Është përkthyer raporti i ekspertëve gjerman për spitalin modular në Tetovë, prokurorët filluan shqyrtimin

Prokuroria Themelore Publike ka pranuar raportin e përkthyer nga hetimi i zjarrit në spitalin modular të Tetovës, të kryer nga ekspertët dhe hetuesit gjerman, njoftojnë nga Prokuroria Publike. Tani pesë prokurorët që punojnë në rastin konkret kanë filluar shqyrtimin e raportit për të përcaktuar shkaqet dhe çfarë do të ndërmerret në drejtim të procedurës së mëtutjeshme, transmeton Fokus.

“Raporti i përgatitur nga ekspertët gjerman është përkthyer dhe dorëzuar deri te Prokuroria Themelore-Tetovë. Prokurorët kompetent po e shqyrtojnë, ndërsa të dhënat do të krahasohen me dëshmitë e tjera të lëndës. Prokuroria po punon në mënyrë intensive që detajisht të vërtetohen të gjitha faktet për fatkeqësinë. Varësisht nga ajo se çfarë do të vërtetohet, do të miratohet vendim për procedurën e mëtejme”, njoftojnë nga Prokuroria Themelore Publike.

Raporti i ekspertëve gjermanë arriti para një jave, ndërsa përbëhet prej 7 fletëve.

Ekspertiza gjermane është kërkuar përmes asistencës ndërkombëtare juridike, që do të thotë se mund të përdoret në një procedurë të mundshme gjyqësore, transmeton Portalb.mk.

Deri më tani janë kryer tri ekspertiza. E para është realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka konstatuar se kontakt i shkurtë i energjisë elektrike gjatë reanimimit të një pacienti e ka djegur një kabllo shtesë, pas çka ka shpërthyer zjarri. E dyta është e Fakultetit të Teknologjisë, për të cilën nuk ka detaje për gjetjet dhe e treta është bërë nga një elektro-inxhinier për instalimet në spital.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga koronavirusi, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button