklimi i mbetjeve është i rëndësishëm sepse lejon ridestinimin e mbetjeve të ricikluara të plastikës, qelqit ose letrës. Mundësia për të ridestinuar mbetjet e ricikluara dhe ripërdorimin e tyre për diçka që do të kontribuonte në krijimin e një produkti ose materiali është me të vërtetë një përfitim i madh social dhe shoqëror për gjithë shoqërinë në tërësi.

Sipas dokumentit të planifikimit të “Planit Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve 2020 – 2030”, formimi i një rrjeti qendrash riciklimi mbetjesh, veçanërisht në zonat që nuk marrin shërbime të grumbullimit derë më derë do të kontribuojë në rritjen e procesit të riciklimit dhe të ripërdorimit të dobishëm të mbetjeve. Gjithashtu, përgatitja e materialeve promovuese për fushatat dhe eventet edukative përmes të cilave familjet dhe kompanitë do të informohen lidhur me riciklimin në nivel kombëtar do të kontribuojë në rritjen e ndërgjegjësimit të publikut të gjerë për rëndësinë shoqërore të riciklimit dhe ripërdorimit të mbetjeve.

Deponia "Rusino", foto: Portalb.mk
Deponia “Rusino”, foto: Portalb.mk
Përpunimi i mbeturinave bio (bio-mbeturina)

Megjithëse Direktiva për deponitë nuk parashikon opsione specifike për trajtimin e mbetjeve biologjike, ekzistojnë disa opsione specifike të trajtimit të mbetjeve biologjike (djegia, kompostimi dhe tretja anaerobe). Përfitimi më domethënës i këtyre opsioneve të trajtimit të mbetjeve bio do të ishte prodhimi i energjisë në formën e biogazit, pasi kontribuon në cilësinë më të mirë të tokës dhe redukton varësinë nga energjia.

Ky koncept duhet parë si një instrument i mirë për zgjidhjen e problemeve që lidhen me menaxhimin dhe reduktimin e mbetjeve dhe në të njëjtën kohë të kontribuojë në përmirësimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike në nivel kombëtar.

Deponia "Rusino", foto: Portalb.mk
Deponia “Rusino”, foto: Portalb.mk
Rritja e ndërgjegjësimit public

Ngritja e vetëdijes publike jo vetëm në territorin e qytetit të Gostivarit, por edhe në nivel kombëtar është një nga hapat më të rëndësishëm që do të kontribuojë për mbrojtjen e mjedisit.

Ndërgjegjësimi publik rritet përmes pjesëmarrjes në seminare, trajnime dhe evente të ndryshme. Marrja e njohurive dhe ndërgjegjësimit për mjedisin është një proces i përjetshëm dhe mund të krijojë një shoqëri të përgjegjshme e cila kujdeset për mjedisin.

Trajtimi i problemit me deponinë “Rusino” është një sfidë e vërtetë, sepse mbeturinat janë një nga problemet kryesore mjedisore në shumë vende evropiane, përfshirë edhe Republikën e Maqedonisë së Veriut. Nevoja për miratimin e masave të mësipërme vetëm më tej tregon faktin se institucionet në nivel lokal dhe kombëtar duhet të angazhohen më shumë në këtë drejtim. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Këshilli i Komunës së Gostivarit dhe Iniciativa Qytetare “Stop Rusino” janë ndër palët më të rëndësishme për reduktimin e mbeturinave në deponinë Rusino.

Së bashku me masat e propozuara dhe miratimin e akteve apo dekreteve të detyrueshme me fuqi ligjore që do të rrisin inspektimin dhe kontrollin e mbetjeve që hidhen çdo ditë në Rusino do të kontribuojnë në menaxhimin më efikas të mbeturinave dhe e gjithë kjo është me rëndësi jetike për mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, si dhe reduktimin e mbeturinave.

Burimi: Respublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button