Tetovë, policia arreston katër aktivistë të PDSH për blerje votash?

4 persona, aktivistë të PDSH-së në Tetovë janë arrestuar në flagrancë nga policia duke blerë vota për kandidatin e tyre. Kështu bënë të ditur burime të policisë për Alsat M.

Ata u paraqitën sot para hetuesisë në Tetovë, dhe pritet t’u caktohet masa e paraburgimit 30 ditor. Policia ka konfirmuar rastin dhe sipas saj, personat e dyshuar janë arrestuar në kuadër të operacionit “Vota e prekur” që ka të bëjë me dhënie ryshfeti, një numri të madh qytetarësh për të votuar për një nga kandidatët për kryetar të komunës së Tetovës.

Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë, dje ndërmori disa aktivitete të ndryshme operative në lidhje me këtë çështje. Me urdhër të Gjykatës, është kryer kontroll në zyrën e Noterit 63 vjeçar me inicialet M.I që gjendet në rrugën “Ilinden” në Tetovë, nga ku është marrë një regjistër noterial për vlefshmëri dhe 175 deklarata të certifikuara nga qytetarët që kanë marrë ryshfet.

Më vonë janë arrestuar katër persona nga Tetova; 40 vjeçari me inicialet A.M, nga i cili janë marrë 16 kartëmonedha 10 euroshe, 32 vjeçari me inicialet N.T dhe 28 vjeçari me inicialet B.H në veturën e të cilëve janë gjetur 14 060 euro, më konkretisht, 653 kartëmonedha 20 euroshe, 5 euroshe dhe 200 euroshe. Përveç katër të arrestuarve, në pyetje është marrë edhe 77 vjeçari me inicialet Q.L nga Tetova. Ai është lënë i lirë, së bashku me noterin me inicialet M.I, shkruhet në komunikatën e Ministrisë së Brendshme. Sektori për punë të Brendshme në Tetovë ka marrë masat e duhura për të zbardhur plotësisht të gjitha detajet mbi këtë rast. Ndaj 4 të arrestuarve të dyshuar për veprën “ryshfet në zgjedhje dhe votim” do të ngrihet akuzë. /Alsat-M

Lajme të ngjashme

Back to top button