ANALIZË:  Rritje më e lartë e çmimeve e regjistruar në RMV që nga viti 2014 – 2021 viti i shtrenjtësisë!

Rritja e çmimeve me pakicë për 6% në dhjetor të vitit 2021 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2020. Shpenzimet e jetesës janë rritur për 4.9%. Këto vlera janë më të lartat e regjistruara në muajin dhjetor që nga viti 2014 e deri më tani. Analizat botërore tregojnë se çmimet e metaleve dhe të ushqimeve pritet të rriten edhe këtë vit. Parashikimet e brendshme flasin për stabilizim të çmimeve në gjysmën e dytë të këtij viti, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Çmimet e ushqimeve dhe të metaleve do të rriten – nafta do të bëhet më e lirë…

Imunizimi masiv, përhapja e shpejtë e llojit të ri të “Omikron” të koronavirusit dhe gjendja e çmimeve të energjisë elektrike në mbarë botën janë faktorët kyç që do të përcaktojnë këtë vit të ri ekonomik. Prej tyre do të varet nëse do të nisë një proces e rimëkëmbjes më të fortë ekonomike apo do të pasojnë kufizime të reja, që do të jenë futje në një episod të ri krize që do të sjellë sërish një cunami çmimesh.

“Rreziku kryesor negativ mbetet i lidhur me rrjedhën e ardhshme të pandemisë, me ç’rast ekziston shqetësim se dinamika e pakënaqshme e procesit të vaksinimit masiv në nivel global dhe joefektiviteti i mundshëm i vaksinave ekzistuese për variantet e reja të koronavirusit, veçanërisht në kontekstin e përhapjes globale të variantit të ri “Omikron” mund të çojë në masa më të rrepta kufizuese, përkeqësim të flukseve tregtare globale dhe ndërprerje më të theksuar të zinxhirëve të furnizimit global. Një rrezik shtesë është edhe shtrëngimi i mundshëm i parakohshëm dhe më i theksuar i politikës monetare në vendet e zhvilluara, me efekte të pafavorshme edhe për vendet me rritje të shpejtë me nivele të larta të borxhit” – thuhet në hulumtimin e fundit të Bankës Popullore.

Një nga rreziqet kryesore do të jetë beteja me krizën energjetike – nëse trendi rritës i çmimeve botërore të energjisë vazhdon për shkak të mosbalancimit ndërmjet ofertës dhe kërkesës, sipas BPRM-së, kjo do të kishte ndikim negativ në rimëkëmbjen e aktivitetit ekonomik botëror.  Faktor rreziku do të jetë edhe rritja e çmimit të produkteve themelore.

“Për vitin 2021-2022 pritet rritje kryesisht më e lartë e çmimeve të produkteve themelore, ndërsa për vitin 2023 pritet që shumica e tyre të kenë rënie më të madhe të çmimeve. Megjithatë, lëvizjet dhe vlerësimet e çmimeve të mallrave parësore janë jashtëzakonisht të ndryshueshme, dhe aktualisht janë nën ndikimin e zhvillimeve që lidhen me pandeminë e Kovid-19, gjë që krijon një pasiguri më të madhe në lidhje me dinamikën dhe efektet e tyre të ardhshme në ekonominë e vendit, si në afat të shkurtër ashtu edhe në afat të gjatë” – theksojnë nga BPRM-ja.

Pritet të ketë rënie të çmimit të naftës – por, si pasojë e pritjeve për ulje të kërkesës për shkak të përhapjes së shpejtë të variantit të ri të koronavirusit – Omikron. Por, këtë vit pritet rritje e mëtejshme e çmimeve të metaleve.

“Pritet ende rritje e çmimit të nikelit dhe bakrit, sidomos në vitin 2021”- thuhet në hulumtimin e BPRM-së.

Arrihet kulmi i çmimeve – stabilizimi në gjysmën e dytë të vitit 2022…

Shpenzime më të larta për ushqimin, transportin, kulturën, shëndetin, restorantet – të dhënat e përmbledhura për vitin 2021 tregojnë se viti i kaluar u karakterizua me rritjen e çmimeve. Në dhjetor të vitit 2021, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2020, indeksi i shpenzimeve të jetesës është rritur për 4,9%, ndërsa indeksi i çmimeve me pakicë për 6%.

Infografik shpenzimet e jetesës

Viti i kaluar 2021, krahasuar me vitin 2020, përmes indeksit të çmimeve me pakicë ishte më i shtrenjtë për 4,3% ndërsa përmes shpenzimeve të jetesës për 3,2%. Sipas analizave të institucioneve vendase, stabilizimi i çmimeve pritet në gjysmën e dytë të vitit. Nga Banka Popullore, e cila është përgjegjëse për ruajtjen e stabilitetit të kursit të valutës vendase, thonë se situata po monitorohet nga afër dhe se për momentin nuk ka nevojë për masa që do të çonin në shtrëngim të politikës monetare.

“Ende është e theksuar pasiguria në lidhje me ndryshimet e çmimeve, në përputhje me efektet e pasigurta ekonomike që lidhen me zhvillimin dhe menaxhimin e pandemisë, si dhe nga pasiguria në rritje në tregjet botërore të energjisë. Nëse rritja e çmimeve është e një natyre të zgjatur dhe ndikon ndjeshëm në pritjet inflacioniste, Banka Popullore është e gatshme për një reagim të duhur me instrumentet që i ka në dispozicion” – është konstatuar në Komisionin e Politikës Monetare Operative të Bankës Popullore.

Sipas parashikimeve aktuale të qeverisë, këtë vit inflacioni duhet të stabilizohet në nivelin 2,4%. Viti 2022 nisi me rritje të çmimeve të ngrohjes qendrore, të energjisë elektrike dhe të derivateve të naftës. Në vitin e ri ekonomik, vazhdoi edhe trendi i rritjes së çmimeve të patundshmërive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button