RKS: Kuvendi në seancë të jashtëzakonshme për shtrenjtimin e rrymës

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme lidhur me paralajmërimet për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike, raporton REL, transmeton Portalb.mk.

Seanca e së hënës është thirrur me kërkesë të partive opozitare: Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe ka për qëllim që në fund të debatit të miratohet një rezolutë, që do të bënte thirrje për parandalimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, gjatë prezantimit të çështjes për diskutim tha se seanca është thirrur për ta “ballafaquar paaftësinë e Qeverisë” me krizën energjetike, duke shtuar se ekzekutivi i kryeministrit Albin Kurti, ka shpërfillur krizën derisa ajo goditi qytetarët.

“Thirrja e seancës së jashtëzakonshme për energjinë elektrike tregon një përgjegjshmëri të lartë politike opozitare karshi kësaj situate. Por, në anën tjetër tregon edhe një papërgjegjësi jashtëzakonisht të madhe të këtij kryeministri që sot kur ka një debat kaq të rëndësishëm dhe kur ka një preokupim kaq të madh të qytetarëve të Republikës së Kosovë, që kanë filluar të përballen me reduktime të ashpra, dhe në anën tjetër me rritjen e çmimeve të energjisë elektrike, ai nuk e gjen kurajën dhe vullnetin për të qenë në këtë seancë”, tha Tahiri.

Megjithatë, kryeministri Kurti erdhi në seancë pak pasi e njëjta filloi.

Tahiri shtoi se për 20 vjet, qytetarët e Kosovës e kanë paguar më së liri energjinë elekrike në rajon dhe Evropë.

Por, shefja e Grupit Parlamentar e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se kjo seancë është thirrur nga opozita që të fitojë poenë politikë.

“Ajo që po ndodh aktualisht nuk është kërkesa e juaj për të thirrur seancë për të gjetur zgjidhje, por është kërkesë për seancë për të bërë luftë politike”, tha Kusari-Lila.

Kusari-Lila, megjithatë tha se të gjithë kanë të drejtë të brengosen për situatën e krijuar, por shtoi se këtë situatën nuk e kanë shkaktuar atë, “por e trashëguam”.

Në Kosovë është paralajmëruar rritja e çmimit të rrymës, pasi, siç ka thënë Qeveria, vendi po blen rrymë me çmime të larta dhe nuk po mund të plotësojë kërkesën me prodhimin e rrymës në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka propozuar rritje të çmimeve të energjisë për amvisëritë për 9 për qind. Qeveria ka thënë se ka ndarë 75 milionë euro që të subvencionojë një pjesë të faturave të energjisë.

Sa pritet të jenë faturat e energjisë?

Në propozimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, konsumatorët janë ndarë në pesë kategori: A, B, C, D, E.

Nëse jeni në kategorinë A, pra nëse gjatë një muaji shpenzoni 300 kilovatë orë energji elektrike, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 18.87 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 20.40 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 18.87 euro.

Nëse jeni në kategorinë B, apo gjatë një muaji shpenzoni 450 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 27.37 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 29.66 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 27.37 euro.

Nëse jeni në kategorinë C, që do të thotë se për një muaj shpenzoni 600 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 35.86 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 38.92 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj mbetet e njëjtë: 35.86 euro.

Nëse jeni në kategorinë D, pra nëse gjatë muajit shpenzoni 800 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 47.19 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 74.17 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 59.50 euro.

Nëse jeni në kategorinë E, që do të thotë se gjatë muajit shpenzoni 1000 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 58.52 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 109.42 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 83.14 euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button