58 raste të pedofilisë në Kosovë

Pedofilia ka filluar të bëhet brengosëse për shoqërinë kosovare. Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, del se kemi rritje të rasteve të pedofilisë, nga 49 raste sa ishin në vitin 2011, në 58 gjatë vitit 2012.

Sipas psikologëve pedofilia ka të bëjë me dëshira dhe eksitime seksuale që i ndodhin një individi me pre-adoleshentët nën moshën 13 vjeçare. Sipas psikologëve, pedofilia hyn në grupin e problemeve psikologjike.

Psikologja Melita Kallaba, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se pedofilia hyn në grupin e problemeve psikologjike. Sipas saj, një person me tendenca të tilla konsiderohet person më një çrregullim psikologjik.

“Pedofilia hyn në kuadër të sjelljeve të çrregulluara, ku tendenca e këtyre personave është gjetja e burimeve të kënaqësive seksuale me të miturit, e që kjo tendencë konsiderohet jashtë sjelljeve të rregullta seksuale”, shprehet ajo.

Kallaba thekson se çrregullimi seksual i pedofilëve, ka të bëjë më tepër me bazën gjenetike sesa me faktorët social edhe pse sipas saj, këta faktorë mund të kenë ndikimin e tyre në shpërthimin e një gjendje të tillë të çrregulluar.

Sipas saj, viktimat e aktit të pedofilisë, në këtë rast të miturit, traumën e tyre mund ta manifestojnë në mënyra të ndryshme si, humbja e besimit tek njerëzit, mbyllja në vete dhe depresioni.

“Gjithnjë e më tepër mediat merren me hulumtimin e kësaj problematike dhe publikimin e rasteve, e cila gjë po ndikon në alarmimin e këtij fenomeni me qëllim të mbrojtjes së shoqërisë”, ka deklaruar Kallaba. /

Lajme të ngjashme

Back to top button