Prokuroria nisi hetimin për FSHF, Veliaj reagon për audion e publikuar

Federata Shqiptare e Futbollit do të hetohet për krime ekonomike dhe financiare. Prokuroria e Tiranës ka regjistruar rastin pas referimit nga policia rreth 1 muaj më parë, raporton EN. Hetimi do të kryhet në një kohë kur FSHF është në proces për të zgjedhur kreun e federatës.

FSHF ka publikuar një audio të kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë mbledhjes së mbajtur pasditen e 23 janarit 2022 me anëtarë të Shoqatës Rajonale të Futbollit në Tiranë dhe akuzojnë për ndërhyrje në zgjedhjet e FSHF-së.

Në një reagim për media, Veliaj thotë se është përfshirë në këtë çështje si aksioner i ekipit të Tiranës dhe jo si përfaqësues  politik i PS.

“Askush të mos ngatërrojë përkatësinë time në PS me përfshirjen time si aksioner në këtë proces zgjedhor të manipuluar nga beu i FSHF-së, apo të nxjerrë jashtë konteksti një bisedë djemsh, si në çdo fushë futbolli para ndeshjes”, thuhet në reagim.

Bashkia e Tiranës, aksionere e ekipit të Tiranës, ka kërkuar hetim ndërkombëtar për kreun aktual të FSHF, Armando Duka.

Duka ka kërkuar një mandat të 6 në krye të FSHF-së. Përballë tij është në garë komentatori Dritan Shakohoxha.

Presidenti Ilir Meta e ka cilësuar tendencë për të politizuar futbollin përplasjen hetimin e nisur nga prokuroria për FSHF.

“Dënoj çdo ndërhyrje të politikës, çdo ndërhyrje që synon shantazhin ndaj atyre që duan të zgjedhin bazuar mbi programin dhe alternativën e kandidatëve dhe kurrsesi në presionin dhe shantazhin e pushtetarëve”, tha Meta.

Për kreun e shtetit kjo përpjekje është hasur më parë dhe ka për qëllim ndërhyrjen në zgjedhjet e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Partia Demokratike përmes një deklarate për mediat mbi përgjimin e publikuar nga FSHF ka dënuar presionin që kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj po ushtron në Shoqatën Tirana.

“Kjo është mënyra kriminale se si vepron Rilindja e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, mënyra e shëmtuar se si shantazhojnë jo vetëm në zgjedhjet për FSHF por edhe në zgjedhjet e qendrore dhe lokale”, thuhet në reagim.

Për audion e publikuar nga FSHF ka reaguar dhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili thotë se mazhoranca po kërkon të marrë nën kontroll Federatën Shqiptare të Futbollit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button