Përpos Evropës Lindore, Rusia kërkoi tërheqjen e forcave të NATO-s edhe nga Bullgaria dhe Rumania

Jo vetëm për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, por kërkesa e Rusisë për tërheqjen e forcave të NATO-s (ushtarë të huaj, armë dhe pajisje) është për të gjitha vendet që nuk ishin anëtare të NATO-s në periudhën para vitit 1997. “Garancitë e sigurisë që Rusia i kërkon nga NATO vlejnë edhe për Rumaninë dhe Bullgarinë,” tha ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Kërkesa e Rusisë për tërheqjen e forcave të NATO-s nga Rumania dhe Bullgaria është konfirmuar edhe në një deklaratë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë dhënë për Radion Kombëtare të Bullgarisë.

“Elementi i diskutueshëm i nismave tona që keni përmendur ju, është formuluar shumë qartë dhe nuk lejon interpretim të paqartë. Ai përfshin tërheqjen e forcave të huaja, pajisjeve, armëve dhe ndërmarrjen e hapave të tjerë për t’u kthyer në situatën e vitit 1997 në territorin e vendeve që nuk ishin atëherë anëtarë të NATO-s. Kjo përfshin Bullgarinë dhe Rumaninë,” tha ministri i jashtëm rus Lavrov në përgjigje të një pyetjeje me shkrim të dërguar para fillimit të konferencës së tij për shtyp më 14 janar.

Dy çështjet e tjera kyçe që Rusia po i kërkon NATO-s dhe SHBA-ve janë: të anulojnë vendosjen e sistemeve të sulmit në afërsi të kufirit me Rusinë, dhe të ndalojnë zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s në lindje.

Aleanca e Atlantikut të Veriut (NATO) aktualisht ka 30 anëtarë, dhe shteti i fundit anëtar që i është bashkuar NATO-s është Maqedonia e Veriut në vitin 2020. Në vitet e fundit, Federata Ruse ka kundërshtuar hapur anëtarësimin RMV-së në NATO. Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në Bashkimin Evropian, Vladimir Chizhov, në qershor 2018 tha se “marrëveshja për emrin ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë do të ndikojë për paqen në rajon, por ka tëhequr vërejtjen se anëtarësimi eventual i Maqedonisë në NATO mund të shkaktojë shumë pasoja.”

Ndërsa ambasadori rus në Greqi, Andrei Maslov në një konferencë në Athinë në dhjetor 2018 para autoriteteve greke shprehu qëndrimin e Rusisë se është kundër anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

Ndaj këtyre kërkesave të Rusisë, përgjigja erdhi nga sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken. Ai tha më 13 janar se dera e NATO-s për pranimin e anëtarëve të rinj do të jetë e hapur pavarësisht kërkesës së Rusisë për të ndaluar anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Në të njëjtën kohë, anëtarët e NATO-s në takimin e Këshillit NATO-Rusi hodhën poshtë kërkesat e Moskës që forcat ushtarake të Aleancës të tërhiqen nga vendet anëtare që iu bashkuan NATO-s pas vitit 1997. Anëtarët e NATO-s në takim kanë përsëritur tashmë qëndrimin e tyre se anëtarësimi në NATO është një vendim sovran i çdo vendi të pavarur dhe Rusia nuk ka të drejtën e veto-s.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button