Me vonesë tre mujore, Qeveria planifikon në mars të miratojë Ligjin për veprim klimatik

Në vend se në fund të vitit të kaluar, miratimi i Ligjit për veprim klimatik, është planifikuar të hyjë në procedurë qeveritare në fund të tremujorit të parë të këtij viti, përkatësisht në muajin mars, bëjnë të ditur Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ministria sqaron se vonesa tre mujore është për shkak të harmonizimit dhe përshtatjes së zgjidhjeve në nivel kombëtar me rregulloret e reja të BE-së. Njëkohësisht, para se të vije në seancën e qeverisë, në këtë tremujor do të bëhen konsultime publike për Ligjin e propozuar për veprimin klimatik, në përputhje me obligimet ligjore dhe nevojën për transparencë të procesit.

Ministria e Mjedisit thotë se sapo të kalojë seancën e qeverisë, ky ligj do të kalojë menjëherë në Kuvendin e RMV-së.

“Dinamika e miratimit përfundimtar të Ligjit për veprim klimatik varet nga qëndrimi dhe puna e deputetëve në Kuvend”, thonë nga Ministria, pa specifikuar afatin deri kur vendi mund të posedojë këtë ligj.

Miratimi i Ligjit për veprim klimatik për këtë vit është kërkuar qartë nga Komisioni Evropian në Raportin për progresin e reformave të Maqedonisë së Veriut për vitin 2021, i cili u publikua në tetor, duke theksuar dështimin e miratimit të këtij ligji vitin e kaluar dhe nevojën për të bërë më shumë përpjekje në zbatimin e premtimit të bërë nga vendi në lidhje me Marrëveshjen e Parisit për vepriminn klimatik.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini më 20 tetor të vitit të kaluar tha se pret që Ligji për veprimin klimatik të dorëzohet në Qeveri deri në fund të vitit të kaluar dhe sa më shpejt të miratohet në Kuvendin e RMV-së. Që atëherë vendi ka bërë premtime të reja për veprimin klimatik në Konferencën e Ndryshimeve Klimatike (COP 26) të mbajtur në nëntor në Gllasgou të Skocisë.

Maqedonia e Veriut është nënshkruese e Paktit të Gllasgout për Klimën, me të cilin është zotuar të përshpejtojë ritmin e veprimit klimatik që do të kufizojë rritjen globale të temperaturave mesatare të ajrit, brenda pragut 1.5 gradë Celsius të rënë dakord në Marrëveshjen e Parisit.

Vendi ynë ka rënë dakord të rishikojë dhe forcojë objektivat e tij aktuale të emetimeve deri në vitin 2030, i njohur si Kontributi Kombëtar i Identifikimit (NOC), në vitin 2022. Kjo duhet të kombinohet me tryezën vjetore politike për të rishikuar Raportin e Progresit Global dhe Samitin e Lidershipit 2023. Gjithashtu, Maqedonia e Veriut është e përkushtuar për lirimin gradual të qymyrit, në mënyrë që në rajon në vitin 2030 të jemi të parët që do të largohemi nga prodhimi i energjisë elektrike nga qymyri.

Në fund të verës së kaluar, vendi miratoi Strategjinë e parë afatgjatë të veprimit klimatik, me të cilën Qeveria e RMV-së vendosi synime afatgjata për reduktimin e emetimeve neto kombëtare të gazeve serrë. Kështu, deri në vitin 2050 synohet që vendi të reduktojë emetimet neto me 72 për qind, duke përjashtuar emetimet nga aviacioni dhe importet e energjisë elektrike. Strategjia parashikon investime për të krijuar 10,000 vende pune të gjelbra deri në vitin 2035, të cilat do të krijojnë 2.7 herë më shumë vende pune se numri aktual i të punësuarve në termocentralet me qymyr në vend.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut vitin e kaluar u përfshi nga zjarret katastrofike të pyjeve gjatë verës, të shoqëruara me periudhë të thatë dhe valë të zgjatura të nxehtit. Në vitin 2016 Shkupi u godit nga përmbytjet katastrofike, ku humbën jetën 22 persona. Vendi ndodhet në një rajon që është shumë i ekspozuar ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike, të cilat sjellin fatkeqësi të tilla dhe të ngjashme në një shkallë më të madhe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button