Feminizmi, rinia dhe “Bigcommerce”

I. Patriarkati, që në nënqiellin ka qenë dominant, është duke humbur bojën. Sot, femra po fuqizohet dhe po i hap shtigjet e veta të jetës, duke e relativizuar hegjemoninë mashkullore. Për sa i përket shkollimit madje edhe në familjet më konservatore nuk diskutohet arsimimi i vajzave, nga fillorja deri në titujt shkencorë. Fryma e kohës, feminizmi, rrjetet sociale i demokratizojnë raportet brendafamiljare dhe më gjerë. Kufizimet (nëse i vë) femra sot i vë vetë, nga bindjet e veta, jo nga imponimi i jashtëm, qoftë prind apo regjim. Kjo është më e mira, secili ta ndërtojë botëkuptimin dhe mënyrën e vet të jetesës lirshëm, nga leximet e veta që ia bën realitetit, historisë, tekstit, artit, fesë, kulturës, demokracisë, globalizmit. Gruaja në Maqedoninë e Veriut si edhe edhe ajo shqiptare në përgjithësi nuk është më si ajo e të kaluarës. Është emancipuar, është shkolluar dhe ka nisur të bëhet faktor në çdo pore të jetës. Ajo është kryetare komune, deputete, dekane dhe në shumë poste e statuse me peshë. S’duhet përçmuar as shpianiken, gruan e cila rri dhe punon në shtëpi për shkaqe të ndryshme; edhe ajo është një valvulë e rëndësishme e jetës shoqërore.

Para do kohe një medium kërkoi opinionin tonë lidhur me njërin nga segmenet që prek feminitetin, relacionin femra- trafiku, gjegjësisht grahja apo vozitja e makinave të rënda të komukacionit dhe kategoritë si D dhe E që mendohen si tipike mashkullore? Fiksacioni për kategori të vozitjes sipas gjinisë është çështje e perceptimit, mendësisë dhe kontekstit shoqëror, ndonëse shikuar globalisht femrat në përqindje më të vogël sesa meshkujt vozisin kamionë, maunë ose autobusë. Sipas Shoqatës Amerikane për Transport me Maunë në vitin 2019 vetëm 6.9 % të shoferëve kanë qenë femra. Nga 315.000 të tillë në Britani vetëm 2200 janë femra. Tek ne kjo përqindje është edhe më e vogël: pra një femër që vozit autobus urban ose një makinë të madhe konsiderohet se po bën diçka të panatyrshme, sepse timoni i maunit konsiderohet burrëror, që paraqet një shembull tipik të stereotipizimit. Pra, ka punë tradicionale që duken femërore ku mashkulli në raste të caktuara është më i mirë se femra, si në kuzhinieri (shembulli Rene Rexhepi). Mund të ketë edhe profesione në dukje mashkullore ku femra mund të arrijë më shumë se mashkulli (rasti Heather M. Thomason, kasape dhe themeluese e “Primal Supply Meats”).

II. Një fjalë popullore thotë: “I riu si veriu!” Sot, në dekadën e tretë të shekullit e kemi empirikisht të vërtetuar faktin se kemi një brez të rinjsh që s’e duan punën, që në moshën më dinamike dhe më aktive janë pjesa më inaktive e shoqërisë, që jetën e shohin me syze diametralisht të kundërta nga ato të prindërve të tyre, që duan të jetojnë mirë por s’duan t’i shfrytëzojnë as aftësitë e tyre mendore as ato fizike, që shpesh jetojnë me pensionet e prindërve si dhe me remitencat e familjarëve që jetojnë në Perëndim apo diku tjetër. Kjo kategori sociale mund të cilësohet si “pensionistët e hershëm”, një sintagmë kjo e panatyrshme sepse bëhet fjalë për rinistë në pranverën e jetës së tyre, kur sipas të gjitha parametrave ata duhet ta bëjnë ekonominë shtëpiake, kur duhet të formojnë familje, kur duhet të jenë forca motorike e shoqërisë. Është e habitshme se përtacia nga njëra anë dhe kërkesat maksimale nga tjetra, po bashkohen te kjo popullatë që rrezikon ardhmërinë tonë si bashkësi, si shoqëri. Puna është kushti themelor i prosperitetit, është normë shoqërore, dhe ata popuj që nuk kultivojnë brez të zellshëm rrezikojnë mbijetesën. Puna e bën njeriun njeri. “Fajin” pak e kanë edhe kurbetqarët që furnizojnë individë të këtillë, që pastrohen gjoja se moralisht, por i dëmtojnë brezat dhe ardhmërinë tonë. Duhet t’i mësojmë të rinjtë që të qëndrojnë në këmbët e veta, jo “të jetojnë me ujë nga pusi i komshiut”.

III. Dhe një fenomen edhe më aktual që trondit shoqërinë, familjarë, sociologë, teologë, buxhete: epidemia apo çështja e bigcommerce, kriptovalutave dhe platformave online të avancimit ekonomik, një trend marramendës dhe tmerrues, që shikuar sociologjikisht një pjesë të mirë të popullatës, në veçanti atë rinore e ka “okupuar mendërisht”, e ka bërë që ta hedhë mënjanë ose nga agjenda e vet “kulturën e punës tradicionale”; e ka bërë të jetojë me fantazitë e pasurimit të çastit, e shndërrimit në milioner për një kohë të shkurtër, në një momentum të kalimit në “qiellin e shtatë” të financave, të shndërrimit në “game winner”. Kjo është një gjendje e patologjisë dhe mashtrimit masiv që than damarët e dinamizmit social, që krijon “fiksion”, iluzionizëm dhe deprimim fatal, depresion social, ngaqë jetohet mes shpresës së madhe dhe ambisit, ngase shifrat dhe vizualiteti i displayit të celularit apo të laptopit bëhen determinantë në përditshmërinë e shumë njerëzve. Kjo s’i lë të rinjtë të koncentrohen te mësimi, studimet, obligimet e tjera të përditshmërisë së tyre. Në këtë arenë të re të kërkimit të profitit, në këto aplikacione fantome, s’dihet se kush është objekt e kush subjekt, kush jep e kush merr, derisa të ndodhë fundosja e madhe, që para dy ditësh u shpall se ndodhi: “Aplikacioni ‘Big Comerce+’ ashtu siç pritej ka rezultuar një big scam (mashtrim i madh); Prej 3 ditësh kur dhe ndodhi ndryshimi i domenit të aplikacionit, pranon por nuk kthen paratë për shfrytëzuesit e vet.” Jozyrtarisht mësohet se qytetarët e RMV-së humbën në BigCommerce rreth 80 milionë euro. Dhe tani… si më tutje? Nëse jeni të rinj a studentë kthejuni librave, ju të tjerët kthejuni punës, se vetëm ajo është produktive, rizk hallall si loti, ju mban gjallë dhe të lumtur, maje edhe kur fitoni pak! Ruajuni mëkateve/krimeve kibernetike. Identity theft, phishing, pyramid schemes janë disa prej tyre. Dijeni që s’punojnë për ju as Ebay, as Walmart, as Wish e as Amazon, as ndonjë Big boss a platformë! Me ëndrra s’jetohet!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button