Zjarri në fabrikën e bukës në Manastir është vënë nën kontroll (VIDEO)

Është vënë nën kontroll zjarri i madh që shpërtheu sot pasdite në fabrikën e bukës dhe brumërave “Zhito Bitola”, tha komandanti i Njësitit Zjarrfikës në Manastir, Goran Dimkoski, transmeton Portalb.mk.

“Nuk u lejua zgjerimi i zjarrit tek objektet përreth. Zjarrfikësit po mbarojnë së shuari pjesën e objektit kryesor që po digjej dhe objektin ngjitur me të, ku kushtet për shuarje janë më të vështira. Ekipi i zjarrfikësve që shuanin zjarrin për katër orë u zëvendësua me ekip tjetër”, tha komandanti.

Nga zjarri nuk ka të lënduar, por dëme të mëdha materiale janë shkaktuar në objektin kryesor të fabrikës e cila është në pronësi private.

Zjarri ka përfshirë objektin e vjetër të “Zhito Bitola” e cila menaxhohet nga “Agro Mekanizacija – Zhito Bitola”.

Është shumë herët të thuhet se çfarë e shkaktoi zjarrin, por ka dy versione. Sipas njërës, zjarri ka filluar nga furra e bukës, e sipas tjetrës, nga çatia.

“Zhito Bitola” në periudhën e socializmit dhe në vitet e tranzicionit, ishte një nga objektet më të mëdha të fabrikës në Manastir. Por pasi falimentoi, u privatizua dhe persona privatë blenë disa nga objektet e fabrikës dhe rifilluan prodhimin e bukës dhe miellit.

Nëntë automjete zjarrfikëse dhe 27 zjarrfikës kanë luftuar me zjarrin, tha para mediave kryetari i Komunës së Manastirti, Toni Konjanoski.

“Me sa jemi të informuar në objekt kanë qenë dy persona, të cilët e kanë lëshuar objektin me kohë. Të gjithë kapacitete e ekipit të zjarrfikësve në Manastir janë në terren. Bëhet fjalë për 9 automjete dhe 27 zjarrfikës, të cilët janë në terren. Është kërkuar ndihmë edhe nga TEC Manastir, automjeti i tyre kundër zjarrit është rrugës. Është ofruar ndihmë edhe nga qytetet tjera për rreth, Kavadari dhe të tjerë” tha para mediave, kryetari i Komunës së Manastirit, Toni Konjanoski.

Ndërsa dhe MPB dërgoi kumtesë për të njejtin.

“Me datë 23.01.2022 në ora 17.20 në SPB Manastir është raportuar se ka rënë zjarr në fabrikën e bukës që ndodhet në pjesën industriale të Manastirit. Menjëherë janë dërguar ekipet e njësitit zjarrfikës territorial Manastir dhe zyrtarë policorë dhe janë marrë masa për shuarjen e zjarrit. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar”, thanë nga MPB për zjarrin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button