Zadorozhnjuk: Ukraina nuk e lartëson nazizmin, vendi humbi mbi 8 milionë njerëz në Luftën e Dytë Botërore

Ukraina ka humbur më shumë se 8 milionë njerëz në Luftën e Dytë Botërore, ndërmjet viteve 1939 dhe 1945, prandaj nuk ka asnjë arsye për të lartësuar nazizmin, tha Ambasadorja e Ukrainës në vendin tonë Natalia Zadorozhnjuk pas protestës së djeshme para Ambasadës së Ukrainës në Shkup nën moton “Kundër lartësimit të nazizmit në Ukrainë”, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ambasada e Ukrainës në Shkup thotë se me aksionin e organizuar dje duan të informojnë se Rusia po bën luftë kundër Ukrainës në të gjitha frontet, përfshirë edhe frontin informativ.

“Në botën e sotme, informacioni është një nga mjetet më të fuqishme të kontrollit. Prandaj, gjatë luftës ruso-ukrainase, përshkallëzimi i situatës së sigurisë nga Rusia, duke i bërë kërkesa ‘të çmendura’ Perëndimit, Kremlini e përdor në mënyrë aktive agresionin hibrid të informacionit – përhapjen e dezinformatave, falsifikimit, duke zhvilluar luftë informative kundër Ukrainës”, ka theksuar Ambasadorja e Ukrainës Zadorozhnjuk në shkrimin autorial “E vërteta gjithmonë ngadhënjen”.

Ambasadorja shkruan se një temë e vjetër dhe e preferuar e propagandës ruse, të cilën ky shtet e përdor me cinizëm dhe përpiqet me këmbëngulje ta shtyjë, është t’i portretizojë ukrainasit si nazistë.

Zadorozhnjuk përkujton se para Luftës së Dytë Botërore, nga Gladomorumib e induktuar artificialisht ,nga viti 1932 deri në 1933 nën regjimin brutal totalitar të Stalinit, vdiqën midis 4 dhe 7 milionë ukrainas.

“Qindra mijëra kanë pësuar nga ‘Terrori i Madh’ – represionet staliniste. Për këtë arsye asokohe vrull të madh fitoi lëvizja për pavarësi e Ukrainës. Lufta Botërore filloi në shtator 1939, një javë pas komplotit mes dy diktatorëve, nënshkrimit të Paktit Molotov-Ribentrop”, shkruan Ambasadorja e Ukrainës.

Në Luftën e Dytë Botërore, rreth 7 milionë ukrainas luftuan në anën e ushtrisë sovjetike, nga të cilët mbijetuan më pak se gjysma. Si pjesë e ushtrisë polake, luftuan 112.000 ukrainas, në ushtrinë amerikane deri në 80.000, në anën e Britanisë së Madhe dhe Kanadasë rreth 45.000 dhe në anën e Francës – 6.000.

Krimet e regjimit stalinist në Ukrainë lavdërohen nga Rusia moderne dhe ajo fushatën e saj histerike anti-ukrainase e ka ndërtuar mbi parimin “kushdo që nuk është me ne është fashist”, shkruan Ambasadorja Natalia Zadorozhnjuk.

“Në Rusi, që në fillimet e agresionit kundër Ukrainës, u pretendua se arsyeja e pushtimit të saj, fillimisht në Krime e më pas në lindje të vendit, ishte “grusht shteti” dhe si rrjedhojë “regjimi neo-nazist “. Mospranimi i pozitës të pavolitshme për Moskën, mospranimi që të tjerët të zgjedhin rrugën e tyre është politikë shtetërore e Rusisë”, thekson Ambasadorja e Ukrainës.

“Nëse ukrainasit nuk duan të jetojnë si rusët, zgjedhin rrugë tjetër të zhvillimit për vendin e tyre e dhe mbrojnë me heroizëm vendin e tyre nga agresioni rus – ky është neo-nazizëm në kuptimin e Moskës”, ka shkruar ajo.

Ambasadorja e Ukrainës ka shtuar se qysh nga pushtimi rus në Ukrainë dhe aneksimi i Krimesë, deri tani kanë vdekur rreth 14.000 njerëz, 2 milionë njerëz ishin të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, kurse dëmi material dhe moral që iu ka shkaktuar Ukrainës nuk mund të llogaritet. Zadorozhnjuk komenton në artikull se këto janë manifestimet e nazizmit në shekullin 21 në zemër të Evropës.

Ajo përkujton gjithashtu përdorimin e metodave të egra për të luftuar kundërshtarët – vrasjen e kundërshtarëve të tyre në qendër të kryeqytetit, helmimin e njerëzve me polonium, organizimin e shpërthimeve në vende të tjera, rrëzimin e një aeroplani pasagjerësh Boing 777 afër Donjeckut (kur vdiqën 298 njerëz) dhe shumë të tjerë.

“Pavarësisht gjithë këtyre krimeve të kryera nga Rusia kundër njerëzimit, Moska po përpiqet të bindë botën për rrezikun që paraqet Ukraina. Kështu, ne, ukrainasit, vendi ynë, jemi kërcënimi më i rrezikshëm për Rusinë, sepse një Ukrainë e lirë, e pavarur, demokratike që u përmbahet vlerave pan-evropiane është dënim për regjimin totalitar rus”, e përmbyll Ambasadorja e Ukrainës në Shkup artikullin e saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button