Kovaçevski: të gjithë punëtorët në RMV që punojnë të dielën patjetër të marrin të paktën 50 % më shumë mëditje

Kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski, i cili sot vizitoi kompaninë “Dura Automotive Sistem”, tha se vizita e sotme në këtë kompani është mundësi e madhe për të parë se si duket zbatimi i ligjit që e shndërroi të dielën në ditë jopune, raporton Portalb.mk.

“Punonjësit e kësaj kompanie, e cila për shkak të procesit kompleks të prodhimit duhet të punojë të dielave, marrin 50% shtesë të mëditjes bazë. Me këtë është rritur paga mesatare e atyre punëtorëve që të dielën punojnë në këtë kompani”, tha kryeministri Kovaçevski.

“Ky ligj ka një efekt shumë pozitiv në ekonomi, stimulon punëtorët dhe ndikon pozitivisht në produktivitetin e tyre, gjë që është në interes të vetë kompanive. Ligji për ditën jopune të së dielës do të japë rezultate të shkëlqyera në rritjen e produktivitetit të kompanive dhe përmirësimin e ekonomisë”, deklaroi Kovaçevski.

Punëdhënësit që shkelin ligjin do të përballen me ndalim pune 15-ditore dhe padi për kundërvajtje. Nëse punëdhënësi përsërit të njëjtën vepër brenda një viti, ndalimi i punës do të jetë 30 ditë.

Ndryshe, Kuvendi më 20 dhjetor e miratoi Ligjin për ndryshime dhe plotësime në ligjin për marrëdhënie pune, me çka e diela u shpall ditë jopune, që ishte njëra ndër kërkesat kryesore të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë. Me zgjidhjen e re ligjore, e diela do të jetë ditë jopune për 92% të punëtorëve.

Inspektorati i Punës iu bëri thirrje punëtorëve t’i paraqesin të gjitha shkeljet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button