BE kritikon RMV-në, institucionet duhet të bëjnë më shumë për mbrojtjen e fëmijëve

Kur flitet për respektimin e të drejtave të fëmijëve, teorikisht Maqedonia e Veriut disponon një kornizë të mirë ligjore të hartuar sipas standardeve ndërkombëtare, por ngec zbatimi i saj në praktikë. Ekspertët dhe Organizatat jo-qeveritare vlerësojnë se institucionet shtetërore duhet të bëjnë shumë më tepër në këtë drejtim. Për respektimin e të drejtave të fëmijëve vendi jonë u kritikua ashpër edhe në Raportin e Progresit të publikuar nga Komisioni Evropian, shkruan Portalb.mk

Në Maqedoninë e Veriut mbetet i lartë numri i shkeljes së të drejtave të fëmijëve. Vetëm në 45 ditët e para të vitit 2022 në Zyrën e Avokatit të Popullit janë paraqitur 23 ankesa, ndërkohë gjatë vitit të kaluar ky institucioni ka trajtuar 254 lëndë me bazë cenimin e të drejtave të fëmijëve. Gjatë vitit 2020, janë paraqitur 111 ankesa lidhur me shkeljet e të drejtave të fëmijëve. Pjesa më e madhe e ankesave vazhdojnë të paraqiten nga prindërit/ kujdestarët dhe jo nga vetë fëmijët.

“Avokati i Popullit gjatë vitit 2021 ka vepruar në gjithsej 254 lëndë në fushën e të drejtave të fëmijëve, prej të cilave 20 raste për mbrojtjen e të miturve nga dhuna. Deri më datë 16.02.2022 janë pranuar gjithsej 23 ankesa në fushën e të drejtave të fëmijëve, nga të cilat 1 rast ka të bëjë me mbrojtjen nga dhuna”, deklaruan për Portalb.mk nga Zyra e Avokatit të Popullit.

Kur është në pyetje cenimi i të drejtave të fëmijëve, të dhëna shqetësuese u paraqitën edhe në raportin vjetor të publikuar nga Ambasada e Fëmijëve “Megjashi”. Sipas raportit në fjalë gjatë vitit 2021, në Ambasadën e fëmijëve “Megjashi”, është rritur për 30% numri i paraqitjeve të shkeljes së të drejtave të të miturve dhe janë regjistruar gjithsej 449 raste.

Shkeljet e paraqitura në raportin e “Megjashit”, sipas moshës dhe gjinisë

Nga “Megjashi” shprehen për Portalb.mk se në dekadën e kaluar është punuar për reforma të bazuara në konceptin e drejtësisë restauruese dhe mbrojtjes së interesave më të mira të fëmijëve dhe pritshmëritë e tyre ishin që sistemi për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve apo institucionet të funksionojnë më të fortë dhe të organizuar për të minimizuar rreziqet e dhunës ndaj fëmijëve, ofrimi i trajtimit, kujdesit dhe mbrojtjes së shpejtë dhe adekuate.

“Nëse flasim për kuadrin ligjor vendas për të drejtat e fëmijës, mund të themi se është në masë të madhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, por pengesa kryesore për realizimin e plotë të të drejtave të fëmijëve mbetet zbatimi i dobët i ligjit, mungesa e një strategjie të mirë-projektuar, financimi i kufizuar si dhe resurset  njerëzore, profesionale dhe teknike. Ajo që vëmë re si problem i madh është fakti se në vendin tonë kur bëhet fjalë për dhunën ndaj fëmijëve, përpjekjet përqendrohen në atë se si të ndëshkohet dhunuesi dhe jo si të ndihmohet fëmija. Është miratuar Ligji për drejtësinë për fëmijët  dhe është koha që realisht të zbatohet. Ligji thekson se siguron mbrojtje të plotë të fëmijëve dhe zhvillimin e duhur të tyre kur shfaqen si autorë të sjelljeve të paligjshme, por edhe kur janë në gjendje viktimizimi dhe pikërisht kjo nuk duhet harruar, pra fëmijët viktima nuk duhet të harrohen nga sistemi. Është e nevojshme që institucionet të kenë teknika të integruara që do t’u ofrojnë fëmijëve viktima një mënyrë më të lehtë për t’u risocializuar me bashkëmoshatarët”, thonë nga Ambasada e Fëmijëve “Megjashi”.

BE kritikon RMV-në për respektimin e të drejtave themelore të të miturve

Edhe përkundër nivelit të lartë të harmonizimit normativ me standardet ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve, vërehet mospërputhshmëria e ligjeve, monitorim joefikas, mungesë të të dhënave përkatëse, si dhe nevoja për qasje më të koordinuar në luftën kundër dhunës ndaj fëmijëve, si përmirësimi i zbatimit të drejtësisë për të miturit. Kështu konstatoi Raporti i Progresit për Maqedoninë e Veriut, publikuar nëntorin e kaluar nga Komisioni Evropian.

“Organi ligjor përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës (KDF) nuk është plotësisht funksional. Duhet të përgatitet një mekanizëm për monitorimin e zbatimit të KDF dhe një plan veprimi për fëmijët, me një buxhet të përshtatshëm dhe modele sektoriale që do të ofrojnë shërbime efektive për fëmijët. Nevojitet shkëmbim për mbledhjen dhe analizën e të dhënave të fokusuara te fëmijët. Të dhëna për grupet vulnerabël të tilla si fëmijët me aftësi të kufizuara ose fëmijët nga komuniteti rom duhet ende të përmirësohen më tej për të lejuar analiza të qëndrueshme të politikave”, theksohet në kapitullin 23 të raportit “Juridiksioni dhe të drejtat themelore”.

Vedije Ratkoceri, docente në lëmin penale në Fakultetin juridik – UEJL, në një bashkëbisedim për Portalb.mk radhit disa faktor pse vendi jonë mori këtë vlerësim nga BE-ja sa i përket respektimit të të drejtave të fëmijëve.

“Konsideroj se ky vlerësim vjen për disa arsye, duke filluar nga mungesa e një plani aksional për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, pastaj funksionalizimi i plotë i mekanizmave për monitorimin e zbatimit të Konventës, mungesa e hulumtimeve nacionale dhe të dhënave statistikore për implementimin e të drejtave të fëmijëve dhe identifikimin e kategorive vurnerable të fëmijëve e kështu me radhë”, u shpreh Vedije Ratkoceri.

Nga Zyra e Avokatit të Popullit u shprehen se Strategjia Kombëtare për mbrojtjen e të miturve është përpiluar sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare.

“Trupi Koordinues Kombëtar për Parandalimin dhe Mbrojtjen e Fëmijëve nga Abuzimi dhe Neglizhimi në vitin 2017, i udhëhequr nga MPPS, vendosi për një qasje sistematike dhe zhvillimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin dhe Mbrojtjen e Fëmijëve nga Dhuna (2020-2025) dhe Planin e Veprimit. (2020-2022), të cilat janë në përputhje me të gjitha dokumentet, rregulloret dhe rregulloret përkatëse ndërkombëtare. Strategjia Kombëtare parashikon forcimin dhe avancimin e sistemit për zbatimin e mbrojtjes, trajtimit dhe rehabilitimit gjithëpërfshirës të fëmijëve viktima, përmes bashkëpunimit efektiv ndërsektorial, protokolleve dhe funksionimit të çdo pjese individuale të sistemit për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna në kuadrin social, shëndetësor, arsimi, policia dhe sistemet ligjore”, thanë nga Zyra e Avokatit të Popullit.

Megjithatë, zbatimi i kësaj strategjie vlerësohet si i zbetë në Raportin e Komisionit Evropian për vendin tonë.

“Është miratuar një strategji kombëtare për t’i dhënë fund dhunës ndaj fëmijëve (2020-2025), por ka ende sfida me zbatimin e plotë të saj”, theksohet në Raportin e Progresit.

Për profesoreshën universitare, Vedije Ratkoceri, të miturit duhet të jenë prioritet i institucioneve relevante. Megjithatë mbi mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, përveç institucioneve, një rol shumë të rëndësishëm ka edhe shoqëria.

“Të drejtat e njeriut fillojnë me të drejtat e fëmijëve. Fatkeqësisht fëmijët si një kategori e ndjeshme dhe e brishtë e shoqërisë lehtësisht mund të jenë pre e dhunës brenda dhe jashtë familjes si dhe e keqpërdorimeve të shumta e të ndryshme, andaj ata edhe duhet të jenë në fokus të veçantë të institucioneve shtetërore kompetente. Ky fokus duhet të shtrihet veçanërisht në sigurimin e të drejtave të fëmijëve fillimisht e pastaj edhe në mbrojtjen e tyre mirëpo konsideroj se ky rol nuk u përket vetëm institucioneve por na përket të gjithë neve, pra shoqërisë në përgjithësi dhe përfaqësuesve të të gjitha profesioneve në veçanti që mund të kenë kontakt me fëmijët në çfarëdo forme. Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve duhet të fillojë nga familja, pridërit, shkolla për të vazhduar më tej te të gjitha institucionet e tjera”, deklaroi Vedije Ratkoceri.

Në Raportin e KE-së gjithashtu theksohet se ka boshllëqe në përgjigjen e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve ndaj sfidave të dhunës dhe abuzimit në internet (ngacmimi kibernetik).

“Programet për rehabilitimin, risocializimin dhe ri-integrimin e fëmijëve viktima të dhunës nuk janë të disponueshme”, thuhet në Raport.

Sa i përket kësaj çështje, nga “Megjashi” vlerësojnë se është shumë i rëndësishëm funksionimi i mirëfilltë i programeve rehabilituese, madje një nga rekomandimet kryesore që del nga Raporti alternativ për gjendjen e të drejtave të fëmijëve në Maqedoni i përgatitur nga organizatat joqeveritare është që të forcohen kapacitetet e punëtorëve në sistemin e mbrojtjes së fëmijëve për të ofruar shërbime të duhura për shërimin dhe ri-integrimin e fëmijëve viktima dhe hapjen e një strehe/shtëpi e sigurt për fëmijët dhe të rinjtë – viktima të abuzimit.

Ndihma për ri-integrimin e fëmijëve viktima të dhunës është shpesh e pamjaftueshme, jo në kohën e duhur dhe nuk ka vazhdimësi, megjithëse po bëhen përpjekje të shtuara për të krijuar një qasje të koordinuar për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna. Gjithashtu nuk ka të dhëna për cilësinë e shërbimeve dhe mbështetjes që marrin fëmijët viktima të abuzimit seksual dhe shfrytëzimit seksual. Është më se e nevojshme që institucionet të kenë teknika të integruara që do t’u ofrojnë fëmijëve viktima një mënyrë më të lehtë për t’u risocializuar me bashkëmoshatarët e tyre, pra programe të përshtatshme për rehabilitimi, risocializimi dhe riintegrimi”, theksojnë nga Ambasada e fëmijëve “Megjashi”.

 

Disklejmer, baner, vertetematesi, NED

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button