fbpx

Petkov formoi katër grupe punuese për bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut

Disa ditë pas vizitës në Shkup, kryeministri bullgar Kiril Petkov, ka dhënë urdhër për formimin e grupeve ndërministrore për bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut, raportojnë mediat bullgare, transmeton Portalb.mk.

Bashkëkryesuesit e çdo grupi punës do të duhet do të kryesojnë me rotacion me mbledhjet e grupit adekuat sipas kompetencës së tyre me temat e rendit të ditës.

Grupi i parë përfshin dy fusha – ekonomi, si dhe tregti dhe inovacione. Bashkëkryesuesit e grupit janë ministrja e Ekonomisë Kornelija Ninova, ministrja e Financave, Asen Vasilev dhe ministri i Inovacioneve Daniel Lorer.

Grupi i dytë do të punojë në fushën e infrastrukturës, transportit dhe ndërlidhjes. Bashkëkryesues do të jenë ministri i Zhvillimin Rajonal dhe Punëve Publike, Grozdan Karaxhov, ministri i Transportit dhe Lidhjeve Nikollaj Sabev dhe ministri i Energjetikës, Aleksandar Nikolov.

Grupi i tretë punues ndërministror është për bashkëpunim evropian – tranzicion i gjelbër dhe transformim digjital dhe sundim të së drejtës, me të cilin bashkëkryesojnë ministri i Mjedisit Jetësor dhe Ujërave, Borislav Sandov, zëvendëskryeministrja për sundim efikas, Kalina Konstantinova dhe ministrja e Drejtësisë, Nadezhda Jordanova.

Grupi i katërt ndërministror është nga fusha e kulturës, shkencës dhe arsimit dhe të rinjve. Bashkëkryesues janë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Nikollaj Denkov, ministri i Kulturës, Atanas Atanasov, ministri i Turizmit, Hristo Prodanov dhe ministri i të rinjve dhe sportit, Radostin Vasilev.

Ndërkaq, disa ditë me parë, me vendim të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut janë formuar grupe punuese ndërqeveritare për ekonomi, tregti dhe inovacione, për infrastrukturë dhe ndërlidhje për integrim evropian dhe politika të gjelbra dhe për kulturë, shkencë dhe arsim. Për bashkëkryesues i grupeve punese janë emëruar zëvendëskryeministrat dhe ministrat nga resorët adekuat, ndërsa në to do të marrin pjesë edhe përfaqësues të ministrive resorë dhe agjencive dhe institucioneve kompetente.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button